E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç s'ka qenë në Antarktidë dhe në Tiranë

Presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, e mbyllën mandatin e tyre të tanishëm qeverisës pa ardhur asnjëherë për vizitë në Shqipëri. Presidenti ka në post qysh në vitin 2004, kryeministri qysh në vitin 2008 dhe ministri i Jashtëm qysh në vitin 2007. Kanë qenë dhe kanë shëtitur të gjithë botën, kanë qenë në të gjitha shtetet e Ballkanit nga disa herë. Nuk kanë qenë, asnjëri, vetëm në Tiranë. Ndonjë naiv, këtej dhe andej kufirit, mund të nxitohet ta shesë këtë situatë absurde të marrëdhënieve dypalëshe si dëshmi e qëndrimit të vendosur të qeverisë së Shqipërisë përballë shtetit, i cili na ka gjakosur Kosovën dhe nuk e njeh Kosovën. Nuk është dhe nuk mund të jetë ashtu, sepse qeveria e Shqipërisë i ka dërguar me breshëri ftesat zyrtare njërën pas tjetrës në Beograd për qeveritarët më të lartë të Serbisë, që të vijnë në Tiranë.

Në fakt, që në vitin 2009-të kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha njoftoi publikisht se i kishte dërguar ftesë presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, të vizitonte Shqipërinë. Madje, në një gazetë gjermane ai pat specifikuar se Boris Tadiç do të vinte së shpejti në Shqipëri. Dëshira e madhe për ta parë presidentin serb në Tiranë, me sa duket e pengoi kryeministrin që të kullohej se nuk i takonte atij ta ftonte presidentin e Serbisë, dhe ata, që paguhen për ta këshilluar në punët e diplomacisë, me sa duket nuk janë punësuar për atë gjë. Çdo diplomat dhe çdo qytetar i Ballkanit, (jo vetëm shqiptar), nuk mund të mos ngrejë supet i habitur nga situata, kur as presidenti, as kryeministri dhe as ministri i Jashtëm i një shteti të rajonit, nuk kanë begenisur gjatë gjithë këtyre viteve të vizitojnë qoftë edhe një herë, qoftë edhe për kuriozitet turistik, Shqipërinë.

Nuk e kandisën presidentin e Serbisë të vijë në Shqipëri as trokitjet dhe përçapjet servile dhe infantile të diplomacisë shqiptare, e cila pa u menduar dy herë, u djersit disa vjet me radhë të realizonte ftesën alogjike, që kryeministri i Shqipërisë i dërgoi presidentit të Serbisë të vizitonte Tiranën.

Në një shpjegim të parë logjik për refuzimin e presidentit të Serbisë për t'iu përgjigjur ftesës së kryeministrit shqiptar është e vërteta e thjeshtë se ai, si president i një shteti, që i di rregullat e protokollit shtetëror e ndërkombëtar dhe të diplomacisë, nuk mund të bëjë vizitë zyrtare në një shtet tjetër me ftesë të kryeministrit të atij shteti, në një kohë kur Kushtetuta e atij shteti përcakton presidentin e vendit si kryetar shteti. Me gjithë entuziazmin gjenetik të kryeministrit të Shqipërisë për t'i demonstruar gjithë botës, e pra dhe Serbisë, se ai mund të marrë lehtësisht edhe kompetencat e presidentit të vendit, presidenti i Serbisë nuk mund t'i lejojë vetes të bëjë figurë të keqe dhe të shkojë deri në pikën e thyerjes së rregullave të hekurta të barazisë shtetërore dhe protokollare.
Por shpjegimi i parë i mësipërm nuk mjafton për të sqaruar bojkotin e presidentit, të kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm të Serbisë ndaj Shqipërisë. Kulminacionin e kemi në rastin e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, i quajtur edhe "ministri turistik" apo shefi i "diplomacisë me steroide", i cili nuk ka lënë cep shkëmbor e ujor të të gjithë kontinenteve dhe të oqeaneve, pa bërë vizita, dhe nuk ka gjetur në programin e tij as edhe pak orë për të zbritur në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Një vështrim i shpejtë në kalendarin e vizitave të Jeremiçit nëpër botë të çon në zbulimin se atij i ka mbetur pa parë vetëm Antarktida dhe Tirana.

