Në linjat e padukshme të ndërgjegjes
Astrit LULUSHI
“Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” (Toena, 2009), libri i shkrimtarit Robert Martiko është një roman-satirë, orvellian, dantesk,; një udhëtim, prej 250 faqesh, që e tërheq lexuesin në skutat më të thella, më intimet, më të fshehtat e shpirtit të atyre që zvetënuan artin e vet, për hir të më së keqes. Të shtypur, por për një status pak më të lartë brenda së njejtës kastë, ata ia shitën diktaturës shpirtin e talentin e tyre, “për t’i dërguar të gjithë në ferr”.
Duke kaluar në këtë labirinth, lexuesi nuk ka si të mos ndjejë jehonën e pyetjes shumëzërash, por të mprehtë: Pse? Janë këto zëra që në kor luten, kërkojnë përgjigje të ftohtë, të qetë, thjesht të vërtetën, e vazhdojnë të presin. Por më kot, sepse “pas një cikloni të verbër baballarësh e gjyshërish të dështuar”, dhe nga që arrijnë të ndryshojnë me kohë, atyre ende u besojnë jo vetëm në tribu, por edhe në botë, megjithëse e ndjejnë vehten “të përngjashëm me një guaskë bosh e të braktisur në breg, me parete të tretura e të çngjyrosura”.
Temën e romanit, Martiko e vendos në fillimet e realizmit socialist, kur të rinj besnikë nga vendet komuniste dërgoheshin në Moskë për ta shkrirë në një talentin e shkrimtarit me atë të propagandistit: “Qenë kohë me të vërtetë të trazuara, të mrekullueshme ditët e mia si propagandist. Dhe kjo për arsye se njerëzit i kullufisnin si të vërteta të gjitha thëniet tona”, tregon personazhi i Martikos: “Aq shumë arrita të përparoj si gazetar, shkrimtar e poet sa, padashur, qeshë shndërruar në një lloj Gebelsi të kuq.”
Ky është, pak a shumë, udhëtimi në linjat e padukshme të ndërgjegjes së një shkrimtari të suksesshëm të kohës së diktaturës, që simbolizon të suksesshmit e asaj periudhe, i cili reflekton në kohën tonë. Martiko e shoqëron lexuesin në këto shtigje dhe ky nuk mbetet i zhgënjyer. Personazhet që autori mjeshtërisht ndërton, u ngjajnë atyre aktualë, por që shumëkush nuk i dallon, pasi i sheh përditë; disa janë nga ata që ende nuk duan ta kuptojnë krimin si përdhosës të artit dje, “në provat e para të fillimit të humbjes së kthjelltësisë së mendimit”; dhe ndonjë tjetër që, kur kujton të dikurshmen, mendon se ”është më mirë të heshtë, sesa ta marrin vesh se çfarë përbindshash të shpërfytyruar kemi qenë. Dikur…”
Eshtë për t’u habitur, shprehet Robert Martiko në pasthënien e librit, se si një vend i vuajtur e i stërmunduar si Shqipëria, nuk kujdeset për të vendosur në piedestalin më të lartë heronjtë e saj të jashtëzakonshëm, të cilët nuk u dorëzuan kurrë para hetuesive të Sigurimit, por merret me ca tipa me karakter të vajtueshëm, të cilët vetëm dëm mund t’i sjellin brezit të ri si modele njerëzore.
15 Qershor 2009