E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Rrëshen: Berisha s'mbajti premtimet

RRËSHEN- Mirdita ka qenë stacioni radhës i "Dialogut me Shqipërinë". Kryetari i Partisë Socialiste është ndalur dje të dialogojë me të rinjtë e komunës së Shënkollit, ku ka kërkuar kontributin e tyre për t'i dhënë jetë politikës së re. Rama është shprehur për një politikë të qytetarëve dhe se janë qytetarët që duhet të bëhen bashkë për të ndryshuar të ardhmen e tyre dhe jo politikanët. "Ajo që unë dëshiroj të them dhe ajo për të cilën unë dëshiroj të luftoj, së bashku me ju dhe me gjithë të tjerët, është që e ardhmja e të rinjve të Sh- qipërisë, të mos jetë një e ardhme prej proletarësh në Europën e nesërme, por të jetë një e ardhme prej qytetaresh dhe qytetarësh të barabartë ", - u shpreh kryesocialisti në fjalën e vet. Duke u ndalur tek moria e problemeve që shqetësojnë sot rininë shqiptare, kreu i selisë rozë ka vënë theksin tek garantimi i të drejtës së të gjithë të rinjve për t'u arsimuar, por edhe për të pasur një punë të denjë në vendin e tyre. "Shumica e atyre që dalin nga dyert e universitetit, pas një investimi të jashtëzakonshëm të prindërve, hyjnë në radhët e të papunëve. Në radhët e të papunëve që po zgjaten përditë e më shumë",- u shpreh Rama. Ndërkohë edhe gjatë takimit të djeshëm ai nuk ka lënë pa atakuar kundërshtarin e tij politik, kreun e qeverisë, Sali Berisha, të cilin e ka konsideruar si pjesë të politikës së vjetër dhe njeriun e premtimeve të pambajtura. Rama ka ironizuar turin që Kryeministri ka ndërmarrë nëpër Shqipëri, duke e vlerësuar atë si një kopje të shëmtuar të Dialogut me Shqipërinë. "Është për të ardhur keq, që, tre vjet pasi ka marrë mandatin për të drejtuar Shqipërinë, Sali Berisha ka marrë përsipër të kopjojë në mënyrë aspak të pëlqyeshme Dialogun tonë me Shqipërinë dhe të dalë lartë e poshtë në Shqipëri, jo për të treguar se çfarë premtimesh ka mbajtur, por për të bërë premtime të tjera. Është për të ardhur keq, që ne sot kemi një Kryeministër të tillë, i cili nuk e ndjen përgjegjësinë e rëndë për qindra premtimet e dhëna, për të cilat ka marrë votën, që sot janë premtime të pambajtura, janë premtime të harruara", - theksoi kryesocialisti. Gj.Marku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›