E Diel, 1 Nëntor 2026

“Është koha për të blerë një pasuri të paluajtshme në Tiranë”

17/05/2009  Gjin Biba: Çmimi i banesave do të rritet mesatarisht nga 5 -7% në vit

Ulja e çmimit të apartamenteve mendohet se mund të importohet si fenomen dhe në Shqipëri. Të paktën një çështje e tillë ‘përflitet’ edhe nga ekspertët shqiptarë që kanë rritur interesin për këtë çështje të konsumatorit shqiptar. Thuhet se ka rreth 40 mijë apartamente të pashitura në kryeqytet, shifër që do ndikojë në uljen e çmimit. Por mendohet se shkaku kryesor do jetë ai i situatës ndërkombëtare, veçanërisht asaj amerikane. Sipas drejtorit ekzekutiv të “Century 21”, MSC, Gjin Biba, në kontekstin shqiptar nuk mund të ndodhë e njëjta situatë. Çmimet jo vetëm që nuk do të ulen, por janë me tendencë rritjeje. Dhe kjo jo për faktin se Shqipëria nuk është përfshirë nga kriza. Në analizën e tij, profesori i ekonomisë statistikore përmend se Amerika ka pësuar një rritje nga 6 deri në 12 për qind të çmimit nga viti 2000 deri në 2006, duke shënuar një “boom imobiliar”. Periudhë kohore që është karakterizuar nga dhënie masive kredish, me norma interesi shumë të ulëta. U kredituan edhe ato njerëz që nuk kishin mundësi reale për të blerë shtëpi, dhe mbi të gjitha dhe pronarë që nuk kishin mundësi financiare për të paguar kredinë. Shtrenjtimi karburantit dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para e ndryshuan krejtësisht këtë panoramë, duke shkaktuar më shumë varfëri në SHBA.

Fenomeni

Në realitetin shqiptar nuk ekziston ky fenomen. Kjo për disa arsye të logjikshme. Rritja e çmimeve të asortimenteve përgjithësisht ka qenë normale. Ndërkohë që në vendin tonë vetëm 5% e prodhimit të brendshëm bruto është shuma e kredisë konsumatore, një vleftë shumë e ulët për ekonominë shqiptare, që nuk mund të sjellë pasoja të përfillshme apo vendimtare për ekonominë tonë. Bankat shqiptare janë treguar të kujdesshme dhe nuk kanë realizuar kreditime masive. Kreditë e këqija në Shqipëri, sipas shifrave të Ministrisë së Financave, përbëjnë vetëm 4 për qind të kredisë konsumatore, duke e klasifikuar në një shifër të papërfillshme. Për më tepër që nuk janë dhënë kredi pa kritere.

Kredidhënia

Sipas drejtorit të “Century 21”, nuk duhet harruar as sjellja e shqiptarëve ndaj kredive. Qytetarët tanë kanë frikë nga kreditë bankare dhe popullata ka tendencën të kërkojë më shumë borxhe familjare sesa bankare. Ndaj nuk mund të ndodhin fryrje artificiale. Nuk mund të bëhen paralelizma mes amerikanëve dhe shqiptarëve sepse tek shqiptarët ideja e kapitalizmit është akoma shumë e ulët, ndërkohë që të parët jetojnë me kredi. Eksperti deklaron se shqiptarët e kanë akoma të vështirë t’ua besojnë jetën e tyre bankave. Dhe kjo të paktën për pasojat që ka pasur gjithë bota e zhvilluar ka qenë pozitive.

Fakti

Prej kohësh analistët amerikanë rreken të parashikojnë të ardhmen e ekonomisë amerikane, duke pasur parasysh krizën që ka përfshirë këtë vend. Sipas statistikave më të fundit, llogaritet një rënie 15-20 për qind e çmimit të shtëpive gjatë vitit 2009 në SHBA. Ndërkohë që deri në fundvitin e 2008-s ulja e çmimit të shtëpive në këtë vend ka prekur shifrën 10 për qind. Një rënie drastike që është cilësuar si një nga shkaqet kryesore të recesionit dhe krizës që ka përfshirë pas tij Evropën dhe kontinentet e tjera.

Analiza e të dhënave

Rritja e çmimeve të apartamenteve, sipas doktorit të shkencave ekonomike, bazohet mbi të dhëna dhe logjikë të fortë. Rritja e çmimit do të vijë, sepse kërkesa e konsumatorit në Shqipëri është akoma e lartë. Gjysma e popullsisë jeton aktualisht në fshat dhe ka kërkesa të vazhdueshme për t’u zhvendosur në zonat urbane. Përpos kësaj kemi akoma një popullsi të re në moshë që martohen dhe pajisen me shtëpinë e tyre. Pjesa tjetër e kërkesës rrjedh nga fakti se Shqipëria favorizohet nga pozicioni gjeografik dhe interesi i të huajve ndaj saj. Ndikojnë shumë faktorët politikë, integrimi në NATO, planifikimi i territorit. Organet qendrore dhe vendore ndikojnë shumë me projektet e tyre. “Nuk dua të abuzoj me përqindje, por në Shqipëri çmimi i banesave do të jetë në rritje që mesatarisht do të lëvizë nga 5-7 për qind në vit”, - deklaron z. Biba. Sipas tij, këtë e tregon analiza e përmuajshme që kryen në terren kompania që ai drejton, por dhe nga analizat e ekspertëve amerikanë mbi Shqipërinë. Aktualisht Shqipëria mban çmimet më të ulëta për metër katror në rajonin e Ballkanit. Aktualisht çmimet e pasurive të paluajtshme janë të ulëta në krahasim me trend-in jashtë kufijve kombëtarë. Duke u bërë pjesë e ekonomisë globale dhe çmimet e apartamenteve do të shkojnë drejt harmonizimit me atë të vendeve të rajonit.

Faktorët që do të rrisin çmimet

Ndërtimi i infrastrukturës është një faktor që do të rrisë çmimet e apartamenteve në Shqipëri. Sipas z. Biba, është e vërtetë që në zonën e Dajtit mungon infrastruktura, por kur të ndërtohet rruga, çmimi do të ngrihet. E njëjta gjë do të ndodhë në zona të tjera të Tiranës dhe qytete të Shqipërisë. Gjithashtu, prezenca e kompanive të mëdha në fushën e “Real Estate” i shtojnë reputacionin Shqipërisë dhe tregon se tregu shqiptar është i maturuar. Vendi ynë kategorizohet si vend me risqe të mëdha, por edhe mundësitë e fitimit janë shumë të larta. Opinionet dhe bisedat në “Century 21” kanë treguar se në 6-8 vjet kthehet investimi i kryer për një pronë shërbimi. Që do të thotë një mundësi e artë fitimi për gjithë të huajt. Për blerjet e pronave komerciale në Tiranë institucionet angleze dhe spanjolle mendojnë se vlera e investimit të tyre kthehet gjatë këtij afati, që do të thotë se norma e fitimit është me dy shifra, pra rreth 15 -16 për qind në rritje. Cilësia është një element që ndikon te kostoja. Në Shqipëri ndërtohet shumë mirë, ka vërtet profesionalizëm të mirë në këtë drejtim. Por ajo që është më e nevojshme është profesionalizmi në ndërmjetësim. Tani ndërtuesit janë mirë për të ndërtuar, por nuk e kanë pjesën tjetër të marketingut, të ndërmjetësimit të pronave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›