Jo më mjekë të dypunësuar, do pushohen nëse shkelin

Pothuajse të gjithë mjekët që punojnë në një spital shtetëror punojnë njëkohësisht edhe në spitale private. Por nëpërmjet një urdhëri të Ministrisë së Shëndetësisë, duke filluar nga nesër një mjek që ka një kontratë me spitalin publik e ka plotësisht të ndaluar që brenda orareve të kontratës të punojë për një spital jo publik. Në këtë rast, autoritet shëndetësore nuk do të paralajmërojnë, por do të pushojnë direkt nga puna mjekun.
Drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, thotë se ky urdher nuk do të thotë se mjekët nuk mund të punojnë pasdite në spitale private, por i urdhëron bluzat e bardha të mos bëjnë shkelje të kontratës së punës dhe të respektojnë oraret.
Pipero thotë se ky urdhër erdhi në kohën e duhur kur sistemi shëndetësor në vend është drejt një reformimi thelbësor, me qëllim përmirësimin e shërbimeve në spitalet publike. Pavarësisht se në spitalin privat mjekët kanë një kontratë me rrogë më të mirë, ky urdhër kërkon të disiplinojnë punën në shtet për të mos lejuar neglizhenca nga bluzat e bardha.