Jo më i miri, por më i zgjuari
Po shfaqet në Teatrin Kombëtar komedia "Allegretto Albania". Pasqyra groteske e realitetit shqiptar
Në një moment sinqeriteti dhe frike ai e kupton se i ka shkelur të dhjetë urdhëresat e Zotit. Kjo do të thotë se nuk është edhe aq i mirë. Por dreqi e mori, gjithsesi është më i mirë se Hyseni me 4 klasë shkollë, Hasani, apo Ilmiu, pra gjithë burrat e fisit të gruas. Shkurt, hakmarrja peshon mbi të. Për hir të kësaj bindjeje gjendet i ngujuar me gjithë familje në kullën e tij. Dhe çdo mbrëmje bashkë me fëmijët e gruan përsërit gjithë krerët e nyjet (nenet) e Kanunit. Një familje, prej katër vetësh jeton në një realitet surreal. Çdo ditë e kalojnë me ankthin se gjaksi po merr hak, ndërkohë që nga shoqatat e pajtimeve të gjaqeve vijnë ndihma, dyshekë me pupla, makina qepëse, vegla muzikore, madje edhe një aparat rëntgeni(?!). Zhvillohen projekte për komunikimin elektronik të familjeve në gjak, mediat trumpetojnë me të madhe një stinë koncertore, ndërsa mësuesit e paguar për të mësuar fëmijët e ngujuar shpjegojnë me videoprojektor shumimin e bretkosave. Ky nuk është thjesht realiteti që ofron komedia "Allegretto Albania", që po shfaqet në skenën "Kadri Roshi" të Teatrit Kombëtar. Që kur kjo komedi u botua në përmbledhjen me të njëjtin emër, kur ende nuk ishte ngjizur ideja e vënies në skenën e TK-së, dramaturgu Stefan Çapaliku shpjegoi se kjo vepër nuk është thjesht pjellë e fantazisë. Është një realitet i frymëzuar nga ekzistenca e një familjeje të ngujuar në të vetmen ndërtesë të mbetur buzë Lanës, në mes të kryeqytetit, nga numri i organizatave jo fitimprurëse që rritet çdo ditë, pa ua parë hajrin, nga media që pompojnë lajme e emisione boshe. Këtë realitet të zymtë, autori e përcjell me humor. Duke i veshur mish edhe gjak në skenë, vepra merr ngjyra edhe më groteske e ironike, elementë të shfrytëzuar mirë nga regjisori Altin Basha. Edhe pse i ndihmuar shumë nga skenografia e realizuar nga Iliriana Loxha, e lehtë, funksionale, e lëvizshme, pa shpenzime të tepërta, ku në mënyrë simbolike prezantohen kullat me frëngji, Basha e mbështet veprën e tij kryesisht tek loja e aktorëve, të cilëve u ka "imponuar" të folurën gege, e cila arrihet deri diku. Që do të thotë se nuk ka ndonjë gjetje të "çuditshme" regjisoriale. Dhe bën mirë, pasi një temë e tillë, ku "ngatërrohen" shumë çështje, që nga politikat shtetërore, sociale, marrëdhëniet në familje, dilemat e brendshme të njeriut, deri tek mafia e pronave, nuk mund të thuhen veçse në mënyrë sa më të shkoqur. Nuk është e rastësishme zgjedhja e trupës së aktorëve nga ana e regjisorit. Janë të gjithë aktorë karakteresh, që nga më i vjetri tek më i riu. Mirush Kabashi është babai i shtëpisë. Intelektuali që në listën e "mëkateve" të tij numëron vetëm rastin kur 4-vjeçar pa nga vrima e çelësit nusen e axhës tek lahej, ndonjë pare xhepi që i pat vjedhur gjyshes e rrenat që u thoshte prindërve për prapësitë e veta. Njeriu i trembur edhe nga hija e tij, por që dëshiron të besojë se është një njeri i rëndësishëm, pse jo më i miri i fisit. Karakterin e tij të dobët, të luhatshëm e plotëson Olta Daku, në rolin e nënës. Një grua e fortë, burrneshë, që nuk ka frikë të ngrejë zërin para burrit. Gazmend Paja është djali i madh. Një ditë e tij tanimë kufizohet në pastrimin e armës, mësimin e Kanunit dhe të zoologjisë. Kur është vetëm i pëlqen të imitojë Robert De Niron tek "Taxi Driver" me shprehjen e famshme "Are you talking to me??". Izolimin po e përjeton më keq djali i vogël, Xhejni Fama, që prej qëndrimit të palëvizur në majë të frëngjisë është kthyer në obez. Në jetën e familjes ndërhyn edhe Pajtimja, Klea Rondo. Ajo është jo vetëm spikerja ekspresive (modelet t'i sugjerojnë të gatshme ekranet shqiptare), por edhe kryetarja e një shoqate për pajtimin e gjaqeve. Kjo është një nga figurat më groteske të veprës. Por është edhe mësuesi, Ahmet Pasha, drejtues shoqate gjithashtu, që u mëson dokrra fëmijëve të ngujuar. Dhe nuk mund të mungojë Sadedini, Vasian Lami, vrasësi i vërtetë, i përzier në mafien e tokave, që për t'u rrëmbyer pronat të ngujuarve u gjen një pseudozgjidhje, atë të arratisjes në Greqi. Pjesa rreth 1 orë e gjysmë mbyllet me një moment gjithaq grotesk. Gjatë arratisë, të zbathur, familja këndon këngën "Për ty atdhe", që babai ua mësonte gjatë ngujimit në shtëpi. Siç ka ndodhur rëndom në komeditë e shfaqura në skenat tona, teksti i "Allegretto Albanisë" nuk ka asgjë vulgare. Ka vërtetë humor batutash, por edhe humor situatash. Duke qenë regjisori i një programi televiziv kabare si "Portokallia", me të cilin fatkeqësisht e identifikojnë rëndom edhe pse ka një prapavijë të rëndësishme në teatër, Altin Basha është treguar i kujdesshëm në dhënien e dozave të humorit.