E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo shkelmin Kushtetueses

Nëse deri tani, prej pesë vjetësh rresht koalicionet qeverisëse, si edhe ky aktuali, vazhdimisht e kanë shkelur Ligjin Themelor të shtetit tonë, gjatë kësaj periudhe Gjykata Kushtetuese herë–herë ka arritur ta frenojë këtë vrik të pashembullt, duke vendosur në mbi 20 raste për shfuqizimin e disa ligjeve, akteve nënligjore dhe dispozitave të veçanta të projektuara nga Ekzekutivi dhe të miratuara njëanësisht vetëm me votat e maxhorancës parlamentare. Një nga shembujt më kuptimplotë dhe më të freskët për kujtesën e opinionit tonë publik dhe më gjerë është fati që e ndoqi pas dyerve të këtij institucioni të rëndësishëm Marrëveshjen për Delimitimin e Kufijve Ujorë në Detin Jon, e hartuar tinëzisht dhe e nënshkruar pabesisht nga qeveria greke e Karamanlisit, me atë shqiptare të Berishës.
Ky rast dhe plot të tjerë, për të cilët do të ishte e tepërt të ndaleshim në hollësira, detaje dhe efekte, tek e fundit kanë treguar autenticitetin e rolit që ka edhe në vendin tonë organi i rishikimit kushtetues, që për dekada të tëra është theksuar dhe provuar në Europën Perëndimore. Pra, në thelb, përsëri kemi të bëjmë atë çka thoshte juristi i shquar austriak, Hans Kelzen, për sistemin europian në këtë fushë, pranuar fillimisht si fryt i punimeve teorike të tij: “Rendi juridik nuk është një sistem normash juridike në të njëjtin rang, por një ndërtesë shumëkatëshe, njëri mbi tjetrin, një piramidë ose hierarki e formuar nga disa kate apo shtresa normash juridike”.
Në një të tillë sistem është logjike dhe e natyrshme që të kërkohet kontrolli i pajtueshmërisë ose jo të çdo norme me normën e saj më të lartë, për të vërtetuar vlefshmërinë e tyre. Në këtë zinxhir kalohet te hallka, gjithashtu e nevojshme, e kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve. E nevojshme, sepse asnjë dispozitë ligjore nuk mund dhe nuk duhet të lejohet që të japë efektet e veta, nëse është antikushtetuese. Mirë, le të zbresim më poshtë në një terren konkret, me këmbët në tokën tonë.
***
Para pak ditësh, në një dalje publike, Presidenti i Republikës, i cili dihet tashmë që ka dështuar në negocimet për zgjidhjen e krizës politike, midis të tjerash u shpreh se, Shqipëria nuk ka aktualisht mangësi strukturash institucionale dhe mungesë dijesh. Ndoshta është e vërtetë kjo që tha ai, por nuk duket e ilustruar mirë, veçanërisht tani, me ushtrimin e një kompetence tjetër që ka Kryetari i shtetit, përveç asaj për t’u bërë arbitër në momente krizash politike.
Në këto radhë, fjala është për emërimin nga ai të gjyqtarëve kushtetues, veprimtaria e të cilëve justifikohet dhe fokusohet te mënyra e ballafaqimit që u bëjnë ata akteve legjislative me Kushtetutën, deri në interpretimin e kësaj të fundit, nëpërmjet vendimeve të fuqisë detyruese, të përgjithshme dhe përfundimtare. Prandaj, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 125/2 urdhëron që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të “emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion”.
Dhe, pavarësisht vërejtjes që bëhet në literaturën juridiko – kushtetuese se, sipas kësaj dispozite nocioni i përvojës së punës në profesion është disi i papërcaktuar, edhe praktika jonë e deritanishme e ka zgjeruar kuptimin, duke u zgjedhur si gjyqtarë kushtetues juristë me përvojë pune të konsiderueshme dhe të kualifikuar jo vetëm në sistemin gjyqësor të juridiksionit të zakonshëm (edhe këta kryesisht në nivelet e larta të këtij sistemi), por edhe nga radhët e juristëve të njohur me kontribut të spikatur në drejtime të tjera të fushës së të drejtës.
Në këtë kuptim është bindës pretendimi i theksuar kohët e fundit edhe nga faktori ndërkombëtar, që dhënia e pëlqimit nga Kuvendi e dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet, së paku, me shumicë të cilësuar votash (me tri të pestat e tyre) dhe jo me shumicë të thjeshtë, siç përmbahet aktualisht në aktet e shtetit tonë. Argumente pro këtij pretendimi mbështeten edhe te legjislacioni i vendeve të tjera europiane si, për shembull, te ai i Gjermanisë etj.
Ndoshta edhe për këtë arsye, por edhe me shpresën se do të zgjidhej së shpejti kriza e rëndë politike, duke përfshirë aktivisht deputetët e opozitës në punimet e Parlamentit, Presidenti Topi deklaroi para disa kohësh që ai do të firmoste dekretet e emërimit të gjashtë anëtarëve në vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, aty nga fundi i Majit. Por, nuk ndodhi kështu. Firma e Kryetarit të shtetit mbi tre dekrete u hodh që në mes të këtij muaji, duke u rakorduar (rastësisht apo jo?) edhe me gatishmërinë e shpejtë të anëtarëve nga maxhoranca të Komisionit parlamentar të Ligjeve, për t’ia kaluar menjëherë seancës plenare për dhënie pëlqimi.
