Tenderi për uniformat e policisë, 6 zyrtarë në pranga
Autori i Lajmit: Ornela Manjani Gjashtë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar dje nën akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Tiranës mësohet se organi i akuzës ka regjistruar procedim penal për këta persona në datën 11 shtator të këtij viti ndërsa si objekt hetimi kanë qenë procedurat e prokurimit të fondeve publike me objekt blerjen e veshjeve të policisë. Pas zbardhjes së rrethanave të hetimit nga organet përkatëse, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest në burg” për Bujar Muratin me detyrë Drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Tahir Imami, specialist i prokurimeve në Gardë, Artan Berberi, Jani Gjergjefi dhe Redi Popesku në funksionin e ndërmjetësit mes zyrtarëve të Ministrisë dhe administratorëve të firmave private të prodhimit të uniformave.
Prokuroria
Gjashtë persona u arrestuan dje nga policia me urdhër të Prokurorisë për akuzën e korrupsionit me blerjen e uniformave të policisë. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 11.09.2009, ka regjistruar procedimin penal Nr.3204 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuara nga nenet 244, 25 dhe 259 të Kodit Penal”, bëri të ditur zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, objekt i hetimeve ka qenë procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre”, me fond limit 175.034.194 lekë e cila do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqëndruara pranë Ministrisë së Brendshme. Për zbardhjen e rrethanave të hetimit nga ana e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë kryer veprime të shumta hetimore me mjetet speciale të hetimit.
Të arrestuarit
Policia ka vënë në pranga Bujar Muratin, Redi Popeskun, Tahir Imamin, Artan Berberin, Agur Sadikun dhe Jani Gjergjefin.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme prej 125.000 euro që u kanë dhënë shtetasve Bujar Murati, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqëndruara pranë Ministrisë së Brendshme, dhe Redi Popesku, kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e lotove të kësaj procedure prokurimi duke eleminuar konkurencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë. Ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të cilët mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009