Dikush mund të nxitohet dhe të mendojë se ky bojkot qeveritar serb ka ardhur për shkak të Kosovës dhe të mbështetjes që Tirana i ka dhënë Kosovës. Është një mendim, që nuk qendron, sepse, së pari, udhëheqësit serbë kanë bërë vizita të njëpasnjëshme në shtete, që kanë njohur dhe mbështetur Kosovën, brenda e jashtë Ballkanit. Së dyti, duhet thënë se, sado hidhur që të na vijë, Tirana nuk zë vendin e parë në listën e shteteve që kanë mbështetur Kosovën. Madje udhëheqësit serbë kanë shprehur kënaqësi pse Shqipëria ka mbajtur një qendrim më të ftohtë se disa vende të tjera në lidhje me mbështetjen ndaj Kosovës. Kur u zhvillua seanca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në korrik të vitit 2010, ku shumë shtete paraqitën qendrimin e tyre zyrtar për çështjen e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ministri i Jashtëm i Serbisë sulmoi ashpër delegacionin e MPJ të Bullgarisë për mbrojtjen, që i bëri Kosovës, duke përdorur si argument se as Shqipëria nuk i bëri një mbrojtje të tillë Kosovës. Kjo nuk bëri përshtypje dhe natyrisht as nuk u analizua në Tiranë. Madje edhe në kulmin e ngjarjeve të nëntorit të vitit të kaluar, kur grupet e banditëve serbë të barrikadave plagosën në Kosovë 30 ushtarakë gjermanë dhe austriakë të KFOR-it, duke ngjallur një valë protestash zyrtare në Europë e në SHBA, gjë që i kushtoi Serbisë mosmarrjen e statusit të shtetit kandidat të BE në dhjetor, e vetmja qeveri që nuk reagoi për plagosjen e ushtarakëve të dy shteteve mike të kombit shqiptar, ishte ajo e Tiranës. Shqipëria nuk ka adoptuar as qendrimin minimal diplomatik, që për respekt të Kosovës, të bojkotojë takimet dhe konferencat diplomatike, rajonale ose jashtërajonale, që janë organizuar nga Serbia dhe ku përjashtohet Kosova. Një gjë të tillë e ka bërë Sllovenia, Polonia dhe Italia, që kanë ftuar Kosovën dhe i kanë organizuar takimet diplomatike ndërkombëtare edhe pa pyetur për pjesëmarrjen e Serbisë. Por nuk e ka bërë këtë Shqipëria, e cila pa u menduar dy herë, i ka dërguar ministrat e saj disa herë në Beograd, qoftë edhe për mbledhje organizatash joqeveritare.

Enigmën e qendrimit mospërfillës të qeverisë së Serbisë ndaj Shqipërisë e shton sidomos dhe më shumë realiteti se Shqipëria pas vitit 2005-së ka hapur me një dimension të paparë gjatë 20 vjetëve portat e ekonomisë shqiptare për investimet dhe praninë serbe në Shqipëri, në sektorë dhe në drejtime strategjike. Madje mund të thuhet, si një e vërtetë e re dhe tronditëse, që kjo prani ekonomike serbe në Shqipëri është më e madhja në gjithë historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, përfshirë edhe periudhat e Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës. Logjika normale diplomatike e kërkon që presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë të ndërmarrin vizita shtetërore në ato shtete, ku kanë interesa dhe përfitime të mëdha ekonomike, të tanishme ose të perspektivës. Interesat serbe dhe inondimi i kompanive serbe në Shqipëri, duhej të kishin prodhuar vizita frekuente në planin qeveritar dhe diplomatik
Këto nuk ndodhën. A vjen kjo nga një kujdes i Beogradit për të mos vënë në pozitë të vështirë qeverinë në Tiranë, e cila pas vitit 2005 hoqi jo vetëm bravën, por edhe menteshat e dyerve të ekonomisë shqiptare për vërshimin serb? Kjo është një hamendje, që vështirë ta pranojë logjika e marrëdhënieve normale mes dy shteteve.

Por realiteti është ai që parashtruam në fillim të analizës, që Beogradi zyrtar nuk ka përfillur të dërgojë asnjë zyrtar të trojkës së lartë shtetërore për vizitë në Shqipëri.

Ky realitet e kërkon një shpjegim dhe e ka një shpjegim. Filozofia politike dhe diplomatike e Serbisë në marrëdhëniet me Shqipërinë ka qenë ajo e metropolit me një gubernë të saj. Kjo ka ardhur nga politika dhe mentaliteti megaloman i Beogradit ndaj Tiranës. Por në radhë të parë ka ardhur nga mentaliteti i rajasë, që qeveria dhe diplomacia shqiptare kanë aplikuar në raportet me Serbinë. Qeveria e Tiranës nuk u bë e ndërgjegjshme as pas anëtarësimit në NATO se tani kishim një Shqipëri tjetër. Nuk u bë e ndërgjegjshme edhe pas aplikimit në BE për statusin e shtetit kandidat, ku Serbia aplikoi shumë më vonë se Shqipëria. Qeveria e Tiranës nuk u bë më e ndërgjegjshme as pas pavarësisë së Kosovës dhe as pas krijimit të shtetit të ri të pavarur të Kosovës, zhvillim i cili krijoi një raport të ri gjeopolitik dhe një ekuilibër të ri force në rajonin e Ballkanit.

Për fat të keq të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, në krye të qeverisë dhe të diplomacisë qëlluan njerëz, që e shohin Serbinë nga poshtë lart dhe asnjëherë në optikë të barabartë. Kjo ka prodhuar gjendjen, ku Serbia dhe udhëheqësit e saj e trajtojnë Shqipërinë si një shtet amorf, si një shtet të dobët, si një shtet që nuk është i ndërgjegjshëm për forcën e tij dhe të cilit mund t'i bësh çfarë të duash. Kjo vjen edhe nga fakti se Serbia ka prodhuar në kohërat e reja shumë milionerë në Shqipëri dhe shumë kompani dhe forca zotëruese në ekonominë, në politikën dhe në mediat shqiptare. Beogradi duket është i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, qeveria dhe qeveritarët në Tiranë do të zvarriten pas hijes së Serbisë, që vërtitet në karriget e pushtetit. Ndaj Serbia dhe udhëheqësit serbë nuk kanë nevojë të shkojnë as në Antarktidë dhe as në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›