AKKP: “Pronarët e shpronësuar në vitin 2009 do tenisin të kompensohen”
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë nga procesi i kompensimit financiar për të gjithë ata pronarë ose subjekte që janë shpronësuar me vendime të posaçme të qeverisë gjatë këtij viti. Sipas një deklarate zyrtare të bërë dje për mediat nga Nëndrejtori i Agjencisë, Genc Çela, mësohet se “ditën e hënë më 15 qershor 2009, AKKP-ja do të fillojë nga procesi i kompensimit financiar për të gjitha subjektet e shpronësuara për vitin 2009”. Sipas përfaqësuesit të AKKP-së, dokumenti i cili duhet të dorëzohet nga subjektet është i njëjti me ata të mëparshmit (formulari i deklarimit). Nga sa mësohet kompensim nuk mund të përfitojnë ata persona ose subjekte që janë kompensuar më parë, në një kohë që vlera financiare për këtë kompensim do të jetë vetëm për 200 metra katror të sipërfaqes së truallit. Nga informacionet e AKKP-së mësohet se, mbushja e formularëve për procesin e kompensimit, si dhe fillimi i procedurave për të përfituar këtë kompensim nis në datën 15 qershor 2009, nga ora 09:00 deri në orën 14:00. Nga AKKP-ja është përfunduar vlerësimi i kërkesave të subjekteve të shpronësuar për përfitimin nga fondi prej 500 milion lekësh të vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin financiar. Ky është fondi i vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për vitin 2008. Për vitin 2009 qeveria ka kaluar në dispozicion të AKKP-së një fond prej 600 milion lekësh, shpërndarja e të cilit do të fillojë vetëm në datën 15 qershor 2009. Në përfundim të seleksionimit nga 740 kërkesa të administruara, kanë rezultuar fitues nga fondi i kompensimit i vitit 2008, vetëm 163 subjekte të shpronësuar sipas renditjes kronologjike.
10 Qershor 2009