E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta si dhuratë dhe tjetërsim



Ali ALIU
Romani i Kazuo Ishiguro-s “Mos më lër të shkoj” (55), autor me origjinë japoneze e banim në Londër, është vepër që, pasi t’i delësh në fund, ndjen nevojë të fuqishme për ta rilexuar nga e para. Dy janë ngasjet vendimtare: e para, se kur i del në fund rrëfimit, të bëhet më i qartë fillimi, përkatësisht je fare i sigurt se do ta përjetosh ndryshe atë; e dyta, për bukurinë e rrallë të rrëfimit. Gjithsesi, fjala është për një fenomen që nuk i ndodh shpesh lexuesit. Ngjashëm me këtë rast – pata shënuar në margjina romanin “Verbëri” të nobelistit portugez Saramago. Si njëri e si tjetri kanë ndier gjenialisht shqetësime universale për mbarë hapësirën e kohën njerëzore. Edhe rrëfimi i te “Verbëri”, edhe ai te “Mos më lër të shkoj” rrezaton si një metaforë planetare, një ndjenjë pasigurie e përbashkët e botës për të nesërmen, sidomos rrezikun që bart babëzia dhe dehja në krahët e shpikjeve moderne… Përballë kësaj përditshmërie galopante, Saramago thekson se bota, sado me sytë në ballë, megjithatë mbetet e verbër që e verbër, ndërsa Kazuo e ndjen se, po kjo botë, mbetet e ndarë mes atyre që dhurojnë (të mira e ëndrra) dhe atyre që gëzojnë dhurata. Në romanin e të parit njerëzit e verbër, kur ndërgjegjësohen – nëse ndërgjegjësohen ndonjëherë, ndjenja më e fuqishme (mbase e vetmja e para e tyre) është nevoja për të prekur nga afër praninë e tjetrit, mbështetjen e tij, tjetërsimi nga i cili thellohet së bashku me pushtimin shkencor të së panjohurës, së gjithësisë. Rrëfimi i romanit “ Mos më lër të shkoj” i shkrimtarit Kazuo Ishiguro , mund të përfshihet edhe brenda një fjalie të vetme: njerëzit , në sajë të shkencës çudibërëse, do të kultivojnë njerëz tjerë për t’ua marrë organet e shëndoshë të trupit të tyre në zëvendësim për të sëmurat. Këta pra janë “dhuruesit fatlumë”, të cilët i dhurojnë veshka, zemra, mëlçi botës normale, që ajo të jetë sa më e pabrenga dhe e lumtur. E pret vërtet njerëzimin një e nesërme e tillë? Do të mbjellë në epruveta njerëz që nuk dinë nga vijnë, ku janë, pse janë, njerëz që do të dinë aq sa kemi vendosur ne të dinë? Një e nesërme ku do të ketë vetëm Dhurues e përfitues të dhuratave?.. Sikur të mos ndjeheshin ashtu në ajër shenjat drejt një bote të tillë, e që mund t’i kapë intuita e shkrimtarit vizionar, mbase as nuk do të artikulohej një fabul e tillë romanore, përkatësisht nuk do të pëlqehej e përthithej nga lexuesi që, duke mos e pasur të qartë praninë e kësaj prirjeje përreth, të një si mosbesim e frikë të mjegullt, i qartësohet ajo parandjenjë. Arti përgjithësisht, që nga fillimet, qëndron mbi themelet e vetidentifikimit të lexuesit.
* * *
Rrëfimi romanor i Kazuo-s shtrihet e pushton si një aromë a muzikë që është e s’është e pranishme. Ai ka një butësi, qetësi të brendshme e lirizëm narrativ të papërsëritshëm. Duke të futur në ambientin e një bote të kapshme e të pakapshme njëherësh, përkatësisht në një botë skajshmërisht të tjetërsuar deri në shkallë përbindshmërie, zëri më poetik që kam lexuar nuk ankohet, nuk tregon me gisht dhe nuk akuzon askënd drejtpërdrejt, as edhe si ironi s’e bën këtë: thjesht vetëm e rrëfen, e shpalos botën tonë dhe atë të dhuruesve përmes gojës së njërit prej tyre, Ketit të moshës tridhjetëvjeçare, kufiri i të cilëve është dyzetvjetshi, por që nuk e arrijnë dot shumica, duke mos e përballuar dhurimin e tretë, e sidomos të mëtejshëm. Shumica përfundojnë pas dhuratës së dytë...
