E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta e fshehtë e presidentëveNga Timothy Egan, “New York Times”Ata i shikojmë më shumë se një pjesë të anëtarëve të familjeve tona. E dimë ç’lloj qeni pëlqejnë dhe çfarë birre pinë. Të panjohurit na sjellin detajet më intime nga jeta e tyre për ekzam

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Jeta e fshehtë e presidentëveNga Timothy Egan, “New York Times”

Ata i shikojmë më shumë se një pjesë të anëtarëve të familjeve tona. E dimë ç’lloj qeni pëlqejnë dhe çfarë birre pinë. Të panjohurit na sjellin detajet më intime nga jeta e tyre për ekzaminim të hollësishëm, ndërsa njerëzit e afërt të tyre na japin detaje më të çuditshme. Megjithatë, pavarësisht perceptimit që amerikanët janë shumë të afërt me presidentët e tyre, realisht ne nuk i njohim ata, siç e bën të qartë një rrëfim i fundit. Presidentët janë të veshur me një mburojë të trashë artifice.

George W. Bush, që ia arriti t’i bënte amerikanët ta shikojnë atë si një kristian të mirë të udhëhequr nga parimet e Biblës, kishte një pikë të dobët për martesat homoseksuale dhe nuk i besonte fjalimet e tij mbi këtë temë. Kjo, sipas ish-fjalimshkruesit, Matt Latimer.

Bill Clinton, mjeshtëri i shumë preokupimeve që nuk dukej se lodhej, pavarësisht shqetësimeve të vetë-shkaktuara, faktikisht ishte shumë i brishtë pak para çështjes Monica Lewinsky. “U çmenda”, - tha ai, në kujtimet e kronikanit të zgjedhur, Taylor Branch. “Thjesht u çmenda.”

Ndërsa Richard Nixon, ana e errët e të cilit është zbuluar në copa përgjimesh gjatë 35 viteve të fundit, shfaqet më cinik dhe jo-tolerant seç e njihnim ne, në fragmentet e publikuara gjatë verës.

Kësi zbulimesh natyrisht dalin, pasi kufoma është mbuluar. Por ato mund të vlejnë për përdredhje mahnitëse të historisë: Imagjinoni sa ndryshe do të ishin gjërat, sikur këta presidentë të kishin artikuluar ndjenjat e tyre të vërteta në atë kohë.

Fillojmë me Nixon-in, i cili shfaq mendimet e tij të vërteta për abortin në publikimet e fundit.

Ja deklarata e tij, publikuar nga Shtëpia e Bardhë më 1971: “Nga pikëpamja religjioze dhe personale, abortin e konsideroj formë të papranueshme të kontrollit të popullsisë.” Por, në fakt, ai ishte i gatshëm të bënte një përjashtim kundër bindjeve fetare dhe personale të tij. Vrasja e një fetusi ishte në rregull, tha ai në regjistrimet e fshehta në Zyrën Ovale në 1973, për një foshnjë të një çifti me racë të përzier. “Ka raste, kur aborti është i domosdoshëm. E di”, - tha Nixon. “Ku çifti është një i zi dhe një i bardhë ose në rast përdhunimi.”

Nëse pikëpamja e tij për “kontroll të popullsisë do të njihej - dhe zbatohej gjerësisht - njeriu më i famshëm në botë me racë të përzier, Barack Obama, mund të mos kishte lindur kurrë. Por le t’i shikojmë këto deklarata në dritë pozitive: njerëzit e racave të përziera nuk janë më përjashtim në shoqëri, siç ishin, për presona të caktuar, në kohën e Nixon-it.

Bill Clinton shfaqet në librin e sapobotuar të Branch-it, “Regjistrimet Clinton”, shumë i ndryshëm nga personi që ne njohim. Aty ai është i etur për vëmendje, acarues, brilant, me ato orekset e tepruara. Nuk habit fakti pse ai është i saktë në pohimin pse Al Gore humbi zgjedhjet e vitit 2000: nuk bëri fushatë i mbështetur te prosperiteti i Clinton-it.

Por çfarë do të kishte ndodhur, nëse Clinton do ta kishte thënë publikisht këtë, siç ia tha Branch-it. Ka shumë mundësi që Gore do të ishte detyruar ta përdorte dhe do të kishte patur nevojë vetëm për një grusht votash të fitonte në zgjedhjet e vitit 2000.

A do t’i kishte shërbyer sinqeriteti më herët një tjetër presidenti në nevojë? Kur Lyndon Johnson firmosi Aktin e të Drejtave Qytetare në 1964, ai tha: “Qëllimi i tij nuk është të përçajë, por t’u japë fund ndarjeve.” Ai e njihte të kundërtën. Dhe në deklaratën e tij më parashikuese i tha një ndihmësi: “E humbën jugun për një gjeneratë.”

Nëse Johnson-i do ta kishte thënë këtë, do të kishte vendosur një kufi për racistët në Partinë Republikane që fatkeqësisht i vërtetuan fjalët e tij.

Zhurma e fillimit pas librit të Matt Latimer për George W. Bush “Pa fjalë: Rrëfimet e një të mbijetuari në Shtëpinë e Bardhë”, u fokusua në pohimet e presidentit për Sara Palin (“e papërgatitur hiç” për post të lartë) dhe komentet e tij për vithet e Hillary Clinton-it. Por libri vlen më shumë se për thashethemet. Shikoni deklaratat e tij private dhe publike në mes të rënies ekonomike globale, gjatë ditëve të fundit të pushtetit të tij. Ndërsa propozoi paketa mbrojtëse financiare dhe përdori fjalë të zgjedhura për të zbutur panikun, Bushi nuk e kishte idenë se çfarë po bënte. Në librin e Latimer ai shfaqet si një kalimtar rasti i humbur. Shkruesi i fjalimeve të tij e citon: “Përse e firmosa këtë propozim, nëse nuk e kuptoj se çfarë është?”

Dhe së fundi, Bushi në luftërat kulturore, një arsye e rëndësishme përse ai ia arriti të fitonte dy mandate.

Në publik, Bushi kishte këtë qëndrim për martesat e të njëjtit seks: “Unë mendoj se martesa është lidhje mes një burri dhe një gruaje, dhe mendoj se duhet ta kodifikojmë këtë në njëfarë mënyre.”

Megjithatë, ai ndoshta nuk e thoshte këtë me gjithë zemër. Latimer na thotë se Bushi refuzoi të mbante një fjalim për vlerat e familjes me ngacmime kundër martesave gei, duke thënë: “Nuk shkoj t’i them ndonjë fëmije në audiencë që ai nuk mund të martohet.”

Por ai nuk na tha as neve se çfarë ndiente realisht. Ajo që na mbetet ne, siç ndodh me shumicën e figurave publike, është maskimi i mrekullueshëm dhe ndjenja: ah, sikur!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›