Berisha: “Pas 20 vitesh krenohemi se ndërtuam liritë dhe idealet tona demokratike”

Festohet në Durrës 20-vjetori i themelimit të degës së Partisë Demokratike. Në kujtesën e gjithsecilit mbetet kontributi prej protagonisti i kësaj force politike në shndërrimin e Shqipërisë në anëtare të NATO-s dhe kandidate për në BE
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë dje në 20 vjetorin e themelimit degës së Partisë Demokratike në Durrës. Në këtë aktivitet kryeministri, shoqërohej nga kryetari i Partisë Demokratike të Durrësit Igli Cara, ministri Ferdinand Xhaferri, deputetë, drejtues dhe ish-themelues të Partisë Demokratike në qytetin e Durrësit.
Kryeministri vlerësoi të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat studentet dhe punëtorët e këtij qyteti, që 20 vjet më parë, iu bashkuan lëvizjes së madhe të mbarë Shqipërisë për shembjen e perdes së hekurt. “Sot, tha Kryeministri, ne ndihemi me krenarë dhe e festojmë me të lirë 20 vjetorin e themelimit të pluralizmit në qytetin e Durrësit, duke lëvizur pa viza në mbarë Europën”.
Duke evidentuar kontributin dhe rolin e lëvizjes së banorëve ët Durrësit, 20 vjet më parë, të cilët ju bashkëngjitën lëvizjes në mbarë vendin, Kryeministri Sali Berisha, në pragun e natës së Krishtlindjeve, nuk la pa përmendur monizmin ekstrem të diktaturës hoxhiste, që zhduku jo vetëm çdo lloj pluralizmi, si atë politik e ekonomik, por edhe atë fetar. Përkundër kësaj, Kryeministri ftoi qytetarët e Durrësit, që sot, ata i luten edhe zotit, dhe çdo shenjtori që ata besojnë. “Asnjë komb tjetër si ne, nuk përjetoi monizmin më ekstrem. Diktatura hoxhiste zhduku në Shqipëri të gjitha format e pluralizmit. Pluralizmin e mendimit, pluralizmin politik, pluralizmin ekonomik dhe fetar. Ajo me ligj dhe kushtetutë ndaloi qytetarët shqiptarë ti luten zotit, ti luten Krishtit, ti luten Muhamedit, ti luten çdo shenjtori që ata besojnë. Ndaj dhe ne, në përpjekjet e para kur u përballëm me diktaturën. Gjëja e parë që bëmë, filluam publikisht ti lutemi zotit, të lutemi për Krishtin, të lutemi për Muhamedin, të cilët rilindën në këtë tokë së bashku me liritë tona dhe sot çdo shqiptarë feston Krishtlindjet më i lirë, më i denjë se kurrë në histori dhe më lejoni, që në emër tuaj të urojmë të gjithë sot lindjen e Krishtit. Gëzuar këtë ditë të bardhë të bekuar për ju, por dhe për të gjithë besimtarët në mbarë botën”, gjeti rastin të urojë dje, qytetarët e Durrësit.
Pas 20 vjetësh, nga lëvizja kundër diktaturës komuniste në Shqipëri, Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje, përpjekjet e Shqipërisë, për të ndërtuar lirinë dhe idealet demokratike. “20 vite rrugë, 20 vite përpjekje, 20 vite udhëtim në rrugën e lirisë nuk kanë qenë të lehta, nuk kanë qenë pa dhimbje dhe pa sakrifica të mëdha. Por sot pas 20 vitesh ne kemi të drejtë të krenohemi sepse jemi 20 vite dritë larg të 20 viteve më parë, sepse rrugën që nuk e dinim e mësuam. Lirinë që nuk e njihnim e ndërtuam, idealet tona demokrate i ndërtuam. Në rast se 20 vjet më parë qyteti përjetoi entuziazmin më të madh të lirisë së saj, ai përjetoi dhe dramat më të madha kombëtare, eksodet e mëdha kombëtare, të cilët largoheshin nga Durrësi, largoheshin nga Shqipëria, të përzënë nga skamja, mjerimi i pa parë ndonjë herë. Sot pas 20 vitesh Durrësi pret dhe këtë fund viti mijëra e mijëra vajza dhe djem të tij që kthehen nga mbarë Europa, për të festuar së bashku Krishtlindjet dhe Vitin e ri”, u shpreh midis të tjerave Kryeministri Sali Berisha.
