Bode dhe Xhuveli, abuzuesit më të vegjël
Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Mjedisit si dy ministritë më pak abuzuese të vitit 2007. Gjithsej ky institucion ka kontrolluar vetëm 6 ministri të kabinetit qeveritar, ndërkohë që Ministrisë së Financave i përllogaritet një dëm që kap vlerën e vetëm 1 milion lekëve dhe në fund të klasifikimit të ministrive abuzuese ndodhet sektori i drejtuar nga kreu i agrarëve, Lufter Xhuveli. Përllogaritja e dëmit të përgjithshëm që i është bërë buxhetit të shtetit për vitin 2007 është rreth 500 milionë lekë. Këto para janë shpërdoruar duke abuzuar me paga dhe shpërblime, por një pjesë e mirë e këtyre abuzimeve janë kryer si pasojë e prokurimeve publike. Shpenzimet operative të gabuara dhe përdorimi i të ardhurave për udhëtimet dhe dietat jashtë dhe brenda vendit, i kanë sjellë buxhetit të shtetit një kosto të lartë abuzimi për vitin që lamë pas.