E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-LDK, rivaliteti që po ringjalletNga Armand Shkullaku, ExpressPamja triumfaliste e dyshes Haradinaj-Shala dhe buzëqeshja e Astrit Salihut janë dekori i ri i kryeqytetit të Kosovës. Të vendosur në postera gjigantë karshi njëri-tjetrit, ata po lajmë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PDK-LDK, rivaliteti që po ringjalletNga Armand Shkullaku, Express

Pamja triumfaliste e dyshes Haradinaj-Shala dhe buzëqeshja e Astrit Salihut janë dekori i ri i kryeqytetit të Kosovës. Të vendosur në postera gjigantë karshi njëri-tjetrit, ata po lajmërojnë se fushata elektorale për zgjedhjet lokale de facto ka filluar. Përplasja mes PDK dhe AAK është ngjarja më e pritur dhe beteja më e ashpër e kësaj fushate. Por ajo nuk përbën diçka të re. Rivaliteti mes këtyre dy partive është tashmë i afishuar qartë, ashtu si në posterat që po pushtojnë Prishtinën.

E reja që mund të prodhojnë këto zgjedhje është rivaliteti mes PDK dhe LDK. I ndrydhur për dy vjet, por asnjëherë i asgjësuar, ai ka filluar të ndihet me afrimin e fushatës elektorale. Ai po shihet në Prishtinë, ku kandidati i PDK e ka nisur spotin e tij elektoral duke ironizuar Isa Mustafën e LDK. “Njeriu i mirë” i LDK po kundërpërgjigjet indirekt, në krah të presidentit Sejdiu, duke garuar me kryeministrin Thaçi në prerjen e shiritave të kuq. Të ndrydhura në një bashkëjetesë jo zemre, por llogarie, PDK dhe LDK po japin shenjat e para se koalicioni i tyre qeveritar mund të vihet në pikëpyetje pas zgjedhjeve lokale. Rivaliteti i fashitur në qeverisjen qendrore do të vijë duke u ashpërsuar në bazë gjatë përplasjeve për ta fituar qeverisjen vendore. Lëkundjet periferike do të përcillen në epiqendrën e pushtetit dhe nuk është çudi që armiqësitë e vjetra të ringjallen në një masë kritike.

Dy partitë më të mëdha të Kosovës e kishin një mundësi për ta shmangur këtë situatë, që do të vijë duke u tensionuar me afrimin e datës së zgjedhjeve. Ato duhej të kishin dalë së bashku si koalicion edhe në zgjedhjet vendore, duke i ndarë komunat me arsye dhe llogari politike. Një përplasje në tryezë është gjithnjë më e lehtë dhe më pak e zhurmshme se një përplasje në terren. Mirëpo, marrëveshje parazgjedhore nuk pati. LDK, e joshur gjithnjë nga madhështia e dikurshme, vendosi ta provojë veten. E tunduar nga ideja se, nëse arrin një fitore në zgjedhjet lokale, ajo mund ta forcojë pozicionin e saj në qeverinë Thaçi, e nëse nuk fiton, i ruan pozitat që ka, partia e Sejdiut zgjodhi të dalë e vetme përpara votuesve. Nga ana tjetër, PDK, me euforinë e partisë më të madhe në vend, nuk pati hezitime për të konkurruar më vete. Për më tepër që Hashim Thaçi kërkon ta fitojë me çdo kusht sfidën e vështirë të Prishtinës dhe ta shtrijë kontrollin e tij edhe në ato komuna që nuk i fitoi dot në 2007. Me pak fjalë pra, PDK dhe LDK nuk e shmangën konkurrimin mes tyre dhe tashmë do të përballen në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit.

Po pse kjo përballje lokale mund ta rrezikojë koalicionin qeveritar? A mjafton një tensionim elektoral për ta minuar një aleancë dyvjeçare? Në një situatë tjetër ndoshta jo, por aktualisht në Kosovë do të ketë ndikim. Tensionimi i fushatës, akuzat e paevitueshme, rivaliteti historik, inatet personale dhe shumë elementë të tjerë pa dyshim do ta ngarkojnë së tepërmi marrëdhënien e stisur PDK-LDK. Do të mjaftojë një shkëndijë apo një deklaratë e dalë jashtë kontrollit për të ndezur incidente elektorale mes dy partive. Po t’u shtohen këtyre edhe akuzat e pritshme për vjedhje votash, manipulime, presione, që mund të vijnë nga çdo kandidat e komunë e Kosovës, klima e mosbesimit do ta gërryejë atë të bashkëpunimit.

Duke patur parasysh farën e brishtë me të cilën është ngjizur dyshja PDK-LDK, por edhe gjendjen e vështirë brenda vetë LDK, çdo rezultat i këtyre zgjedhjeve do ta vinte në pikëpyetje të ardhmen e përbashkët politike. Një fitore e mundshme e LDK, pra nëse ajo e shton përqindjen e saj si parti, do t’i forconte zërat e atyre që kërkojnë daljen nga tutela e Thaçit dhe do të përbënin shqetësim për kryeministrin. Një rritje e presionit të LDK dhe një mostërheqje e Thaçit do të krijonte të çara në qeveri, të cilat ndonjë forcë tjetër politike do t’i mbushte me kënaqësi. Por, edhe një humbje e LDK nuk është pa pasoja. Të njëjtët zëra brenda saj mund të kërkojnë dorëheqjen e lidershipit dhe ta fusin LDK në krizë. Kjo krizë sigurisht do të reflektohet edhe në qeverisje dhe mund t’i shkaktojë jo pak kokëçarje Hashim Thaçit. Fatmir Sejdiu mund ta humbasë përkrahjen në parti dhe një ndarje e LDK do të sillte edhe ndryshim të numrave në parlament. Koalicioni përsëri do të vihej në dyshim dhe aleanca të reja do të shfaqeshin në horizont.

Një pakt parazgjedhor do t’i kishte evituar situatat e tilla. PDK dhe LDK do të kishin hyrë me pozicione të qarta në zgjedhje duke mbështetur të detyruara njëra-tjetrën. Dhe, në zgjedhjet e përgjithshme, dy vjet më pas, do t’i kishin të gjitha mundësitë për ta provuar veten. Kjo nuk ndodhi dhe tani mbetet vetëm për të parë se si Thaçi e Sejdiu do ta menaxhojnë rivalitetin tashmë të ndezur mes dy partive të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›