Keti, personazh dhe narrator, rrëfen vitet e kaluara në një qendër-rezervat, një si biçim shkolle e konvikti, historinë kryesisht të gjeneratës së vet. Nën kujdesin e pedagogëve, duke u rritur, e zbulojnë shkallë-shkallë misionin për të cilin janë sjellë në këtë botë – atë të dhuruesve. Krijuesi, laboratori i tij, mendja krijuese e botës sonë të përçudnuar ndërsa, nuk ka mundur t’i sajojë, t’i ngjizë ata pa ëndrra, pa aftësinë për të ëndërruar. Kjo dhunti u lind që me hapat e parë. Krejt çfarë do të mbërrijnë, është përfundimi nëpër spitale të specializuara, ku shtrohen dhe presin radhën për të dhuruar deri në shuarje.
Ëndrrat e Dhuruesve e bëjnë në shkallë të magjishme poetik rrëfimin romanor: ata e imagjinojnë veten misionarë të rëndësishëm në punët e botës, si krijues të mëdhenj drejt përsosmërisë së kësaj bote, të këtij njeriu, por njëherësh të pikëlluar tragjikisht – i nënshtrohen bindshëm misionit të paracaktuar, të prerë nga kjo botë... Disa nga ata, si puna e Ketit, me grupin e vet më të ngushtë, ëndrrat dhe kërshërinë i kanë më të përsosura, më depërtuese, më qiellore se realiteti. Metafora romanore e Kazuo-s kështu sikur e ka brenda edhe këtë vizion: mendja jonë, një ditë, mbase do të synojë vetëm përsosjen e botës, jo zhbërjen. Në mesin e pedagogëve të këtyre nxënësve dhurues, lexuesi do vërejë ndonjë që vuan bashkë me ta, përkatësisht që përpiqet, gjatë bisedave, t’i ndërgjegjësojë për fatin e tyre, t’i orientojë drejt zotërimit të mundësive, të ëndrrave e vizioneve të veta, përkatësisht drejt marrjes së fatit të botës, drejt përsosmërisë së saj, me që nxënësit dhurues po shfaqnin shenja superioriteti ndaj kultivuesve të tyre: “Është tjetër gjë të krijosh nxënës si ju për dhurime. Por një gjeneratë me fëmijë, të krijuar për të zënë vend në shoqëri? Fëmijë që demonstrojnë dukshëm se janë më superiorë se ne të gjithë? Oh, jo. Kjo i trembi njerëzit. Ata u tmerruan nga kjo gjë”, u sqaron nxënësve-dhurues, të dëshpëruar deri në pikëllim të plotë kur vetëdijesohen për misionin e vet, njëri nga pedagogët.
* * *
Të shkojë njerëzimi drejt thellimit të tjetërsimit, do të kthehet vallë shkenca në minë që i shpërthen në dorë botës? Ka vërtet shenja të kësaj prirjeje? Shkrimtarë si Kazuo japin alarm. Po kush e dëgjon këtë zë romanor? Njëri nga Dhuruesit, në fund, kërkon të dijë dhe i drejtohet kujdestares: “ Ju pra, Zonjë, po na thoni që të gjithë gjërat që bëmë, leksionet, të gjitha ishin për këto arsye që sapo na i përmendët? Nuk ka asgjë më shumë se kaq?” Dhe sqarimi i saj: “Ju duhet ta pranoni që disa herë kështu shkojnë gjërat në këtë botë. Opinionet e njerëzve, ndjenjat e tyre, shkojnë njëherë në një drejtim, e pastaj në tjetrin. Ndodhi që ju u rritët në një pikë të caktuar të proçesit.”
Se në ç’drejtim po shkon ajo në fillim të këtij shekulli, është shqetësimi i parë i madh që rrezaton nga rrëfimi i romanit “Mos më lër të shkoj”.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›