E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandati ende i paqarte i Shqiperise

Ne njerëzve të shtypit, të etur për të kërkuar a provokuar një zënkë a një rivalitet midis kryetarit të shtetit e kryetarit të qeverisë (e të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nëse kemi parasysh emrat konkretë që përfaqësojnë këto dy institucione, kjo zënkë e ky rivalitet as që duhen menduar), na është dukur se e kemi gjetur më në fund rastin. Dhe kemi zënë të ngrejmë pyetjet: Kush do ta kryesojë delegacionin shqiptar në summit-in e Bukureshtit? Kush do ta përfaqësojë shtetin shqiptar në këtë summit? Kush do ta hedhë firmën në dokumentin e anëtarësimit në NATO? Ndërsa i ngrejmë këto pyetje, kjo çështje duket se është zgjidhur, megjithatë. Është zgjidhur pa ndonjë zhurmë të madhe. Këtë gjë na e bëri me dije kryeministri, i cili u tha gazetarëve se "është jashtë çdo diskutimi, që delegacionin do ta drejtojë Presidenti i Republikës". Dhe kështu, interesi e uria e gazetarëve për pakëz sherr ndërinstitucional janë shuar përpara se të lindnin.

Por ky interes e kjo uri gazetareske nuk janë të pakuptimta. Ne kemi në të shkuarën tonë të afërt më shumë se sa një precedent të një keqkuptimi të tillë mes dy prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Dhe kjo është shenjë, që na tregon se ka mes nesh një paqartësi lidhur me rolin përfaqësues në arenën ndërkombëtare të njërit apo tjetrit institucion. Është një paqartësi që buron edhe nga kushtetuta (Në nenin 92, pika ë, thuhet se "Presidenti lidh marrëveshje ndërkombëtare në përputhje me ligjin", ndërsa në nenin 102, pika b, thuhet se "kryeministri koncepton e paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore e përgjigjet për to"), edhe nga praktika e kontrasteve midis këtyre dy institucioneve. Në këto rrethana, sido që të ketë ndodhur në të shkuarën e sido që të ndodhë në të ardhshmen, ne jemi ballafaquar e do të ballafaqohemi me "uzurpimin" e funksionit përfaqësues të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në rrethanat pra, kur gjithçka është e paqartë, zgjidhja e kësaj çështjeje është bërë pas një përplasjeje protagonistësh, të cilët kanë shfrytëzuar ose fuqinë politike të momentit, ose konjuktura të brendshme të favorshme, ose vizibilitetin e miqtë ndërkombëtarë.

Fjala vjen, historia e marrëdhënieve të Rexhep Meidanit me kryeministrat e ndryshëm socialistë është karakterizuar nga një rivalitet i tillë, i cili është finalizuar "në dëm" të kryministrave. E vërteta është, që kjo nuk ka ardhur prej ndonjë patologjie protagonizmi nga ana e Meidanit (ky i fundit, ndryshe nga gjithë soji i politikanëve e shtetarëve shqiptarë, nuk ka demonstruar në asnjë rast protagonizëm të tepërt e bezdisës; përkundrazi, Meidani ka qënë më skrupuloz se sa duhet), por ka ardhur prej faktit që kryeministrat kanë qënë të dobët politikisht e institucionalisht në një moment të caktuar për arsye të caktuara. Dua të them me këtë që, nëse në shtator të vitit 1998, Presidenti i Republikës u shndërrua si me magji në një pikë referimi për gjithë të huajt e si i vetmi shtetar i besueshëm për ne shqiptarët, kjo nuk erdhi as prej kompetencave kushtetuese, as prej qasjeve furacake të Presidentit; kjo erdhi prej dobësisë fatale të të tjerëve e prej integritetit human e politik të vetë Meidanit përballë një situate të frikshme. Dua të them gjithashtu që, nëse Meidani "e ka fituar" më se një herë garën e përfaqësimit shtetëror me kryeministrin Pandeli Majko, kjo ka ardhur prej kuotimit më të lartë në bursën politike shqiptare e ndërkombëtare. Kjo do të thotë pra - po e përsëris - se roli i përfaqësuesit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ka qënë një rol "i rrëmbyer".

