“Jetë e humbun” kujtimet e një të dënuari me vdekje nga diktatura
Libri: Jetë e humbun
Autori: Ejëll Çoba
Gjinia: Kujtime autobiografike
Autori i këtyre kujtimeve, Ejëll Çoba (1908-1979), u lind dhe u edukua në gjirin e një familjeje të njohur, të fisme dhe patriote të qytetit të Shkodrës. Pas mësimeve fillore në vendlindje vijoi për 13 vjet rresht jashtë shtetit, në Itali, formimin dhe arsimimin e mëtejshëm, të cilin e kurorëzoi shkëlqyeshëm me certifikimin Dottore in Giurisprudenca pranë Universitetit prestigjioz “La Sapienca” të Romës (1932). Më pas, i kthyer në atdhe, ndoqi karrierën profesionale dhe politike, duke demonstruar një karakter të fortë prej njeriu ithtar të ligjit dhe të së drejtës, të pakomprometueshëm dhe të pakorruptueshëm, shpërfaqi dhe zhvilloi më tej aftësitë, prirjet dhe kapacitetin e tij të rrallë. Për këto u vlerësua dhe u çmua në ato kohë nga aktorët më të rëndësishëm të jetës politike dhe shoqërore të vendit; i ofruan dhe i besuan detyra e poste mjaft të rëndësishme. Me të gjitha rrethanat dhe cilësitë që e përcaktonin, si: prejardhja, rrethi familjar dhe shoqëror, edukimi dhe kultura e gjerë, karakteri dhe vullneti i pathyeshëm, aftësia komunikuese, gjykuese, bindëse dhe menaxhuese, vizioni i qartë progresist dhe atdhetar, po ravijëzonte përmasat e njëmendta të një lideri. Por ja, mbërriti komunizmi, rendi që i refuzonte, madje që i urrente njerëzit e këtij formati. Rendi që preferonte dhe shpallte si modele disa kallëpe të quajtur “kuadro”, pjesërisht analfabetë a pjesërisht të shkolluar, si toger Progri, toger Agoviku, kapiten Muçoja, kolonel Siriu (Çarçani), prokuror Hakani etj.. apo disa qenie të tjera, si të thuash me “më pak qeliza”, si rojë Vani, tetar Aliu, kapter Karafili etj., të cilët zellin e pasionin në shërbim të pushtetit të ri e shfaqnin në mënyrë të papërmbajtur, sikur të ishin venë në ndonjë garë se kush e kush të qe më xhahil se shoku...
Këtë libër kujtimesh autori e shkroi në kohën e diktaturës, në vitet 1973-1978, pas daljes nga burgu. Ia gjeti vetë këtë titull, duke pëlqyer të specifikonte poshtë tij Shënime për veten time. Besoj se lexuesi do të kishte rastin të kundronte një kuadër edhe më të gjerë skenash, ngjarjesh dhe personazhesh të sjella nga këndvështrimi i një syri të hollë, sikur autori të përfshinte edhe përjetimet e mëtejshme në burgjet e Bedenit të Kavajës, të Orman-Pojanit të Korçës, të Tiranës dhe të atij më famëkeqit burg-të Burrelit, të cilat mjerisht, për shkak të rëndimit të shëndetit (më saktë, të këtyre burgjeve) nuk arriti t’i derdhte në letër. Megjithatë, ky prapë është një libër i plotë. Është si një hologram, që edhe në një pjesë të vogël a të imët të tij përmban imazhin e plotë të objektit (në çdo grimcë ekziston gjithë universi)....
Libri ka mjaft episode që të mbeten në kujtesë për veçanësinë e tyre apo dhe për çudinë që shkaktojnë, si për shembull ai i Zefit, një të burgosuri, i cili ngaqë sa herë i thërrisnin emrin i kërciste dajaku ose i ofronin ndonjë dozë vuajtjesh shtesë, shpërtheu një ditë duke shfryrë se kishte marrë inat emnin e vet e nuk donte t’ia dinte as t’ia thirrte kush ma (!), apo i atyre oficerëve-hetues, abuzues të pashpirt dhe mizorë, që në korridoret anash birucave ua hipnin në shpinë të burgosurve të gjorë që kishin përkatësisht nën hetim dhe ashtu, “kalorës” atbotë, konkurronin se cili ishte më i shpejtë, duke i shoqëruar vrapimet e tyre me të qeshura cinike dhe satanike, për t’iu drejtuar më pas pijetores ku të kthenin ndonjë gotë për shëndetin e “fituesit”, për të larguar asisoj disi “stresin” pas asaj pune, për ta të lodhshme dhe rraskapitëse (!), apo ai i momentit të komunikimit të drejtorit të burgut: Ty pushteti të fali jetën, secilit prej dy të burgosurve të dënuar me vdekje (njëri: autori), pasi pak minuta më parë po ky drejtor u kishte organizuar dhe inskenuar një “skerco” makabre, sipas së cilës i njoftonte për pushkatimin e tyre në çast, prandaj urdhëronte t’u kërkonin hallallin shokëve, madje edhe ato tesha që po i vishnin do t’ua hiqnin atje”, e pos këtyre sa e sa të tjera ndodhi, që, siç thotë populli, as dreqit s’i shkojnë në mend...
Shumë vlera të tjera lexuesi do t’i konstatojë vetë përgjatë e derisa t’u shkojë në fund këtyre kujtimeve.
Rrok Ndoja (marrë me shkurtime nga libri)