E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, festohet 21 vjetori i themelimit të PD

11-01-2012 / Gazeta 55

Nënkryetarja e PD, Topalli: Sot, Shqipëria është një vend i zhvilluar dhe me model ekonomik të suksesshëm 

Kryetarja e Kuvendit dhe njëherazi nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli përshëndeti sot nga Tropoja, 21 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, të forcës së parë politike opozitare. Znj.Topalli e cilësoi krijimin e PD si një moment tepër të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Sipas saj, sot Shqipëria është një vend që ka ndryshuar, një vend që përparon drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Kryetarja e Kuvendit konstatoi se falë reformave të qeverisë, Shqipëria i rezistoi efekteve të krizës ekonomike, pavarësisht se vendet fqinje janë janë në recension të thellë. “Sot për mua ky është një takim shumë i veçantë. Unë së pari dua t’ju uroj ditëlindjen e Partisë Demokratike të degës Tropojë. Gëzuar! Sot është një Tropojë që ka ndryshuar. Një Shqipëri që ka ndryshuar. Një Shqipëri që jeton një moment që jo ndoshta vetëm ne, shqiptarët por edhe qytetarët e vendeve europiane dhe të kontinenteve të tjerë e shohin se si është në rritje ekonomike, edhe pse e rrethuar nga vende që janë në krizë. Ne shqiptarët nuk kaluam në recension. Shqipëria jonë nuk është në krizë. Por pyetja e natyrshme është: si ka mundësi që në Shqipëri nuk ka krizë e në Itali ka krizë? Si ka mundësi që në Shqipëri nuk ka krizë e në Europë ka krizë? Në vendet e tjera ka probleme? Analizat e ndryshme ekonomike thonë se për të dalë nga kjo krizë që ka mbërthyer Europën duhen reforma strukturore, duhen shkurtime të shpenzimeve, ulje të pensioneve, transparencë. Duhet një vizion për energjinë, një vizion për bujqësinë, duhet infrastrukturë. Dhe kjo është çdo gjë që ka bërë qeveria “Berisha” këtu në Shqipëri.

 A nuk ka qenë ky modeli ekonomik i suksesshëm? A nuk është ky vizioni që çon përpara kombin e vet? A nuk e kemi bërë ne këtë? A nuk e ka bërë qeveria gjatë kësaj periudhe? A nuk kemi ne arsye për të qenë të qetë, për të qenë krenarë? A nuk kemi ne arsye për ta ndierë veten si rrallë më parë në historinë tonë si njerëz me dinjitet, krenarë që jemi shqiptarë, që jemi ata që bëmë të mundur realizimin e ëndrrave? Me këtë rast dua të falënderoj themeluesit e Partisë Demokratike. Dua të falënderoj të gjithë anëtarësinë, demokratë e demokrate që 21 vite më parë besuan se Shqipëria mund të bëhej ndryshe. Ata besuan tek liria”- u shpreh Topalli. Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë strukturën e Partisë Demokratike por edhe të gjithë qytetarët e Tropojës, burra dhe gra për periudhën e vështirë të 97-ës dhe pas 97-ës. “Mbi të gjitha dua të përulem me nderim dhe respekt përpara këtij flamuri që ne e mbajtëm dhe e ngritëm lart për shekuj por edhe flamurit të partisë sonë që na bëri të ndihemi të lirë. Unë, duke e mbyllur ju uroj juve të gjithëve gëzuar këtë Vit të Ri, shëndet në familjet tuaja, gëzime gjithmonë në qytetin tuaj, me njerëzit tuaj të dashur. Unë jam e sigurt se autoritetet lokale këtu, ashtu si autoritetet qendrore në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë do të organizojnë shumë aktivitete. Ne duhet të nderojmë Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin, ashtu siç nderojmë Ismail Qemalin sepse nderojmë flamurin, nderojmë veten, nderojmë ekzistencën tonë, nderojmë historinë tonë”- tha më tej nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›