Në rrethana të tjera, në këtë përplasje të dukshme apo të padukshme, shpesh herë protagonistët kanë bërë figurë të keqe, qoftë me jargavitjen që u kanë bërë shtetarëve e diplomatëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, qoftë me betejat për të pozuar përballë fotografëve e për të këmbyer dy fjalë me këta personazhe, qoftë më në fund me betejat për t‘i shitur këto foto e këto takime pa asnjë rëndësi si patenta të besueshmërisë personale. Janë të panumërta anektodat, të cilat na tregojnë se si x politikan apo y ministër kanë lënë koqen e namit në garën për të rënë në sy e për të marrë rolin e një pezzo grosso-je në kontaktet me të huajt. Kur kjo lojë është shtrirë dhe në nivelet më të larta, nami i lënë ka qënë edhe më i madh. Për turpin e Shqipërisë, sigurisht.

Duke u kthyer tek situata e këtyre ditëve të fundit, nuk do të ishte e tepërt po të besonim se Presidenti Topi e ka "rrëmbyer" rolin e përfaqësuesit të Shqipërisë në Bukuresht. Dhe afërmendsh, kjo ka ardhur prej pozitave të dobëta të kryeministrit, i cili ndihet e është si mos më keq në rrethanat post Gërdec. Nuk ka gjasa që Presidenti ta ketë shfrytëzuar këtë moment duke bërë lëvizje të tijat nën rrogoz; është vetë situata e dobët e kryeministrit që penalizon këtë të fundit e favorizon të parin. Madje, është vetëdija e kryeministrit mbi gjendjen ku ndodhet, që e bën të dalë përballë gazetarëve e të deklarojë duke maskuar çdo mëri, inat e xhelozi, se "është Presidenti ai që do të kryesojë delegacionin".

Mirëpo, në këtë mes ka diçka që nuk shkon. Edhe pse nuk ka një përcaktim të qartë kushtetues, edhe pse nga ana tjetër praktika e marrëdhënieve ndërinstitucionale nuk ka krijuar një precedent të qëndrueshëm lidhur me funksionin e institucionit përfaqësues në arenën ndërkombëtare, logjika ta thotë se këtë funksion duhet ta luajë kryeministri.

Shqipëria është një Republikë tipike parlamentare, gjë që do të thotë se të vetmit që kanë një mandat të qartë e të padiskutueshëm përfaqësimi janë anëtarët e parlamentit, gjë që do të thotë më tej se i vetmi funksion i lartë shtetëror që e ka marrë legjitimitetin prej votës së popullit është kryeministri i vendit. Dhe të kuptohemi, fuqia e këtij të fundit nuk buron prej faktit që ai del e njihet si kryeministër pas një procesi votëbesimi që u kërkohet njerëzve të zgjedhur nga populli, por nga fakti që ai ka kërkuar votën e zgjedhësve e është votuar nga zgjedhësit si mëtues "i fronit" kryeministror. Dhe është ky mandat popullor i pakonkurueshëm që duhet të gjejë pasqyrimin e vet me një gjuhë të qartë edhe tek kompetencat kushtetuese të kryeministrit (në fakt, të Këshillit të Ministrave) në lëmin e politikës së jashtme.

Kjo është arsyeja që kryeministrit i takon ta ushtrojë funksionin e përfaqësuesit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të ndodhë kurrë në Greqi apo në Itali (të cilat kanë një organizim shtetëror krejt të ngjashëm me tonin), që Presidenti të ushtrojë funksionin e përfaqësuesit në takime të rëndësishme ndërkombëtare, ku merren vendime historike lidhur me vendet e tyre. Nuk para ndodh gjithashtu, që për të mos prishur qejf, për të shmangur keqkuptime të ndryshme e për të zbutur protagonizma shtetarësh mistrecë, të merret si zgjidhje përfaqësimi me dy koka. Janë kryeministrat ata që e luajën këtë rol. Gjithmonë. Të vetëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›