E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta po humbet vlerën në vend, tre viktima vetëm mëngjesin e sotëm

Autorët e vrasjes së rëndë të një gruaje pranë Fushës së Aviacionit janë të lirë. Mbrëmë u shënua një përplasje me armë në zonën e Institutit, në Kamëz. Kurse sot në mëngjes, Shqipërisë i mungojnë edhe tre banorë. Jeta në vend po humbet vlerën, kurse pasiguria është shtuar ndjeshëm.

Lezhë: Ka ndërruar jetë Arianit Rama, i plagosuri i burgut të Shën Kollit. Rama u godit në dhomat e ajrimit nga Kastriot Aramani. Policia ka pohuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që të dënuarit kanë pasur me njëri- tjetrin. Viktima vuante dënimin për vjedhje që më 18 prill. 18- vjeçari është qëlluar me mjete të forta dhe ndërroi jetë pasi u dërgua në Spitalin Ushtarak.

Bulqizë: Minatori Gani Doçi ka ndërruar jetë teksa po transportohej për në spitalin e Bulqizës. Ngjarja është shënuar mëngjesin e së premtes, ku shtetasi Gani Doçi, 61 vjeç ka mbetur i plagosur, kur disa gurë janë shembur brenda galerisë në Martanesh. Mjekët thonë se Gani Doçi kishte mbërritur në spital me fraktura të rënda në këmbë, krahë dhe në shtyllën kurrizore. Doçi është nxjerrë nga galeria në gjendje të rëndë dhe është dërguar në spitalin e Martaneshit, më pas ka ndërruar jetë teksa po transportohej për në spitalin e Bulqizës.

Mat: Konflikti për motive pronësie ka shënuar viktimën e radhës. Krimi është shënuar pas mesnatës së të enjtes, në fshatin Xibër Hane, komuna Xibër e Matit, kur 32 vjeçari Medi Tahiri qëlloi me armë zjarri komshiun 70 vjeçar, Liman Diku. Sipas policisë, vrasja është kryer me çifte dhe ka për motiv një konflikt të hershëm midis shtetasve. Medi Tahiri është vendosur në pranga.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›