E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetesa më e shtrenjtë dy vitet e fundit

18/05/2009  Studimi i “Albania Research & Marketing” përfshiu 825 familje në gjithë vendin

Për rreth 65 për qind të tyre e ardhmja ekonomike është e pasigurt

Nuk kursejnë dot prej dy vjetësh dhe nuk e shohin me optimizëm të ardhmen e tyre. Jo pak por rreth 65 për qind e shqiptarëve të përfshirë në një anketim janë përgjigjur kështu. “Albania Research & Marketing” ka realizuar një studim në 825 familje në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Shkodër, në lidhje me “Perceptimin e zhvillimeve ekonomike në Shqipëri”.

Studimi

Përzgjedhja, sipas hartuesve të studimit, ka qenë rastësore në mënyrë sistematike nga databaza e marrë me listat e abonentëve të telefonisë fikse të Albtelekomit. Sipas të dhënave të studimit, shqiptarët në pjesën e tyre dërrmuese nuk ia dalin të kursejnë, kjo sepse 63 për qind e tyre janë shprehur se kursejnë 0 lekë, ndërsa 77 për qind kursejnë më pak se 10 mijë lekë të reja në muaj. Një situatë e tillë, sipas deklarimeve të tyre, ka vazhduar të jetë permanente gjatë dy viteve të fundit.

Kostoja e jetesës

Një nga rezultatet e studimit tregon për një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës gjatë dy viteve të fundit. Rreth 54 për qind e të pyeturve mendojnë se kostoja e jetesës në dyvjeçarin e fundit është rritur, kundrejt 24 për qind që mendojnë se kjo kosto është ulur dhe 16 për qind që mendojnë se nuk ka ndryshuar. Kostoja e lartë e jetesës ka qenë edhe një nga faktorët që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mungesën e kursimeve nga ana e popullatës. Megjithëse duket disi kontradiktore, pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se gjendja ekonomike gjatë dy viteve të fundit ka qenë e mirë. Sipas hartuesve të studimit, një përgjigje e tillë ka një korrelacion të drejtë me pritshmëritë e shtresave të ndryshme të popullatës, të ndikuara në mënyrë të drejtpërdrejtë me të kaluarën e tyre dhe arsimimin.

E ardhmja ekonomike

Nga studimi rezulton se situata ekonomike e familjeve shqiptare në dyvjeçarin që kaluam ka qenë e mirë në 51 për qind të tyre dhe shumë e mirë në vetëm 5 për qind. Pra, rreth 56 për qind e familjeve shqiptare kanë pasur një dyvjeçar të mirë në aspektin e të ardhurave të tyre ekonomike, ndërsa 36 për qind e tyre kanë pasur një situatë jo të mirë ekonomike. 5 për qind e tyre mendojnë se ekonomia familjare ka qenë në nivelin e pritur dhe vetëm 1 për qind nuk kanë ditur të pozicionohen në lidhje me këtë atribut.

Sistemi bankar

Për sa i përket besimit në sistemin aktual bankar në Shqipëri, vlen të theksohet se vetëm 48 për qind e tyre kanë besim, 27 për qind e familjeve nuk besojnë në këtë sistem dhe 25 për qind janë të dyzuar në lidhje me këtë faktor. Sa i përket burimeve të informacionit në lidhje me situatën ekonomike në vend, sipas studimit, 43 për qind e tyre referojnë median si burimin më të besuar, marrëdhëniet familjare apo shoqërore dhe organizatat ndërkombëtare përkatësisht me 19 për qind dhe 16 për qind. Burimet qeveritare renditen në fund me vetëm 11 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›