E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, falimentojnë 105 biznese, dalin të papunë 1 mijë persona

 

BERAT - Kriza ekonomike godet edhe Beratin, duke shpallur në faliment 105 biznese të ndryshme, të vogla e të mëdha. Për pasojë, listës së të papunëve në Berat iu shtuan edhe 1000 persona, të cilët ishin punonjës të këtyre bizneseve që mbyllën aktivitetin. Burime nga Bashkia e Beratit bënë të ditur se numri real i të papunëve në qytet është 3-4 fish më i lartë nga numri zyrtar që është deklaruar nga zyra e punës. Kjo për shkak se kjo zyrë disponon vetëm numrin e atyre personave të regjistruar për punë dhe atyre që marrin përkrahje sociale. Të njëjtat burime bënë të ditur se shifrat bëjnë fjalë për 4,115 familje që nuk kanë asnjë familjar të punësuar. Gati të gjitha moshat e afta për punë, ku dominojnë më shumë të rinjtë, edhe pse mbarojnë studimet e larta nuk kanë ku të punojnë. Drejtuesit e bashkisë bëjnë përgjegjës për shtimin e numrit të papunësisë në Berat qeverinë, e cila sipas tyre nuk ka hartuar prej më shumë se 15 vitesh asnjë strategji për zbutjen e fenomenit të papunësisë. Sipas tyre, ky fenomen është shtuar ndërsa janë mbushur me lista dyqanet ushqimore të qytetit. Prej vitit 2000, në zyrën e punës, me shpresën për t’u punësuar, janë regjistruar rreth 12 mijë të papunë. Ata duke parë se askush nuk i gjente një punë në sektorët privatë apo shtetërorë nuk e kanë marrë më mundimin të riregjistrohen në vitet në vijim, por sipas burimeve, ky numër vetëm sa është shtuar dhe jo pakësuar, siç pohohet në shifrat zyrtare. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se gjendja vazhdon të mbetet shqetësuese, pasi nuk ka ende një plan strategjie për hapjen e vendeve të reja të punës.                                  d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›