E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajak me mandat

Shqipëria është një parajsë e vërtetë, nëse është e vërtetë se druri ka dalë nga xheneti. Futboksi po bëhet gjithnjë e më shumë i dashur për tifozët tanë, që në mes ose në fund të ndeshjeve të futbollit shijojnë edhe ndonjë raund boksi, kik boksi, keçi e të tjera kësodore. E veçanta e këtij sporti është se, ndryshe nga bota, nuk zihen tifozët, apo huliganët, siç njihet termi ndërkombëtar për këtë soj, por rrihen lojtarë me lojtarë, trajnerë me lojtarë, lojtarë me arbitra dhe të gjithë bashkë me njëri-tjetrin. Rrallë e tek ndodh që populli të zbresë në fushë apo të zhdëpet nëpër shkallë. Por më e rralla ndoshta në gjithë analet e futbollit botëror ka ndodhur në Krujë, ku jo populli, por një përfaqësues i zgjedhur me votën e tij të lirë përfaqëson denjësisht huliganizmin. Vetë deputeti zbret për të ushtruar mandatin që i ka dhënë elektorati, duke ia ndezur syve arbitrit të një ndeshjeje futbolli. Për t‘i sqaruar që në fillim muhabetet, fjala "huligan" (hooligan) nuk është përdorur në asnjë ngjyrim emocional, përveç kuptimit të tij të parë dhe të mirëfilltë në fjalor: të rinj të ashpër, të egër apo të dhunshëm. Ka disa variante të prejardhjes së këtij emri. Sipas anglezëve, (http://en.wikipedia.org/wiki/Hooliganism) për herë të parë "huligan" është dëgjuar në fund të shekullit 19, për të përshkruar sjelljen e gangsterëve të rrugës. Një tjetër teori thotë se kështu quhej një familje fshatare në Irlandë, në shekullin e 19-të, e njohur për mënyrën e egër të jetesës, e për pasojë kjo nofkë përdorej për këta lloj njerëzish. Po huligan me mandat nuk e gjen në asnjë faqe interneti, në asnjë fjalor të sotëm e qitap të djeshëm. Që të rrihet një deputet shqiptar, kjo nuk është ndonjë ngjarje e re, se në Kuvendin tonë, jo me grushte, shqelma, celularë e vazo janë qëlluar, por edhe me pistoletë i kanë shtirë deputetit, nga Beqir Valteri që plagosi më 23 shkurt të 1924-ës Kryeministrin Ahmet Zogu, te deputeti Gafurr Mazreku që më 18 shtator 1997 brenda Kuvendit zbrazi karikatorin mbi deputetin Azem Hajdari. Nuk është e re as që deputetët të përleshen edhe jashtë Kuvendit. Ajo që nuk gëlltitet dot është që të nesërmen e bëmës, një pjesëtar i një organi, që sipas pikave 1 dhe 2 të nenit të Kushtetutës është përfaqësuesi më i lartë i sovranitetit në këtë vend, del në konferencë për shtyp dhe thatë fare pranon: "Arbitrin e kam goditur unë dhe vetëm unë". Pas kësaj pritej që të paktën të kërkonte o ndjesë ose dorëheqjen, por zotëria, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, me flamurin kombëtar në krahun e tij të djathtë, shton se fajtor ishte arbitri! Pra e ka zbuluar vetë fajtorin dhe më pas e ka ndëshkuar po me duart e tij. Ka qenë prokuror, gjykatës, polic në të njëjtën kohë, detyra që në fakt ia ndalon Kushtetuta në nenin 69 të saj. Nuk po them që me Kod Penal, në nenin 237 të tij përcaktohet se "goditjet ose veprime të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet". Të përfytyrojmë për një çast një dava në gjykatë që nuk po të zgjidhet. Po të kesh shok një deputet të vuxhutshëm si ai i Krujës, e merr me vete, bën peshk gjykatësin, zgjidh hallin dhe del pa lagur. Apo ta bien në majë të hundës në ambasadë? Çon babuçin aty, shalon në hu konsullin dhe merr vizën. Ose pse të mos çojmë ca edhe në Bruksel ne, që të rrahin paq ca eurodeputetë e komisionerë aty e të na fusin në BE me pahir se me hir nuk dashkan? Në gjithë këtë komedi, pjesa tragjike është se zoti Paturri beson thellësisht se deputeti është si tip beu, që nuk është aspak i barabartë me të tjerët para ligjit, dhe se për shkak të imunitetit mund të marrë mbi vete edhe rrahjen, pasi drejtësia nuk ka ç‘i bën. Them "marrë mbi vete", sepse ekranet shqiptare shfaqën qartë fare çastin kur mbi gjyqtarin e rrethuar nga futbollistët ngrihet krahu i një lojtari, i cili furishëm lëshohet mbi arbitrin. Në të vërtetë, as mua dhe besoj as shumicës së bashkatdhetarëve të mi nuk na ha fort meraku për dajakun që ha një arbitër futbolli. Në fund të fundit ai i ka dalë vet zot vetvetes dhe zanatit të tij, e di vetë se ku duhet të ankohet kur ia përveshin syve. Halli është neve kush na del për zot? Pas konferencës për shtyp të së hënës, deputeti Paturri doli sërish të martën dhe, jo vetëm që nuk kërkoi të falur, por me burrëri të madhe përsëriti se gjyqtarin e goditi me duart e tij dhe se në stadium nuk qe si qytetar, por si deputet! Ǒduhet të bëjmë ne të zinjtë në një rast të ngjashëm, kur një të zgjedhuri nga populli t‘i kërcejë delli e të na kërcejë në hu? Të ankohemi? Kot që lodhemi, se ky i Krujës e përsërit përditë që ka rrahur në mes të ditës në mes të stadiumit një njeri që bënte punë e tij dhe nuk po merret kush me të. T‘i kthesh dorë... nuk të del edhe aq mirë, sepse, së pari kanë takat më shumë se ne, së dyti kanë edhe nja katër a pesë të tjerë gjithmonë me vete dhe së treti, po e vure poshtë ti, edhe pa ia nxirë syrin, i ha nja tre vite të mira burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›