Në 20 vjetorin e krijimit të degës së PD-së së Durrësit, Kryeministri nuk mund të linte pa përmendur edhe arritjen dhe rezultatet që ka regjistruar Shqipëria në kot vite. “Dua të ndihemi krenarë sot në këtë 20 vjetor, sepse Shqipërinë më të izoluarën e planetit e shndërruam në Shqipërinë anëtare të NATO-s, në Shqipërinë që ecën e sigurt në rrugën e Integrimit të Bashkimit Evropian. Shqiptarët, të cilët 20 vjet më parë në kufijtë e tyre, i prisnin pritat e kallashnikovëve te regjimit mizor, sot lëvizin pa viza të lirë në mbarë Europën. Ne, duhet të ndihemi krenar në përpjekjen tonë të ndertimit të një epoke dhe sistemi të ri. Në 20 vjet ne ia dolëm të rrisim mbi 25 herë të ardhurat për frymë në një nga vendet më të varfra të planetit. Ne duhet të ndihemi krenar me sakrificën tonë, me besimin tonë, më punën dhe përkushtimin tonë, sot Durrësi është më i madh më i bukur dhe i mbi dyfishuar si kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Sot Durrësi është kryeqendër e fuqishme e zhvillimit të vendit. Sot Durrësi është një nga qendrat kryesore të botës intelektuale universitare të Shqipërisë”, u shpreh më tej Kryeministri.
Për Kryeministrin Sali Berisha, vizioni për të ardhmen e vendit, bashkë edhe me projektin dhe vullnetin e qeverisë, janë po aq të rëndësishme, kjo edhe për të kapur kohën e humbur. “Por ne jemi krenar në këtë 20 vjetor, sepse ne kemi vullnetin, ne kemi projektin, ne kemi vizionin që në vitet që vijnë, Durrësi dhe Shqipëria në turravrapin e tyre, të kapin të gjithë kohërat e humbuar që Durrësi dhe Shqipëria të shndërrohen me shpejtësi ,në një prej qyteteve më të zhvilluara të rajonit, se Durrësi Evropian dhe Shqipëria Evropiane të ecin të sigurt në rrugën e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian. Ndaj edhe njëherë të vazhdojmë së bashku dhe ftoj qytetarët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, se ndërtimin më të madh që ne mund të bëjmë në këtë 20 vjetor është respektimi i lirive të njëri- tjetrit, zgjerimi i lirive të njëri-tjetrit, konsolidimi i lirive të njëri-tjetrit. Unë ju jap fjalën ju se liritë dhe problemet tuaja, janë dhe mbeten çështja më madhore e axhendës sonë”, ju premtoi Kryeministri Sali Berisha, banorëve të Durrësit.
Më tej, Kryeministri Sali Berisha, duke u ndalur edhe te zgjedhjet e ardhshme lokale, gjeti rastin të përsërisë angazhimin e qeverisë për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si kushtin e kushtit për ecjen drejt së ardhmes.
“Zgjedhjet lokale po trokasin, qytetarët dhe qytetare të Durrësit, le të dëshmojmë ne se do të bëjmë zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe unë ju garantoj ju, se qeveria do të bëjë çdo gjë që ju, që çdo qytetar i këtij vendi të votojë i lirë në vullnetin e tij, që vota e ti të numërohet me korrektesën më të madhe, ky është kushti i kushteve për të ecur drejt të ardhmes, ndaj dhe ne le të ecim të sigurt në konsolidimin e lirive tona, të ecim të sigurt drejt zgjedhjeve të lira, të ndershme të ecim të sigurt drejt fitores sonë në Durrës dhe mbarë Shqipërinë. Ne ecim të sigurt drejt fitores së merituar, sepse ne me përkushtim të madh me vizion të qartë, kemi shndërruar dhe shndërrojmë çdo vit në realitet ëndrrat më të bukura të qytetarëve shqiptare. Ne ndërtuam Shqipërinë anëtare të NATO-s, ne do të ndërtojmë Shqipërinë Evropian, ne ndërtuam Shqipërinë që lëviz e lirshme në mbarë Europën, ne ndërtuam Shqipërinë e infrastrukturës moderne, ne ndërtuam Shqipërinë turistike, e shpallur këtë vit e Bukura e Dheut me Durrësin si kurore të bukurisë së saj”, shtoi më tej Kryeministri, duke vënë theksin te fitorja e merituar edhe në këto zgjedhje, të mazhorancës aktuale. “Dhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë të bekuar, përulem me nderimin më të madh, respektin më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të këtij qyteti dhe këtij rrethi që në 20 vjet në çdo rrethanë në çdo vështirësi në çdo kohë mbetet bastion i pa mposhtur i vlerave i demokracisë i së ardhmes”, përfundoi me urim fjalën e tij Kryeministri Sali Berisha, para banorëve të Durrësit, në 20 vjetorin e krijimit të degës së PD-së.