Jeton Kelmendi, promovon në Bruksel
Në këtë ndodhi letrare ishin të pranishëm shkrimtarë shqiptarë, miq e dashamirës të letërsisë, miq belgë etj. Kjo ngjarje letrare u çel me përshëndetjen e presidentit të Klubit të Gazetarëve Ndërkombëtarë, Thomas A. Friedrich, i cili u ndal në rëndësinë e organizimit të aktiviteteve letrare për gazetarët që përveç profesionit të tyre, janë mbartës edhe të dhuntive të tjera, sikurse ato letrare.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ambasadori i Shqipërisë në Belgjikë Ilir Tepelena (të cilit iu dhurua, në shenjë mirënjohjeje, libri i sapobotuar i autorit), ambasadori i Maqedonisë Muhamet Halili, ministri-këshilltar pranë Ambasadës së Kosovës në Belgjikë Gani Azemi, si dhe Daim Iljazi ministër-këshilltar pranë Ambasadës së Maqedonisë në Belgjikë, i cili është gjithashtu shkrimtar.
Kumtesën e parë rreth veprave të autorit e realizoi akademiku Athanase Vantchev de Thracy, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Franca për të qenë i pranishëm në këtë aktivitet. Në analizën letrare të vëllimit poetik “ Comme le commencement est silencieux”, u shpreh: “Jeton Kelmendi është një baptizues i mrekullueshëm poezish, të cilat na lënë mbresa të fuqishme me aftësinë e gjallërimit të fjalës dhe formën simbolike, që këndellin imagjinatën dhe sjellin në jetë metafora krejtësisht origjinale me një zjarrmi plot delikatesë”.
Për vëllimin poetik në gjuhën angleze “How to reach yourself” kumtesën e profesor Emeritus, e bëri Kate Holman, e cila është tashmë dhe një mike e mirë e shqiptarëve. Për krijimtarinë letrare, si dhe për tematikën e veprës së Jeton Kelmendit kumtoi në frëngjisht z. Albert Nikolla, ku ndër të tjera u ndal te brendësia poetike e veprës së Jeton Kelmendit. Për auditorin shqipfolës u lexua kumtesa e dr. Irena Gjonit “Poezia e Jeton Kelmendit mes esencash hyjnore dhe kumtesh” (edhe pse ajo nuk ishte e pranishme).
Në fund të këtij aktiviteti iu dha fjala autorit Jeton Kelmendi, i cili falënderoi miqtë e pranishëm, bashkëpunëtorët që ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Më tej shkrimtari Kelmendi u shpreh: “Duhet të jemi të sinqertë me vetveten në radhë të pare, që të jemi të sinqertë edhe me të tjerët. Ne, si shkrimtarë, gjënë më të madhe që kemi është fjala dhe librat që botojmë, prandaj duhet ta pranojmë se kur miqtë dhe lexuesit flasin fjalë të mira për ne, natyrisht se na inkurajojnë të besojmë se përkushtimi ynë nuk është i kotë”. Aktiviteti u moderua nga Elona Zhana dhe u interpretuan poezi të shkrimtarit. Ky ishte promovimi i parë i veprave të një shkrimtari shqiptar në institucionet e BE-së.