E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët rrezikojnë magjistraturën

Studentët që kryejnë studimet në universitetet që nuk do të akreditohen, e humbasin të drejtën e magjistraturës. Sipas disa burimeve pranë shkollës së Magjistraturës, numri i diplomave këtë vit do të jetë më i lartë se një vit më parë

TIRANË- Në rrezik magjistratura për studentët e universiteteve private. Studentët që kanë mbaruar këtë vit fakultetin e Juridikut në universitetet private të vendit, nuk mund të konkurrojnë për magjistraturë, në qoftë se universiteti ku ata studiojnë nuk është i akredituar. Burime pranë Shkollës së Magjistraturës thanë për “Korrierin” se ky është kushti për marrjen e diplomave master dhe magjistraturës. Siç është bërë e ditur, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të pajtojë një kompani të Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë, si publik ashtu edhe privat. Kjo kompani, e cila do të fillojë akreditimin e IAL në tetor, do të merret edhe me Vlerësimin e Jashtëm të Sigurimit të Cilësisë në këto institucione.  Kjo ka bërë që studentët të frikësohen, jo vetëm për humbjen e mundësisë për të garuar në konkursin e magjistraturës, por edhe të druhen për vlerën që do të ketë diploma e tyre pas këtij vlerësimi. Studentët që kanë mbaruar studimet pranë universiteteve private, do të konkurojnë këtë vit për herë të parë në konkursin e magjistraturës. Sipas të njëjtave burime, këta studentë do të futen në provim si të barabartë me studentët e tjerë, të cilët kanë mbaruar studimet pranë universiteteve publike, pasi kriteret e pranimit do të jenë të njëjta. Numri i diplomave të magjistraturës këtë vit do të jetë më i madh se një vit më parë. Vitin që shkoi, studentët e fakultetit të Juridikut konkuruan për 10 diploma magjistrature, të cilat ishin të vlefshme vetëm për profilin e prokurorit, ndërsa diploma për gjyqtarë nuk ka pasur fare. Ndërsa, studentët që do të konkurrojnë këtë vit për të bërë të tyren një diplomë magjistrature, do të garojnë për 14 të tilla, 8 për gjykatës dhe 6 për prokurorë. Provimi me shkrim zhvillohet në një ditë për të dy profilet. Në pjesën e parë zhvillohet teza e formimit të përgjithshëm intelektual, e cila përmban testin e inteligjences dhe një Esse. Ndërsa në pjesën e dytë zhvillohet një test profesional, i cili permban pjesën teorike nga fushat e së drejtës, të parashikuara në programin e provimit të pranimit dhe pjesën praktike me dy raste nga praktika gjyqësore. Sipas burimeve nga Shkolla e Magjistraturës, mund të konkurojnë për diplomë të nivelit të tillë edhe studentët që janë diplomuar për Drejtësi jashtë vendit, por diploma e tyre duhet të jetë ekuivalentuar në Shqipëri, nga Ministria e Arsimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›