Drejtoria e qarkullimit rrugor, shkelje rekord
Drejtoria e Përgjithshme e Qarkullimit Rrugor ka thyer rekordin e abuzimeve sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shifra e abuzimit në këtë dikaster kap vlerën e 430 milionë lekëve. Këto abuzime kanë ardhur si pasojë e lejimit të qarkullimit përkohësisht në Shqipëri të mjeteve me targa të huaja, në kundërshtim me Kodin Rrugor. Si pasojë e kësaj, nuk janë vjelë për llogari të të ardhurave të buxhetit të shtetit 284 milionë lekë. Nga moszbatimi i Kodit Rrugor dhe akteve të tjera nënligjore për 4736 mjete të sekuestruara, përkatësisht mosfillimi i procedurës së shitjes së tyre me ankand, të ardhurat e munguara e të humbura buxhetit të shtetit, llogariten në 147 milionë lekë. Sipas raportit të fundit të KLSH-së, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bërë shkelje financiare që kapin vlerën e 25 milionë lekëve. Këto abuzime janë bërë si pasojë e dhënies së shpërblimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, mosndalimin e tatimit për shpërblimet e dhëna dhe shkelje të procedurës ligjore në fushën e prokurimeve publike. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe të Pastrimit të Parave janë evidentuar shkelje në dhënien e pagesave pa mbështetje ligjore për shpenzime operative, përfshirë edhe shpenzimet për udhëtim e dieta, në vlerën 238 milionë lekë.