Në ushtrimin edhe të këtij funksioni të Kryetarit të shtetit, përgjegjësia është e konsiderueshme dhe diktohet nga domosdoshmëria e një shqyrtimi ose seleksionimi të kujdesshëm të aplikantëve për vendet vakante të gjyqtarëve kushtetues. Sepse, vërtet që emërimi nga ana e kreut të shtetit kushtëzohet prej pëlqimit të Kuvendit, sidoqoftë pesha e aktit të Presidentit të Republikës rëndon mjaft, ngaqë sipas sistemit hibrid që parashikon Kushtetuta jonë mund të mos jepet pëlqimi në Parlament mbi kandidaturat e emëruara nga Presidenti, por nuk mund të paraqiten atje kandidatura të reja, sepse kjo mbetet prerogativë vetëm e Presidentit.
***
Mirëpo, ngutja e Presidentit Topi të bën përshtypje edhe më të madhe, kur merret vesh që dekretet e emërimit të tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese s’iu përgjigjeshin plotësisht CV – ve të përshtatshme. Për tre aplikantët, mund të thuhet që vetëm njëri prej tyre i plotësonte kushtet e gjithëpranuara. Dhe, megjithatë, deputetët e maxhorancës, pjesëmarrës në seancën e fundit plenare të Kuvendit, ku mungonin anëtarët e opozitës, në përgjithësi nuk denjuan të japin pëlqimin mbi kandidatin që mund ta meritonte funksionit autoritar në fjalë.
Për se të ndodhte kështu, kur pikërisht ky i fundit ka ushtruar më parë mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, duke qenë në këtë pozicion, sigurisht, edhe bashkautor i disa vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara, për diskutimin aktiv, hartimin konkret dhe votimin korrekt të të cilave kërkohet zakonisht aftësi e lartë interpretimi, kulturë jo e paktë krahasimi dhe forcë bindëse përgjithësimi. Më pas, emri nuk i është harruar, sepse karriera e tij si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe si avokat kryesisht në fushën e të drejtës tregtare ka qenë e suksesshme.
Përkundrazi, me shumicë të konsiderueshme votash u dha pëlqimi mbi dy të emëruarit e tjerë, përvoja e deritashme e të cilëve është mbështetur vetëm në detyrën e gjyqtarit të zakonshëm të shkallëve më të ulëta, që në sistemin tonë, i cili i përket atij europian, tek e fundit mund të arrijë të praktikojë të ashtuquajturin ‘kontroll incidental me referim’, duke pasur pra të drejtë vetëm pezullimin e gjykimit të ndonjë çështjeje, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese që kjo të vendosë rreth antikushtetutshmërisë eventuale të ligjit.
Madje, një nga këto dy kandidatura është emëruar jo shumë kohë më parë nga Presidenti Topi edhe si anëtare e Gjykatës së Lartë, por që nuk iu dha pëlqimi as prej shumicës së thjeshtë të Kuvendit. Përveç ngutjes, edhe kjo këmbëngulje për t’i dhënë kësaj gjyqtareje të zakonshme (pavarësisht dështimit në caktimin e saj te kreu i sistemit gjyqësor) një vend akoma më të cilësueshëm, domethënë, në përbërje të trupës 9-anëtarëshe të organit të rishikimit kushtetues, nuk mund të mos ngjallë pikëpyetje, hamendje dhe diskutime, që hedhin hijen e dyshimeve të ndryshme.
***

Pikëpyetja më e përhapur këto ditë në qarqet e juristëve, specialistëve në disa fusha dhe e mjaft intelektualëve në tërësi, vihet menjëherë pas fjalisë: çfarë do të bëhet me emërimet në vendet e tjera vakante për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese? Asnjë emër tani nuk mund të artikulohet saktësisht në vend të përgjigjes. Aq më tepër, kur jo vetëm që të drejtën e seleksionimit dhe të shqiptimit të tyre e ka vetëm Presidenti, por edhe kur ndërmjet aplikantëve ka mjaft juristë të shquar. Për shembull, njëri është profesor i njohur dhe ekspert i nivelit të lartë i të drejtës ndërkombëtare publike (të mos harrojmë domosdoshmërinë e njohurive të thella edhe për të shqyrtuar, relatuar e votuar rreth kushtetutshmërisë apo jo të marrëveshjeve ndërkombëtare të miratuara dhe të ratifikuara).
Nuk mund të shpërfillet, gjithashtu, kandidatura e një pedagogu të formuar, ish ministër i Drejtësisë dhe ish nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sikurse edhe ato të disa të tjerëve, që kanë qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë, ose që janë pedagogë të së drejtës kushtetuese, apo që njihen si specialistë të spikatur të degëve të tjera të së drejtës etj.
Përndryshe, s’do të qe aspak çudi të krijohej përshtypja që, nëse vazhdohet të veprohet në këtë mënyrë, kur përveç se është bërë zakon të shkelet me të dy këmbët Ligji Themelor i shtetit, tani të ‘ligjërohet’ synimi i një klani të caktuar që t’i vihet shkelmi organit për rishikimin dhe garantimin kushtetues. Një e keqe kjo po aq e madhe, në mos edhe më tepër, me efekte negative më të gjata, se sa vet krizat politike dhe ato institucionale, të cilat me këtë mënyrë të vepruari ka gjasa të përsëriten dhe të thellohen më tej!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›