Shpërthimi në Priskë. Tritol shtyllës, dëmtohen 15 shtëpi
Autori i Lajmit: Ornela ManjaniPersona të paidentifikuar kanë vendosur një sasi eksplozivi në njërën nga shtyllat e linjës se tensionit të lartë 220 kilovolt Shkodër-Elbasan. Burime nga policia bënë të ditur se 15 shtëpi janë dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm. Nga shpërthimi nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa raportohen se janë thyer xhamat e dritareve në banesat përreth zonës. Ekspertë të Policisë së Tiranës dhe të skuadrës së antiterrorit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet procedurale. Policia ka mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes dhe deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e autorëve dhe aq më pak të zbardhë motivet e ngjarjes së rëndë.
Shpërthimi
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur dje zonën e Priskës në periferi të kryeqytetit. Policia është njoftuar nga një telefonatë në sallën operative dhe ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Hetimet zbardhën se një sasi e konsiderueshme lënde plasëse ishte vendosur në katër këmbët e një shtylle të tensionit të lartë, duke e shkatërruar atë plotësisht. Ndërkohë që banorët pranë zonës së shpërthimit janë tronditur nga shpërthimi. Burime nga policia bënë të ditur se 15 shtëpi janë dëmtuar, por fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Banorët pohojnë se u janë thyer xhamat e shtëpisë. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën rreth orës 22:00. Sipas policisë, nga shpërthimi është dëmtuar njëra anë e shtyllës, e gjatë 8 metra.
Dëmtohet linja 220kv
Linja 220 kv Koman-Elbasan është dëmtuar si pasojë e vendosjes së një sasie tritoli, njoftuan sot në mesdite burime zyrtare të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Sipas tyre, sasia e tritolit ka dëmtuar disa elementë të rëndësishëm të shtyllës, por dëmtimi i saj nuk do të ndikojë në furnizimin me energji elektrike të zonave që furnizohen nga linja Koman-Elbasan.
Ndërkohë specialistët e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, (KESH) janë angazhuar për riparimin e shtyllës së tensionit të lartë që ka mbetur e dëmtuar.
Të shoqëruarit
Disa banorë të zonës janë shoqëruar si të dyshuar për vendosjen e sasisë së tritolit në shtyllën e tensionit të lartë. Në deklarimet e tyre për policinë ata janë shprehur se nuk kishin dijeni për autorët apo motivet e ngjarjes, por kanë ndërtuar çastin e shpërthimit gjatë të cilit disave prej tyre iu dëmtuan edhe banesat.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009