Mashtrimi i rastësishëm
Përse dhe kujt konkretisht i duhet “caktimi i rastësishëm” si një mashtrim? Një greve urie, pjesëmarrja në një festë, në një demonstrim të dhunshëm, në një ndeshje etj.? Mund të jenë të gjitha këto, ashtu siç mund të ndodhë edhe me një eksperiment, studim a një udhëtim turistik. ç’do të thotë “caktim i rastësishëm”? Në grevën e urisë të studentëve shqiptarë (1991) caktimi i grevistëve ishte i rastësishëm. Por e kundërta ndodhi në grevën e urisë të deputetëve socialistë të vitit 2010. Kurse në grevën e minatorëve të Trepçës (1989) në Kosovë caktimi i grevistëve ishte krejt i rastësishëm. Ky rast është mjaft i vlefshëm për social-psikologjinë, pasi aty kemi edhe nivelet e vërteta të baraspeshës. Vullneti i njerëzve për të qenë pjesëmarrës në këto lëvizje sociale është i domosdoshëm, pa të cilin vetë lëvizja do të kthehej në rezultatin zero.
ç’ka të bëjë caktimi i rastësishëm me studimin social-psikologjik? Një klasë shkolle edhe kur nuk është e vetme (si paralele) është një caktim i rastësishëm emrash, po kështu një kurs studentësh, një togë ushtarësh etj. Niveli i baraspeshuar midis inteligjencës, agresivitetit, emocionit, veprimtarisë së ndryshuar, diskutimit dhe përballimit të nevojave jetësore, është i ndryshëm, ashtu siç del në shesh edhe niveli i mashtrimit. Sepse në të gjitha lëvizjet sociale doza e mashtrimit është e pranishme, porse ajo lejohet nga ana etike vetëm në rastet e procedimit politik.
Caktimi i rastësishëm është një baraspeshim i madh. Secili prej nesh mund të jetë kundërshtues kur shikon se përpara atyre që kanë të njëjtin pasion e vullnet për të qenë pjesëtarë në një veprimtari “heroike” krijohet një e çarë e fuqishme, sepse askush nuk e do “caktimin me gisht”, por atë me regjistër, domethënë le të qëllojë kush të mundet, cili ta ketë radhën, sepse e tillë është edhe lëvizja sociale, jo vetëm e rastësishme për shkak të ngjarjeve që nuk ndodhin të organizuara (përveç synimeve të mirëpërcaktuara politike).
Në një grevë urie, “caktimi i rastësishëm” përfshin gjithë faktorët e huaj. Kështu, për njerëzit e çdo grupi, në çdo drejtim të mundshëm: status familjar, zgjuarsi, edukim, agresivitet vetjak, do të nxirrnin mesataren për të njëjtën gjë. Njerëzit shumë të zgjuar, për shembull, kanë mundësi të barabarta për t’u shfaqur në secilin grup. Po ashtu edhe të dhunshmit, për të njohur shkallën e agresivitetit.
Ndërkohë, caktimi i rastësishëm i minatorëve të Trepçës, Mitrovicë, ndaj kushteve të punës, mori menjëherë një karakter të theksuar politik e kombëtar. Në çdo rast të “caktimit të rastësishëm” nuk kemi një “stekë” që t’i thotë pjesëtarit se cila sjellje pritet prej tij, nuk kemi as “pëlqim të informuar” si një parim etik që kërkon se pjesëmarrësi të jetë i aftë të zgjedhë nëse kërkon apo jo bashkëpunim. Një përvojë si greva, për shembull, është e dëmshme, por edhe e këndshme, sepse ka pjesëmarrje totale në një grup të socializuar fort. Vetëm kështu greva e urisë e merr “pëlqimin njohës”, ndonëse e gjitha vepron në “zonën gri”, midis të padëmshmes dhe rrezikut të përhershëm.
Social-psikologët ndërmarrin aventura në “zonën gri etike” kur kanë të bëjnë me mendime dhe emocione të forta. Eliot Aronson dhe Merilin Briver këtë e quajnë “realizëm mondan”. Sjellja në grevën e urisë nuk duhet marrë fjalë për fjalë si e ngjashme me sjelljen e përditshme. Për shumë social-psikologë, ky lloj realizmi është me të vërtetë mondan, jo i rëndësishëm. Por greva e urisë është tejet e rrezikshme, sepse në kushtet e një zbatimi real ajo gëlltit dhe i përfshin pjesëtarët. Detyrimi i njerëzve për të dhënë goditje të forta apo të dobëta mbi një subjekt tjetër politik mund të jetë edhe një shpërthim real i agresivitetit. Sepse është stimuluar në mënyrë praktike e të drejtpërdrejtë një agresion i qartë.
Arritja e realizmit shoqëror (veprimtari e sjellje) kërkon shpesh që njerëzit të mashtrohen me një histori të pranueshme. Dhe greva e urisë e 2010-s e kishte të parashkruar mashtrimin! Nëse krerët e kanë të qartë se si është e vërteta dhe realiteti, atëherë nuk duan që ata ta marrin vesh këtë. Kjo do ta shkatërronte realizmin social. Kështu, një e treta e studimeve social-psikologjike kërkon mashtrim, por jo mashtrim në thonjëza! Në drejtimin e grevës a të demonstrimit, fjalët e organizatorëve, toni i zërit dhe lëvizjet e tyre mund të kërkonin përgjigje të ashpra, duke radikalizuar përherë e më tepër kërkesat. Por jo kurdoherë britma kategorizon të vërtetën. Përkundrazi.
Zakonisht kërkuesve u duhet të ecin mbi trarin e ekuilibrit. Kur beson se je duke dëmtuar dikë, ose kur je objekt i trysnisë së fortë shoqërore për të parë nëse kjo do të ndryshojë opinionin ose sjelljen tuaj, mund të jetë përkohësisht e rëndë dhe plot emocione. Këto ngrenë pyetjen e vjetër, e cila kërkon të dijë nëse qëllimi justifikon mjetin. Mos vallë zbulimet justifikojnë mashtrimin dhe nganjëherë stresimin e njerëzve?
Prandaj pika e parë që u kërkohet drejtuesve dhe organizatorëve të lëvizjeve sociale është se duhet të jenë të sinqertë. Ta përdorin mashtrimin vetëm nëse është i justifikueshëm nga një qëllim i rëndësishëm dhe vetëm kur nuk ka rrugë tjetër. Por, njëkohësisht duhet të mbrojnë njerëzit nga vuajtja dhe stresi i parëndësishëm dhe të mos lënë përhapjen e informacionit që lidhet me individin, duke shpjeguar mënyrën e zhvillimit të grevës apo demonstrimit përfshi këtu edhe mashtrimet. Por, megjithatë, kur grevistët dhe demonstruesit trajtohen me respekt, veç edhe në rastet kur kthehen në klakerë, pak pjesëtarë fyhen nëse mashtrohen.
#