E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitësit i marrin 7 mijë euro studentit biznesmen



Etleva Delia

Tre persona i grabitën 7 mijë euro një studenti të Inxhinierisë në Tiranë, pasi e sulmuan fizikisht pranë "Selvisë" në kryeqytet.Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në afërsi të kryqëzimit te "Selvia" me "Rrugën e Dibrës" në Tiranë. Fatmir Binaku, me origjinë nga qyteti i Gjakovës në Kosovë, i cili priste të diplomohej për Inxhinieri, po kthehej në shtëpi rreth orës 22:00, pasi kishte mbyllur dyqanin, ku tregtonte mallra të ndryshme. Ai ka hyrë në një rrugicë të errët në momentin që është sulmuar nga tre persona, të cilët sipas përshkrimit të tij, ishin në moshë të re. Grabitësit e kanë rrahur studentin duke e goditur me shkelma dhe pasi i dëmtuari ka rënë përtokë, i kanë marrë nga çanta shumën prej 7 mijë eurosh. Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. I dëmtuari menjëherë ka telefonuar në sallën operative të policisë dhe ka denoncuar ngjarjen. Një patrullë e Komisariatit nr.4 ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Policët kanë transportuar në spital të plagosurin dhe më pas i kanë marrë deklarimet rreth ngjarjes. Burime nga policia thanë se Fatmir Binaku, ishte bashkëpronar në një dyqan ndërkohë që vazhdonte studimet në Inxhinieri. Ai jetonte me gruan në një apartament pranë vendit të ngjarjes, ku po kthehej duke mbajtur me vete 7 mijë euro, paratë e personit tjetër, me të cilin ai administronte biznesin. Gjatë dëshmisë në polici, ai ka shpjeguar se si është sulmuar nga 3 personat, që i kishin zënë "pritë" te rrugica që e çonte drejt shtëpisë. I dëmtuari ka hedhur dyshime se grabitësit mund ta kenë ndjekur në lëvizjet e tij që nga dyqani. Studenti ka pretenduar në dëshminë e tij se autorët mund të kenë pasur dijeni, ose mund të kenë qenë informuar nga ndonjë person tjetër, për shumën e parave që kishte në çantë, pasi ngjarje të tilla nuk i kishin ndodhur më parë. I pyetur rreth personave që e kanë rrahur dhe grabitur, Fatmir Binjaku nuk ka mundur të japë shumë detaje rreth tyre, pasi sipas tij në atë moment ishte errësirë dhe nuk ka arritur që të fiksojë personat. Megjithatë i dëmtuari ka thënë se autorët e ngjarjes kanë qenë djem të rinj, të veshur me xhinse dhe të pamaskuar. Oficerët e seksionit të Vjedhjeve të Komisariatit nr.4 kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, pasi kanë fiksuar edhe disa shenja gishtash në çantën ku studenti Binaku pretendonte se mbante paratë para se t'ia grabisnin. Policia deri në orët e mbrëmjes së djeshme, deklaroi se ende nuk kishte identifikuar autorët e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›