E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, penduari rrëfen vrasjet që ka kryer me Berishën dhe Dervishajn

Nën masa të rrepta sigurie, edhe dje vijoi për 7 orë dëshmia e Adriatik Colit. I penduari rrëfen detaje për vrasjet: “Lul Berisha bëri atentat ndaj meje”

Laureta Rryçi

I penduari i bandës së Durrësit ka vijuar dje dëshminë e dytë, për shtatë orë me radhë, duke rrëfyer për dhjetëra krime. Gjatë kësaj seance, e realizuar me dyer të mbyllura për mediat, Adriatik Coli mësohet se ka dëshmuar lidhur me vrasjen e Eduard Ongarit, kryer nga personi i njohur si kreu i bandës dhe atentati që iu bë atij kur ishte në shoqërinë e së fejuarës nga njerëzit e Lul Berishës. Kjo është seanca e dytë që zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku bashkëpunëtori i Drejtësisë, Adriatik Coli, dëshmon në procesin për anëtarët e bandës së Durrësit. Dëshmia e Colit cilësohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si një nga provat më të rëndësishme të saj për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të kësaj bande. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan dje se Coli ka rikthyer edhe njëherë në sallën e gjyqit gjithçka që ka thënë me shkrim në aktet e prokurorisë, duke rënduar edhe më shumë pozicionin e të gjithë të pandehurve.
Dëshmia
I penduari Adriatik Coli vijoi dje dëshminë e tij në atë pikë ku e kishte lënë gjatë dëshmisë së seancës së kaluar, e zhvilluar tri ditë më parë. Burime që ishin të pranishme në sallë treguan se ai e ka filluar me plagosjen e tij, duke akuzuar si autor Lulzim Berisha dhe ka dëshmuar për disa vrasje, mes të cilave edhe ekzekutimin në vitin 1999 të shtetasit Eduard Ongari. Sipas Colit, plagosja e Ongarit është bërë për shkak se u largua nga banda e Lulzim Berishës, duke u bërë pjesë e bandës kundërshtare që udhëhiqej nga Klodian Saliu. Sipas rrëfimit të të penduarit, “Saliu u ekzekutua vite më pas me urdhër të Berishës dhe banda filloi të drejtohej nga Idrit Dokle dhe vetë i penduari”. Prokuroria për Krime të Rënda, në datën 09.03.2006 ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar Procedimin Penal Nr. 28 për ngjarjen e datës 12.12.1998 në lidhje me plagosjen e shtetasve Adriatik Coli dhe Rudina Tanku. Ky procedim penal është bashkuar me Procedimin Penal Nr. 35 të vitit 2005. Derisa Coli pranoi të ishte bashkëpunëtori i Drejtësisë, prokuroria i kishte vënë shënimin kësaj dosjeje: “pa autorë”. Ndërsa për vrasjen e Eduard Ongarit mësohet se Coli ka dëshmuar se “është kryer bashkë me Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishajn. Sipas Colit, Ongari u ekzekutua për shkak se ishte mbështetës i bandës rivale që në atë kohë drejtohej nga Marsel Sotiri. Ky i fundit është vrarë disa muaj më vonë, pas ekzekutimit të Ongarit.
Procesi
Dy seanca më parë, Adriatik Coli zbuloi para gjykatësve, pas një maratone të gjatë pyetjesh, dhjetëra krime, zanafillën, zhvillimet dhe autorët e tyre. Ai ka shpjeguar në detaje se si u njoh me Lul Berishën dhe si u përça banda e Durrësit. Në rrëfimin e tij përfshihen vrasje të bujshme, pazare të prishura të drogës mes anëtarëve të bandës. Gjyqi ndaj 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007, ndërkohë që prokuroria ka thirrur rreth 105 dëshmitarë në proces. Të akuzuarit janë arrestuar gjatë katër viteve të fundit, në operacione të ndryshme policore, si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehurit dyshohen se janë autorë të një sërë ngjarjesh kriminale, si disa vrasje e trafiqe ilegale të ndodhura para disa vitesh në Shqipëri.

Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan (Adriatik) Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›