E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga për në Vermosh, ndërhyn Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Kjo do të jetë rruga më e gjatë që kalon midis bjeshkëve për të shkuar në skajin më verior të Shqipërisë, Vermoshin. Ajo gjarpëron nëpër male dhe për shkak të formacionit shkëmbor ndërhyrjet jane të vështira. Por kjo nderhyrje për banorët e komuave të Malesisë së Kelmendit do të jetë rruga e shpresës. Aktualisht Fondi Shqiptar i Zhvillimit po investon në zgjerimin, më pas afaltimin e rrugës Hani i Hotit - Tamarë dhe Tamarë -Vermosh.
 

Segmenti i parë 27 km përshkon fshatrat Rrapsh, Rreza, Grabomë, Peshtanë deri në Tamarë. 21 mijë banorë të komunave Kastrat dhe Kelmend përfitojnë drejpërdrejtë nga ky investim. Benet Beci, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit inspektoi disa segemnte të rrugës në rikonstruksion.
 

Por në shtator të këtij viti, zgjerimi i rrugës do të nisë për një nga perlat më të bukura të veriut, Vermoshi. Dekada më përpara në Vermoshin e vjetër ka patur vetëm rrugë kafshësh, ndërsa tani km nga Tamara në drejtim të Vermoshit do të duken më pak, ndërsa Vermoshi pritet të kthehet në një nga zonat më frekuentuera për turistët.
 

Rruga që të con në fshatin Tamarë, të ndal edhe në vendin e quajtur "Leqet e Hotit", kjo zonë sipas banorëve quhej ballkoni i Enver Hoxhës sepse edhe ish-udhëheqësi komunist është ndalur këtu për të shijuar bukurinë e bjeshkëve dhe Alpeve Shqiptare.
Më pas ecim për në Tamarë. Banorët dhanë përshtypjet e para për rrugën sepse, sic thonë ata, këto anë duan investime për të mbijetuar.
 

Deri më tani banorët e Vermoshit blerjen e ushqimeve, apo vizitat mjekësore, i bejne në trevat shqiptare në Mal të Zi, Plavë dhe Guci sepse të shkojnë në Shkodër u duhen më shumë orë. Ndërhyja në këto km që pritet të përfundojë 2 vitet e ardhshme do të lehtesojë jetesen e banoreve dhe ne anen tjeter do zgjojnë interesin për të parë bukuritë natyrore të Vermoshit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›