E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jimenez del nga kontrolli, sulmon gjyqtarin

Mesfushori i Al Ahlit, Luis Jimenez pritet ta marrë një dënim të rëndë, pasi që e kishte goditur me kokë gjyqtarin kryesor, të dielën që shkoi në duel me Al Jaziran, në fitoren 2-1 në kampionatin UAE Pro-League.

Ish futbollisti i Lazios, Interit dhe West Hamit ishte ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 76-të pasi reagoi ashpër ndaj një vendimi të gjyqtarit Ammar Ali Al Junaibi, i cili e dha një goditje të lirë për Al Jaziran.

Jimenez i mllefosur shkoi dhe e goditi me kokë në kokë gjyqtarin. Për këtë, kiliani do të përgjigjet dhe ky gjest i pakontrolluar do t’i kushtojë shtrenjtë. “Natyrisht, do të ketë ndëshkime ndaj tij. Kjo ishte njolla më e zezë në karrierën e tij si futbollist”, ka thënë sekretari gjeneral i UAE Football Association, Yousuf Abdullah.

Trajneri i Al Ahlit, Quique Sanchez Flores e ka mbrojtur lojtarin e tij, duke shtuar se gjyqtari bëri gabime të rënda gjatë takimit. Pas ndeshjes, Jimenez i kishte kërkuar falje gjyqtarit. “Nuk ishte një reagim normal dhe kërkova falje ndaj të gjithëve, fansave dhe ekipit. I kam kërkuar falje gjyqtarit dhe e pranoj se isha gabim”, tha Jimenez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›