Xhamajka, gjaku që po skuq ishullin e lumtur
Helikopterët e ushtrisë patrullojnë me zhurmë nëpër qiejt e Kingstonit. Zhurma e tyre mbulon edhe atë të shkaktuar nga të shtënat dhe ulërimat që vijnë nga toka dhe Kopshtet e Tivolit. Getoja-bunker e mbretit të trafikantëve digjet nga plumbat e policisë. Nëpër rrugë, të vrarët dhe të vdekurit nuk numërohen. Kasaphana, së cilës të gjithë i druheshin, ndodhi e madje sapo ka filluar dhe askush nuk di të thotë se kurrë do të marrë fund. Shteti i është kundërpërgjigjur me luftë sulmit të narkotrafikantëve, që kishin sulmuar zyrat e policisë. Dhimbja ka shijen e hidhur të dështimit, sepse, ndërkohë, dhe pse ka pasur shumë humbje e tmerr, bosi i madh i drogës ia ka dalë që të ikë pa lënë gjurmë.
Era e nxehtë dhe e padurueshme fryn pa reshtur në gjirin në të cilin fshiheshin piratët, duke shpërndarë në të gjitha zonat përreth tymin që del nga getot e përfshira nga flakët. “Ka kaq shumë magji në Kingston Town”, thuhej në një këngë të 40 viteve më parë, të kënduar nga i famshmi Lord Creator. Njëzet vjet më pas, UB 40 e shndërruan këtë këngë në një sukses botëror. Po ku ka përfunduar sot magjia e Kingstonit?
Tashmë ajo ëndërr e dikurshme, së cilës i këndohej, është shndërruar në një ferr të përfshirë nga flakët. Ditën kur në qytetin më të dhunshëm të Karaibeve u shënua edhe viktima e parë e kësaj lufte civile të beftë dhe të paparalajmëruar, nga Gana mbërriti lajmi që zjarri kishte përfshirë edhe studion në të cilën Rita Marley, bashkëshortja e të famshmit Bob, kishte mbledhur dhe vendosur të gjitha pjesët dhe shiritat e papublikuar të të shoqit. Këtë herë nuk bëhej fjalë për ndonjë ushtrim dhune, por për një qark të shkurtër elektrik që kishte shpërthyer, por që të gjithë e morën si një shenjë të keqe të fatit. Ndërkaq Kingston digjet nga flakët dhe vuan nga tmerri i njerëzve. Ditën e tretë të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga Kryeministri Bruce Golding, kryeqyteti është thuajse i paralizuar dhe i heshtur. Të gjithë duket se janë zhytur në një zi të thellë. Të gjitha zyrat, dyqanet, shkollat janë të mbyllura. Nga mikrofoni i “Radio Power 106”, zëri i shefit të policisë vazhdon të paralajmërojë me zë të lartë: kujdes, rrugët nuk janë të sigurta, mos dilni nga shtëpitë.
Kryeministri vazhdon që të premtojë se situata do të ndreqet dhe se rregulli do të mbretërojë së shpejti, por në zyrat e partisë së tij, Partia Laburiste Xhamajkane, situata është shumë e acaruar dhe vetëm stabilitet që nuk përçon. Por zyrat e partisë janë të vetmet të hapura në lagjen e pasur të Kingstonit, ku gjithçkaje i është vënë kyçi. Ah, në fakt, është hapur edhe një kafene e famshme aty pranë, që ka leje të posaçme nga policia, ku politikanët e inatosur shkojnë të pinë pas debateve. Në të vërtetë, alkooli dhe politika janë të këqijat më të vogla krahasuar me një tjetër binom të frikshëm, që në fakt është edhe shkaktari i kësaj tragjedie të fundit në vend: politika dhe droga. Kryeministri i vendit, Bruce Golding, për nëntë muaj me radhë, u bëri ballë presioneve të vazhdueshme të amerikanëve për të vënë në pranga njeriun që simbolizon trafikun e drogës në vend dhe që njihet me nofkën “Dudus”. Lidhjet e tij të kahershme me “mbretin” e drogës nuk janë të fshehta për askënd në vend. Shërbimet sekrete amerikane, madje kanë arritur që të regjistrojnë edhe biseda telefonike mes Kryeministrit dhe bosit të drogës. E madje gjërat kishin shkuar edhe më tej. Kryeministri kishte ngritur dhe krijuar në Uashington një lob njerëzish që t’i bënin presion drejtësisë amerikane, që të hiqte dorë nga vendimi për të kapur shefin e madh të drogës. “Lëreni të qetë dhe jepini fund historisë së ekstradimit”,thuhet se u ka thënë Kryeministri njerëzve të tij të superpaguar në kryeqytetin amerikan. Ndërsa tani ka nga ata që thonë se Kryeministri i vendit mund të ketë vendosur që ta heqë qafe “mikun” e tij “Dudus”, pasi mendon se është fuqizuar mjaft sa për të ecur me këmbët e tij. Me sa duket ai nuk ka më nevojë për “shërbimet” e të fuqishmit të pluhurit të bardhë për të siguruar bazën elektorale. Tragjedia e Xhamajkës ka vetëm një fajtor dhe ai është korrupsioni. Kryeministri, në fakt, bën akuzat e tij para kombit, ditën e fillimit të tragjedisë, por në këtë mes, askush nuk është i larë. Mes