E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme, gati për sulm antikanabis në Lazarat

Ministri Nishani: Po hetojmë për informacionet në zonat e mbjellja me hashash dhe ku të gjendet do të ndërhyhet

TIRANË - Kur mbase kanë mbetur fare pak ditë që të korret hashashi i mbledhur në Lazarat, apo në zonat e thella malore të veriut, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, premton se do të jetë “kosa” e policisë që do t’i presë i pari. Kreu i Ministrisë së Brendshme, në një konferencë për shtyp ku u analizuan rezultat e punës 7-mujore të Policisë së Shtetit, pohoi se gjendja në Lazarat është problematike, pasi lënda narkotike vazhdon që të prodhohet aty. I pyetur nga media në lidhje me gjendjen e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri, Nishani tha se nga ana e tyre po vlerësohet çdo lloj informacioni që mbërrin në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në zona të ndryshme dhe se policia nga ana e saj do të ndërhyjë në çdo rast. Kjo mbase do të duhej të përkthehej edhe një ndërhyrje e mundshme në Lazaratin sfidues karshi forcave të policisë nuk do të ishte e largët. Në të kundërt, e vetmja gjë që do t’u ngelet uniformave blu, është që të presin ta bllokojnë gjatë shitjes apo trafikimit hashashin e Lazaratit, ashtu sikurse ndodhi vjet, kur nga rreth 7000 kg hashash i sekuestruar në operacione të ndryshme policore, 3500 kg ishin “made in Lazarat”. Përveç problemit të përvitshëm Lazarat, Ministri i Brendshëm bëri të ditur se sivjet janë zvogëluar hapësirat e tokës të mbjella me bimë narkotike dhe kjo duket dhe në sasinë e asgjësuar nga uniformat blu deri më tani. Aq sa është kapur përgjatë gjithë vitit në të gjithë vendin, në fakt vitin e kaluar u kap vetëm përgjatë zonës së lumit të Vlorës, e cila ka qenë gjithmonë tokë pjellore përsa i takon kultivimit të hashashit. Nëse nuk do të kishte “vrimën e zezë Lazarat”, më pas me të drejtë kreu i Ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani, mund të krenohej me shifrat antidrogë të këtyre 7 muajve të vitit 2008. Nga janari e deri në gusht, sektori i antidrogës ka zhvilluar 20 operacione, nga të cilat 5 ndërkombëtare, me 224 persona të arrestuar, ku janë  sekuestruar 47 kg heroinë, 813 gr kokainë, 2.027 kg hashash, si dhe janë asgjësuar 80.950 rrënjë kanabis sativa.  Ndërkohë, statistikat e policisë italiane dëshmojnë se nga policia e shtetit fqinj janë kapur vetëm  6.5 kg heroinw, 3.2 kg kokainw dhe 4 kg mariuanw tw ardhura nga Shqipwria, çka për hir të së vërtetës është një e pakrahasueshme edhe me sasinë e kapur gjatë vitit 2007, kur u kapën gjithsej 100 kilogramw lëndë të ndryshme narkotike dhe shifrat e sivjetshme janë me “vite dritë larg” me shifrat e vitit 2003, 2004, 2005, kohë kur nga ana e policisë italiane kapeshin rreth 3-4 ton lëndë narkotike. Si një “bonus” për rezultatet e këtij viti, shihet edhe efektshmëria e moratoriumit antiskaf, për të cilin Ministri Nishani tha se do të kërkohej shtyrja në kohë në Parlament, kjo dhe për arsyen e thjeshtë se policia kufitare aktualisht nuk posedon mjetet e duhura për t’i bërë ballë trafiqeve të ndryshme të paligjshme, që do të mund të ringjalleshin në rast se do të hiqej moraturiumi antiskaf i vendosur në prill të vitit 2006. Ndërkohë, ndër shifrat e mira të punës së policisë gjatë këtij viti, është edhe goditja e grupeve kriminale, ku janë zbërthyer 69 të tillë, me 280 persona të arrestuar.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›