E Diel, 1 Nëntor 2026

Jessica Alba: Thjesht perfekte!

I pëlqen të shëtisë, të gatuajë receta meksikane dhe të kujdeset për vajzën. Për aktoren bukuroshe 29-vjeçare, ëndrrat më të mëdha të jetës janë realizuar

“The killer inside me” është filmi i ri, ku protagoniste e padiskutueshme është artisja e momentit, Jessica Alba, e shoqëruar nga Casey Affleck, Simon Baker, Kate Hudson, Ned Beatty dhe Bill Pullman. E bukur, e re dhe solare, Alba është një përzierje e rrallë e sensualitetit dhe bukurisë, me një karrierë brilante dhe një jetë private solide, duke u bërë një ikonë e asaj që sot Hollivudi pret nga një aktore. “Vij nga një familje besimtare dhe tradicionale. Nëna ime është rritur në jug të SHBA-ve dhe ka marrë një edukim batist, ndërsa babai është shumë katolik. është e vështirë të rebelohesh, kur nuk e ke në traditën familjare diçka të tillë. Jo gjithmonë kam të njëjtat mendime me ta, por kjo nuk ka lidhje me dashurinë që ndiej unë për ta, apo që ata ndiejnë për mua”. Për të familja është gjëja më e shtrenjtë në botë. Tani që është vetë nënë e kupton më mirë domethënien e kësaj fraze. Në vitin 2008, ajo solli në jetë vajzën Honor Marie. “Besnikëria dhe ndershmëria janë bazat mbi të cilat kam mbështetur edukimin e vajzës sime. Vij nga një familje me shumë fëmijë. Kam tre vëllezër dhe një motër, gjithashtu dhe shumë kushërinj. Gjithmonë rrinim bashkë. Në shtëpinë time kishte vetëm zhurmë, që të kërkoje diçka duhej medoemos të bërtisje. Gjithë ditën kërcenim e këndonim. Kështu mendoj se kam njëfarë përvoje. Shpirtin e një familjeje të bashkuar e kam në gjak, pak a shumë si një instinkt nëne. Nuk pretendoj të jem mikja më e mirë e vajzës sime, thjesht dua të jem nëna e saj. Uroj që edhe Marie të flasë me mua për çdo problem të saj. Dua të ndjek shembullin e nënës sime, ashtu siç bënte ajo me mua”, shpjegon aktorja e mrekullueshme, me një bukuri që ra menjëherë në sy, si për pamjen e saj, ashtu edhe për sjelljen. Ajo u bë e famshme në vitin 2000, nga regjisori James Cameron, në serialin televiziv “Dark Angel”. Atë kohë, Jessica Alba nuk u vlerësua vetëm nga publiku, por edhe nga regjisorët: serioze dhe e përkushtuar në punë, gjithashtu shumë e kujdesshme në zgjedhjen e projekteve. Gjithsesi, për ta bërë një ikonë seksi, mjaftuan disa skena të filmit “Sin City”, i regjisorit Robert Rodriguez. Në këtë film, Alba është kërcimtarja që bën për vete Bruce Willis, një prej personazheve më të kërkuar, i cili pranoi ofertën e këtij filmi. Pas shumë filmave aksion, të marrë nga ato vizatimorë, Jessica Alba u përpoq të ndryshonte llojin e filmave: ishte protagoniste në komedinë “Goog luck Chuck”, në horrorin “The Eye” dhe në filmin komik “The Love Guru” me Mike Myers dhe Ben Kingsley. Në këtë periudhë kaq të ngarkuar me impenjime, aktorja gjeti kohën të martohet me Cash Warren, asistent-regjisor, të cilin e njohu gjatë xhirimeve të filmit "Fantastic Four" dhe për të sjellë në jetë Honor Marie. Pas martesës, çifti u transferua në një vilë të madhe në kodrat e Los Anxhelosit. “Në qytet nuk do të heq kurrë dorë nga mënyra e jetesës së ‘gjelbër’”, thotë Jessica, e cila ka lindur në Kaliforni dhe është rritur midis Misisipit e Teksasit, për të ndjekur punën e të atit, një funksionar i aeronautikës ushtarake. “Do të vazhdoj të mbaj kafshë në shtëpi, të mbjell perime dhe të shfrytëzoj energjinë diellore. Jam një ekologjiste e vërtetë. Pasi i hoqa gjirin vajzës, nisa ta ushqeja vetëm me ushqime biologjike”.

