E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo më!

NATO ftoh marrëdhëniet me Rusinë, Moska tërhiqet nga manovrat e përbashkëta në Balltik

Marrëdhëniet me Rusinë nuk do të jenë më si më parë. Ka qenë kjo deklarata e ministrave të jashtëm të NATO-s, pas takimit të jashtëzakonshëm të mbajtur dje në Bruksel, mbi konfliktin në rajonin gjeorgjian të Osetisë së Jugut. Kështu Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi të “ftohë” marrëdhëniet me Moskën, duke i bërë asaj thirrje që të tërheqë menjëherë trupat e saj nga Gjeorgjia. Sekretarja amerikane e shtetit, vendi i së cilës thirri këtë takim dhe 25 homologët e saj, thanë se NATO-ja nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Rusinë, për sa kohë Moska vazhdon të ketë trupa në Gjeorgji. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hop Shefer, tha se ende nuk është marrë ndonjë vendim për të eliminuar programet e përbashkëta, por se kjo çështje po shqyrtohet, duke lënë të nënkuptohet mundësinë e “ndëshkimit” të Rusisë nga NATO-ja. “Marrëdhëniet e ardhshme me Rusinë do të varen nga veprimet konkrete që Moska do të ndërmarrë në kuadër të planit të paqes. Nuk duam të mbyllim të gjitha dyert me Rusinë”, shtoi Shefer, duke shpjeguar se për momentin Rusia nuk po respekton planin e armëpushimit të nënshkruar nga vetë presidenti Dmitri Medevdev. NATO-ja vendosi gjithashtu të krijojë një komision special për marrëdhënie më të ngushta me Gjeorgjinë, siç u konfirmua në dokumentin final të takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të Aleancës. Por, replika e Rusisë nuk vonoi shumë. Moska vendosi se nuk do të marrë pjesë në manovrat ndërkombëtare “Open Spirit 2008” në detin Balltik me NATO-n. Lajmi u raportua nga agjencia ruse e lajmeve, Ria-Novosti, e cila citoi një komandant të flotës ruse. Në manovrat në fjalë është parashikuar të marrin pjesë edhe njësitë ushtarake amerikane. Ndërkohë, disa prej trupave ruse janë parë dje ndërsa largoheshin nga qyteti i Gorit, megjithëse Ministria e Brendshme gjeorgjiane hodhi poshtë lajmin, duke thënë se Moska po përpiqet thjesht të krijojë iluzionin e tërheqjes së forcave të saj. Zyrtarët rus thanë për BBC-në se rreth 100 ushtarë dhe mjete luftarake i janë drejtuar tashmë kryeqytetit të Osetisë së Jugut, për të shkuar më pas në Vladikavkaz në Osetinë Veriore, zyrtarisht pjesë e Rusisë. Megjithatë, korrespondentët e rrjetit britanik në terren pohuan se ka ende artileri dhe trupa ruse të pozicionuar në të gjithë qytetin e Gorit. Veç kësaj, pikat e kontrollit të Rusisë janë ende prezentë rreth 35 km nga Tbilisi. Ushtria ruse paralajmëroi dje se procesi i tërheqjes së trupave të saj do të jetë i ngadaltë dhe do të zgjasë të paktën deri në fundjavë, por gjithsesi ushtarët do të vazhdojnë të qëndrojnë në një zonë të papërcaktuar përreth Osetisë së Jugut. Sipas Moskës, një lëvizje e tillë është e lejuar sipas marrëveshjes së armëpushimit që i lejon Rusisë të marrë masa sigurie shtesë deri në zbarkimin e paqeruajtësve. Por, Gjeorgjia tha se në të vërtetë Rusia po futet më thellë në territorin e saj dhe se trupat ruse kanë marrë nën kontroll një port kyç në qytetin e Potit, me qëllim dëmtimin e ekonomisë gjeorgjiane. Veç kësaj, tensioni mes Moskës e Tbilisit mbetet i lartë, veçanërisht pasi Rusia mbylli pjesërisht kufirin me Gjeorgjinë për të ndaluar “terroristët e huaj” të hyjnë në territorin e saj. Kufiri rus me Gjeorgjinë si me Azerbaxhanin do të mbetet i mbyllur për të gjithë ata që nuk janë shtetas të grupit të ish-vendeve sovjetike, në bazë të një dekreti të firmosur dje nga kryeministri Vladimir Putin dhe të publikuar nga e përditshmja “Rossiiskaya Gazeta”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›