“Jo ndryshim të sistemit, por shtim të zonave të administrimit”

Reforma Zgjedhore, KQZ paraqet propozimet në komision
Komisioni Qendror i Zgjedhje nuk kërkon ndryshim të sistemit apo korrektim të tij, por shtim të zonave të administrimit zgjedhor. Në draftin, që KQZ i ka dërguar 10 deputeteve të reformës elektorale, kërkohet shtimi në 100 nga 66 i numrit të KZAZ-ve. Kërkesa synon, që puna për menaxhimin e zgjedhjeve të mos përqendrohet vetëm në duart e pak individëve, që mund ta bllokojnë atë. Po ashtu KQZ kërkon, më tepër kohë për shtypjen e fletëve të votimit. Nisur nga pengesat, që dolën në zgjedhjet e 8 majit, sipas këtij organi fletët duhen prodhuar të paktën 1 muaj me herët nga ç’parashikon kodi aktual. Në kodin e ri duhen përcaktuar dhe afate të reja për ruajtjen e fletëve, të cilat tashmë nuk duhen djegur siç është vepruar deri më tani, por ricikluar. Komisionit të reformës i kërkohet të ripërcaktojë renditjen e koalicioneve dhe subjekteve në fletën e votimit. Në rast se një anëtar i KQZ-së apo i komisioneve të niveleve të dyta largohet për mbi dy orë nga vendi i punës ditën e zgjedhjeve, atëherë ai duhet të shkarkohet automatikisht. Ndërkaq shtrëngohen afatet e emërimit të komisionerëve. Një tjetër element që KQZ kërkon të shtohet në kod, për të shmangur vonesat qe ndodhën në 8 maj, është dhe hapja e njëkohshme e të gjitha kutive në qendrën e numërimit. Më pas të nisë numërimi, sipas ngjyrës së fletëve dhe organit për të cilin garohet.
Të vegjlit: Pa korrektimin e sistemit zgjedhor do rishikojmë aleancat politike/Pas kërcënimeve të të majtëve, edhe partitë e vogla të djathta këmbëngulin në korrektimin kombëtar të sistemit elektoral. Ndonëse komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur vetëm 2 herë, 2 anëtarët e tij, PR e LSI, kanë gati listën me propozimet, të cilat ende nuk janë shqyrtuar. “Vota të jetë e barabartë në të gjitha qarqet e Republikës dhe jo vota e një partie tjetër përveç Partisë Demokratike apo edhe Partisë Socialiste të numërohet për një forcë tjetër politike. Ka propozime për një korrektim kombëtar të sistemit aktual. Të bëhet një reformë në ndarjen administrative territoriale të vendit, ku të zvogëlohet numri i qarqeve, nga 12 në 6”, shprehet Vangjel Tavo. Ndërsa republikani Arjan Madhi thotë se “duke vënë përparësore fillimisht çështjen e korrektimit të votës, së dyti, duke thënë që komisionet e Reformës Zgjedhore tashmë në përbërjen e tyre duhet të ndryshojnë domosdoshmërish. Sunduar mjaftueshëm administrimi nëpërmjet komisionerëve politik, është një administrim i dështuar. Është domosdoshmëri nevoja e konkurrimit të hapur, me lista të hapur e i numërimit dhe votimit elektronik”, thotë ai. Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, të djathtët deklarojnë se lëvizjen taktike do ta ndërmarrin në prag të zgjedhjeve. Kjo do të thotë rishikim i aleancave. “Nëse nuk do të binden, sigurisht ne nuk mund të përdorim instrumente imponimi se do të ishim abuziv. Ne kemi taktika të ndryshme elektorale, që mund t’i aktivizojmë. Formimi i koalicioneve të ndryshme, të cilat nuk kundërshtojnë filozofinë mbi bazën e të cilave ato qëndrojnë, por ndërtojnë raporte marrëdhëniesh për të maksimalizuar votën në elektorat, unë nuk besoj që do të ishte një veprim i gabuar”, tha Arjan Madhi. Në komisionin e Reformës Zgjedhore kanë mbërritur tashmë pothuajse të gjitha propozimet nga shoqëria civile dhe partitë jo-parlamentare. Ato do të shqyrtohen nga ekspertët, të cilët mund t’i përfshijnë ose jo në draftin përfundimtar, që do t’u paraqitet anëtarëve për votim.
...