Ndoshta të gjithë i habit mënyra e jetesës së Jessica-s, por kjo është pika e saj e fortë. “Përvoja ime në Hollivud më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është ndërtimi i një podiumi të madh fansash që mbushin karriget e kinemasë. Këtë qëllim e kam arritur me disa filma komercialë e të suksesshëm. Tani dua të tregoj edhe shkathtësinë si aktore, kjo për t’i thënë publikut se nuk jam vetëm ajo tip vajze që fiton në filmat vizatimorë. Dua të tregoj në mënyrë bindëse se jam po aq e zonja sa çdo aktore tjetër”, thotë ajo. Nëna e saj është me origjinë daneze e franceze, babai është 100 për qind meksikan. Ajo e konsideron avantazh këtë përzierje shumetnike. “Të lindësh nga një përzierje kulturash të ndihmon të përshtatesh menjëherë në çdo ambient. Nuk jam as hispanike dhe as e bardhë 100 për qind. Jam pak nga njëra e pak nga tjetra dhe për këtë nuk qahem. Kur isha e vogël kam frekuentuar një shkollë dygjuhëshe, angleze dhe spanjolle. Falënderoj prindërit të cilët këmbëngulën në vendimin e tyre, edhe pse e pranoj që kohët e fundit spanjishtja ime lë për të dëshiruar. Në moshën 12-vjeçare, falë aktrimeve në shkollë, u vërtetua se kishte prirje për t’u bërë aktore. “Fati e deshi që t’i bija në sy dikujt dhe më pas fillova të pozoja si modele për katalogët e rrobave për fëmijë. Kam pasur aprovimin e prindërve të mi, pasi gjithmonë më nxisnin të bëhesha aktore. Arrita të fitoja akademinë dhe të kaloja njëri pas tjetrit provimet. Familja ime nuk ishte shumë e pasur, por nuk më ka munguar edukimi. Më pëlqen paga që marr tani”. E në të vërtetë, për Jessica-n, paratë janë shumë të rëndësishme në jetë. “Fakti që e ndërtova shumë shpejt pasurinë më ka bërë të lumtur. Askush nuk më ka ndihmuar, e kam bërë gjithçka me forcën dhe bindjet e mia. Shpesh paraja të ndihmon të bësh gjërat që do më shumë në jetë dhe të jesh i suksesshëm”. Ajo e di që është e bukur dhe këtë e pranon hapur. Nuk gënjen kur thotë se bukuria e ka ndihmuar shumë në rrugën drejt suksesit në Hollivud. “Më ka ndihmuar të njihem, do të gënjeja nëse do të thosha të kundërtën. Gjithsesi, është talenti ai që në fund të ndriçon rrugën dhe të çon përpara”. Megjithatë si një vajzë e rritur me besimin tek vlerat dhe familja, Jessica pranon se nuk do të xhironte kurrë një skenë nudo, pavarësisht se sa do t’i ofrohej. “Nuk do ta bëja kurrë një skenë nudo. Arrij të aktroj në mënyrë seksi dhe të vesh fustane shumë seksi, por nuk arrij të zhvishem. Mbaj mend që gjyshja kur më shihte të veshur vetëm me reçipeta dhe të mbathura më jepte ndonjë peshqir që ta hidhja sipër. Vij nga një familje shumë katolike kështu që nuk do të shihej si një gjë pozitive kjo që mund të bëja”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›