E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me granatë në mes të Ksamilit pronares së lokalit

 

KSAMIL/ SHPRESA DINE

Një ngjarje e rëndë tronditi në orët e para të mëngjesit të djeshëm qytezën e Ksamilit. Pronarja e një lokali u plagos rëndë, pasi u sulmua me dy granata nga një person që njihet me probleme mendore. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, në qendër të Ksamilit, kur 66–vjeçari Enver Myrto tentoi të vrasë me granatë Liljana Barjamin. Gruaja 58 vjeçe, pronare e një subjekti Hotel-Bar–Restorant që ndodhet në hyrje të qytezës së Ksamilit, ishte duke shkuar si çdo ditë në lokalin e saj për të shërbyer për kafen e mëngjesit. Por rreth 50 metra larg lokalit, asaj i shpërtheu tek këmbët një granatë që dikush ia hodhi pak metra më larg. Më pas, një tjetër lëndë shpërthyese iu hodh, por nuk arriti të shpërthejë. Si pasojë e shpërthimit të njërës granatë, 58-vjeçarja mori plagë të rënda jo vetëm në pjesët e këmbëve, por në të gjithë trupin. Ajo nuk mundi të lëvizë nga vendi, por arriti të kërkojë ndihmë, duke thirrur për ndihmë me aq sa fuqi kishte “më vrau, më vrau”. Banorët e lagjes të tmerruar nga shpërthimi sa ende nuk kishte zbardhur dita mirë janë zgjuar për të parë çfarë po ndodhte. Djali i Liljanës, Arkadi, që flinte në hotelin e tij me të dëgjuar britmën, doli menjëherë jashtë dhe gjeti të ëmën të plagosur rëndë e të mbuluar me gjak. Ai dalloi pak metra më tej të lëvizë nga një vend i fshehur një person, të cilin arriti ta identifikojë për vetë cilësitë trupore, që ai kishte pasi ecte duke u mbajtur me një bastun. Autori njihej në qytet si person me probleme të shëndetit mendor. Djali e nisi menjëherë të ëmën drejt spitalit të Sarandës, ku mori edhe ndihmën mjekësore në repartin e kirurgjisë. Edhe pse e plagosur keqas dhe në kushtet e një tronditjeje të rëndë nga hedhja e granatës në mënyrë të papritur, 58-vjeçarja u shpreh për grupin e hetimit se: “Duke qenë akoma errësirë nuk e dallova se kush ishte, madje edhe se nga më erdhi zëri, por dëgjova që tha se ju kam të gjithëve inat. Më tha djali më pas se kush ishte. Ai shpesh na shante në rrugë pa asnjë arsye. Nuk e mendoja kurrë që të vepronte kështu. S’kemi pasur ndonjë konflikt me të”. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, të cilët arrestuan me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, 66-vjeçarin, Enver Myrto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›