E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti, tre vjet në pritje të avionëve

Investimi 30 milionë dollarë është lënë që të kalbet pa asnjë shpresë për tu vënë në punë

Aeroporti i Kukësit është i gatshëm për fluturime që nga 20 nëntori i vitit kaluar. Në këtë datë ka përfunduar testimi "Flight Checking" (Kontrollimi i fluturimit) i këtij aeroporti. Një avion grek i specializuar së bashku me katër specialistë të fushës së testimeve të aeroporteve kanë realizuar testimin e sistemit të navigimit. Pas kryerjes së këtij testi, aeroporti i Kukësit është i gatshëm për kryerjen e fluturimeve me avionë të të gjitha llojeve që qarkullojnë kryesisht në Europë.


Por me gjithë përfundimin e këtij testimi përfundimtar, ky aeroport nuk është vënë në funksionim nga shteti shqiptar. Punimet për ndërtimin e aeroportit kanë filluar me 10 maj të vitit 2003 dhe kanë përfunduar në fund të tetorit të vitit 2005. Sipas projektit dhe standardeve ndërkombëtare, Aeroporti i Kukësit është i kategorisë C, me gjatësi të pistës 1900 metër dhe gjerësi 70 metër. Ai përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë uljeje e ngritje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vendqëndrimi për 6-7 avionë të tipave të ndryshme, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje ngritjeve, rrethimi i aeroportit me një gjatësi afërsisht 5000 metra, si dhe vend parkimi i mjeteve private.


Aeroporti i Kukësit ndodhet në jug të këtij qyteti, në vendin e quajtur Fusha e Meteorit në Shtiqën, pranë fshati me të njëjtin emër, rreth tre kilometër larg nga Kukësi, në lartësinë 353 metër mbi nivelin e detit. Aktualisht që nga qershori i vitit të kaluar aeroporti i Kukësit është në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë. Ndërkohë, me vendim të Këshillit të Ministrave, ky aeroport është marrë nën administrimin e shtetit shqiptar.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›