E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati Visokë, nën rrezikun e shpërthimit të ujëmbledhësit

• BALLSH – Qindra banorë të zonës së Visokës në Mallakastër rrojnë çdo ditë me frikën e përmbytjes së shtëpive të tyre.Kjo, pasi argjinaturat e digës kryesore të ujëmbledhësit të kësaj zone janë dëmtuar, çka e sjell shumë pranë rrezikun e shembjes dhe përmbytjen e qindra shtëpive që ndodhen nën nivelin e saj. Ujërat e përrenjve të derdhur në ujëmbledhës kanë shtuar kapacitetin e tij dhe rreziku qëndron pikërisht te shkarkuesi kryesor. Ai ka marrë çarje në pjesën e betonuar dhe dallohet një shembje në pjesën e fundit të tij. Situata bëhet edhe më emergjente kur vihet re dëmtimi i konsiderueshëm i digës dhe sasia e madhe e ujit në rezervuar. Banorët janë shprehur se situata është përkeqësuar, edhe pse koha është e thatë. Intensiteti i reshjeve të rëna gjatë periudhës së dimrit, e ka mbushur plotësisht rezervuarin, gjë që sjell një shkallë të lartë rreziku për të gjithë. “Kemi shumë vite që përjetojmë një situatë kritike për shpërthimin nga çasti në çast të ujëmbledhësit kryesor. Ndjehemi të rrezikuar për familjet dhe për shtëpitë tona. Hapim vetë ndonjë rrjedhë për të zbritur uji, në mënyrë që të zbrazet rezervuari. Ndodh ndonjëherë që nuk na kanë lënë rojat e komunës këtu, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Një rrugë është: ose të mbytet   toka poshtë nesh, ose shtëpitë tona të shemben nga ndonjë shpërthim i mundshëm”, shprehet për gazetën Selim Lamaj, banor i zonës. “Jemi ankuar disa herë, por nuk na dëgjon askush. Jemi më shumë se 150 familje dhe të gjitha të vendosura në këtë kodër, ku mbi kokë na rri rezervuari. Kur dëgjojmë zhurma gjatë natës, mendojmë se do të shpërthejë. Kjo është gjendja, kjo ka qenë dhe kështu po vazhdon të mbetet, ndërsa ne mbetemi me zemër të ngrirë dhe gjithmonë duke përgjuar”, shprehet një tjetër banor i këtij fshati. Sipas banorëve, para disa vitesh me anë të një investimi është përforcuar me beton pjesa e poshtme e shkarkuesit të sigurimit. Por punimet e kryera nuk kanë rezultuar të suksesshme. Betoni është shkatërruar, ndërsa pritet të shkatërrohet për shkak të erozionit dhe pjesa e mbetur prej tij.                    m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›