Kuzhe “zbor” kuqezi para Suedisë
Do të jetë një kombëtare e mirëpërgatitur ajo që do të zbresë në fushën e lojës më 14 tetor në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Suedisë. Trajneri Josip Kuzhe ka publikuar dje edhe programin e plotë të ekipit që ai drejtoi prej grumbullimit, i cili këtë herë do të bëhet në Gjermani dhe deri tek ndeshja ndaj Suedisë së Ibrahimoviçit. Kombëtarja do të grumbullohet më 6 tetor në hotel “Residenz Limburgerhof” në Frankfurt, ku natyrisht të parët që priten do të jenë legjionarët e kampionatit gjerman, Jahmir Hyka, Besart Berisha dhe Edmond Kapllani. Më pas prej datës 7 dhe deri një ditë para ndeshjes Kuzhe ka vendosur të bëjë të paktën nga një seancë stërvitore në ditë, madje në dy raste, më datë 7 dhe 8 nga dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite. Është programuar që teksa skuadrat e tjera të grupit ndeshen me njëra-tjetrën, kombëtarja jonë më datë 10 do të luajë një miqësore me ekipin e Grojther Furth, skuadër e cila militon në Bundesligën e dytë gjermane. Ndërsa nisja drejt Suedisë do të bëhet vetëm një ditë para ndeshjes, më 13 tetor. Po atë ditë Kombëtarja do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja, “Rasunda Stadium”, ora 20:00. Takimi Suedi-Shqipëri do të luhet më 14 tetor ora 20:45 dhe do të drejtohet nga një treshe ruse me në krye Valentin Ivanov.