mijëra mbështetësve të lordit të drogës, të cilët po i vënë flakën Kingstonit, ka nëpër të edhe grupe që kanë lidhje me partinë rivale të Kryeministrit, i cili kërkon të marrë pushtetin. është Partia Kombëtare e Popullit, e cila që prej një gjysmë shekulli shkëmben pushtetin nga një zgjedhje në tjetrën me partinë e Kryeministrit. Në këto rrethana kush mund të flasë më për pastërti dhe papërlyeshmëri dhe mbi të gjitha për mospërfshirje të politikës thellësisht me trafikun e drogës? Ndryshe nga sa mund të mendohet nga kartolinat, apo nga reklamat televizive, Xhamajka nuk është vendi i mbretërimit të diellit dhe pushimeve, por një vend me drita dhe hije e errësira të fuqishme, që fsheh shumë llum dhe ndotje. Ajo që po ndodh në kryeqytetin e vendit, ku rebelët e drogës po sfidojnë qeverinë përmes masakrimit të njerëzve të thjeshtë, është një luftë që sapo ka filluar të bëjë viktimat e para dhe numri i tyre do të rritet çdo ditë e më shumë. Sulmet e befta të policisë në të ashtuquajturën“getoja-bunker” ku ndodhen edhe krerët e narkotrafikut i kanë bërë këta të fundit që të veprojnë në mënyrë më të egër dhe më të pamëshirshme ndaj njerëzve të zakonshëm. Madje edhe spitali, që ndodhet në rrugën që lidh Kopshtet e Tivolit me portin, gjithçka i ngjan një kasaphane që sapo ka përfunduar. Rreth 11 komisariate policie janë hedhur në erë. Policia është e bindur se njerëzit e të frikshmit lord të drogës “Dusus” kanë edhe armatim të rëndë, përveç mitralozave dhe snajperëve që kanë përdorur ditët e para të kundër revoltës. Lagjja ku ndodhen njerëzit e fuqishëm të pluhurit të bardhë është një shtet brenda shtetit, i fuqishëm, i pasur, i pamëshirshëm dhe me rregulla tërësisht të vetat, që në momentin që cenohen arrijnë që të krijojnë një kundërpërgjigje, si tragjedia që po përjeton këto ditë kryeqyteti. Jo më kot, shefi i madh i drogës thirret nga njerëzit që i rrinë rrotull me emrin “presidenti”. Perandoria e tij është një perandori miliardash, që sipas një klasifikimi që i është bërë nga qeveria amerikane, ndodhet në listën e dhjetë të ashtuquajturave narko-korporatat më të fuqishme dhe më të mëdha të botës. Dhe e gjithë kjo në kryeqytetin që konsiderohet si një nga parajsat e pushimeve të botës, me një natyrë të mrekullueshme e me njerëz me shpirt të madh. Një nga problemet më të mëdha të vendit aktualisht, veç konfliktit është turizmi. Nëse për shkak të asaj që po ndodh, Xhamajka nuk do të ketë numrin e turistëve që ka çdo vit dhe që përbëjnë një përqindje të lartë të Prodhimit Kombëtar Bruto, atëherë lufta do të fitohet lehtësisht nga grupet e drogës, të cilat, nga ana e tyre, kanë para pa fund nga trafiqet. Turizmi në këtë vend është ndër të paktat burime ekzistence për popullsinë e varfër dhe nëse këtë vit, ai do të goditej, dëmi do të ishte shumë i madh për xhamajkianin e thjeshtë. Kjo do t’i bënte të gjithë të dorëzoheshin. Ndërkohë të gjitha klubet, muzetë dhe vende të tjera, që mbahen në këmbë nga turizmi, kanë mbyllur qepenat deri në një periudhë ende të papërcaktuar. Ky është një dëm shumë i madh që rritet dita-ditës Edhe njeriu që kujdeset për shtëpinë muze të Bob Marleyt flet i dëshpëruar për situatën, e cila, me siguri, sipas tij, do t’i trembë turistët dhe do ta ulë ndjeshëm numrin e tyre e si pasojë numrin e fitimeve vjetore për të gjithë ata që e mbajnë frymën vetëm nga turizmi. Xhamajka e dikurshme e Bob Marleyt dhe botës së tij plot fantazi dhe pak drogë nuk ekziston më. Madje prej shumë kohësh. Edhe ajo trashëgimi muzikore që mezi po e ruajnë po shkërmoqet pak nga pak. Pranë stadiumit të famshëm ku Bob organizonte koncertet e tij dhe bëri mrekullinë me “One Love Peace Concert” pas të cilit u vendos një armëpushim mes shumë bandave rivale xhamajkiane, situata sot është e nderë dhe e frikshme. Katër shekuj më parë ishulli ishte pronë e piratëve, ndërsa sot ndodhet në duart e trafikantëve të drogës që janë po aq të pamëshirshëm dhe gjakatarë. Por për t’u çliruar nga synimi i piratëve ky ishull duhet që të kalonte përmes një tragjedie që do të mbahet mend gjatë. Ishte një tërmet shkatërrimtar ku deti dhe toka “gëlltitën” Port Royal, qytetin-kështjellë të piratëve. Ishte viti 1692. Po sot, edhe për sa kohë ende duhet që të vuajë Kingstoni që të çlirohet nga pitarët e kokainës dhe varfërisë?
#