E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seriozisht në veri?

Policia e Kosovës pritet t’ia mësyjë Veriut në javën e tretë të majit. Atje synohet të goditen rrjetet kriminale, në bazë të një plani operativ. Reshat Maliqi konfirmon këto informacione. Ai dhe Ministria e Brendshme presin mbështetje edhe nga EULEX’i. Nga Jeton Musliu më 09 maj 2011 në ora 09:54

Më në fund, duket se u mbush kupa. Institucionet vendore të sigurisë e kanë ndarë mendjen. Nga java e tretë e këtij muaji, pritet të ndërmerren masa shumë më serioze për rikthimin e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Një konfirmim i tillë vjen nga Reshat Maliqi, kreu i Policisë së Kosovës.

Sipas tij, pas së enjtes, pritet “të ketë diçka” për fillimin e veprimeve në këtë zonë të vendit.

“Së shpejti do të dihet. Jam duke udhëtuar drejt Britanisë së Madhe dhe kthehem të enjten dhe pas së enjtes, do të ketë diçka”, thotë Maliqi, për Express.

Në këtë mënyrë, drejtori i përgjithshëm i Policisë u përgjigj kur u pyet lidhur me tentativat e tyre dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në njërën anë dhe EULEX’it, në anën tjetër, që të pajtohen për të filluar veprimet në goditjen e krimit, për nisjen e kthimit të rendit e ligjit në veri të Kosovës.

Në fakt, fillimit të operacioneve të goditjes së krimit atje, është duke i paraprirë një freskim i brendshëm i Policisë së Kosovës. Ajo ka filluar disa ndryshime në hierarkinë e vet komanduese që kanë të bëjnë me këtë zonë problematike, e të dalë jashtë kontrolli.
Këto ndryshime pritet të përfundojnë brenda pak ditëve, para se atje të nisin aksionet për goditjen e disa pikave të krimit të organizuar.

Burime të Expressit tregojnë se këto aksione nuk është menduar të jenë shumë spektakolare, por të jenë mjaft praktike. Kjo për faktin se zyrtarët vendorë të sigurisë nuk duan që kthimi i ligjit atje të keqinterpretohet apo të shihet si represion policor.

Më shumë se dy vjet pritje të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Veriu mbetet vrima e zezë e të këqijave në vend. Në atë zonë ndodhin të gjitha trafiqet e paligjshme si kontrabanda me derivate, trafiqet me emigrantë, prostitucioni apo kalimi i drogave të ndryshme. Pavarësisht kësaj, deri më tash, nuk ka pasur asnjë lëvizje serioze në kthimin e ligjit atje, as nga Qeveria dhe as nga EULEX’i. Për ndryshimin e situatës atje, burime të Express tregojnë se Policia e Kosovës së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme i kanë kërkuar EULEX’it një bashkëveprim në goditjen e disa pikave kyçe të krimit në Veri.

Javë më parë, edhe Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, deklaroi se policia i ka të evidentuara pikat e sakta ku dhe si vepron krimi i organizuar.

Burimi i gazetës shpjegon se për veprimin e tanishëm, një propozimplan i tillë i është dërguar edhe EULEX’it, në mënyrë që operacioni të jetë i përbashkët, jo vetëm se është mirë në aspektin praktik, por edhe atë politik.

OK!

Sidoqoftë, kontakti me zyrtarë të MPB-së, të dielën ishte i pamundur për shkak se ishte ditë pushimi. Ndërkohë, ata të EULEX’it nuk pranuan se ka ndonjë plan të tillë.
“Aktualisht, nuk ka asgjë të re që pritet të ndodhë për ndonjë aksion të përbashkët ndërmjet EULEX’it dhe Policisë së Kosovës apo plan veprimi për Veriun”, thotë James Nickolls, një nga zëdhënësit e EULEX’it për Express.

Megjithëkëtë, duket se fillimi i veprimeve në atë zonë të vendit tashmë është vetëm çështje ditësh.

Reshat Maliqi, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i cili edhe më parë është shprehur se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme që të përballet me situatën, sqaron se me EULEX’in, çdoherë kanë diskutuar për krimin dhe korrupsionin në veri të vendit.

“Nuk jemi të kënaqur me luftimin e kësaj dukurie atje dhe ne duam që të rritet progresi në luftimin e krimit atje”, thotë Maliqi për Express.

I pyetur nga gazeta për ekzistimin e ndonjë plani të ditëve të fundit, që së bashku me EULEX’in të nisin goditjen e disa pikave të krimit në veri të Kosovës, kreu i policisë së vendit e pohon një fakt të tillë.

“Kemi biseduar dhe ata kanë premtuar se do të jenë më koshientë dhe më të fuqishëm në luftimin e krimit dhe ne shpresojmë”, thotë drejtor Maliqi.

Ai shpjegon se në atë zonë, Policia e Kosovës do të bëjë lëvizje të menaxhmentit, me qëllim të krijimit të një freskie në punë dhe motivimin e njerëzve, në mënyrë që vërtet të punohet më tepër.

Madje, shefi i Policisë së Kosovës e pranon se ata e kanë marrë edhe pajtimin e EULEX’it që të fillohet me ndryshimin e situatës së keqe që është në Veri.

“Po, e kemi marrë OK (pajtimin), sepse kemi një harmonizim të qëndrimeve dhe bisedojmë dhe bashkëpunojmë dhe edhe ata pajtohen për gjëra të tilla”, thotë Maliqi për Express.

Idetë dhe planet e tilla pasojnë kritikat e ashpra publike në drejtim të EULEX’it nga ministri Bajram Rexhepi dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ata akuzuan misionin evropian për mospunë. Ndërkohë, zëvendësshefi i EULEX’it, Andy Sparkes, në një intervistë për Express iu rikujtoi institucioneve të vendit se ky mision nuk është UNMIK dhe ata nuk qeverisin vendin, prandaj Qeveria e Kosovës duhet t’i kryejë vetë punët e saj. Në këtë rast, ai tha se përfshihet edhe veriu i vendit.

Kuvendi
Situata në veri të vendit është bërë e padurueshme edhe për ligjvënësit e Kosovës. Në fakt, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, i paraqiten deputetëve një mocion të përbërë prej tre pikash, një prej të cilave kishte të bëjë me sigurinë në vend e cila u miratua me shumicë dërmuese votash.
Pika e dytë e këtij mocioni kërkon që Qeveria e vendit të shtrirë autoritetin në tërë territorin e republikës, me theks të veçantë në veri të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›