Dy aksidente me motorë, një vdes, 4 të plagosur
TIRANE - Një i vdekur dhe katër persona të plagosur është bilanci i dy aksidenteve me motorë, që ndodhën 24 orët e fundit në zona të ndryshme të kryeqytetit. Aksidenti më i rëndë u regjistrua rreth orës 18:00, në rrugën që kalon nga zona e Tufinës në drejtim të Uzinës së Filerisë në Tiranë. Gani Gjuzi, 23 vjeç, i cili po drejtonte një motor tip "Honda", me targë KR 140 A, ku ndodhej si pasagjer edhe 17-vjeçari Drilon Thaçi, nga shpejtësia e madhe është përplasur në pjesën e pasme të një makine tip "Benz", që drejtohej nga 34-vjeçari Eduart Xharo. Si pasojë e përplasjes, motori ka kaluar në trotuarin në anë të rrugës e më pas është përplasur fort me kolonën e një banese private. Nga përplasja kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesi i motorit, Xhuzi, pasagjeri, Thaçi, si dhe një kalimtar që po ecte në trotuar në ato momente, 27-vjeçari Hysni Muça. Të tre të aksidentuarit janë transportuar në Spitalin Ushtarak, nga drejtuesi i "Benzit", Eduart Xharo, i cili u arrestua me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Pesë orë pas aksidentit, drejtuesi i motorit, Gani Guzi, ka humbur jetën, ndërsa pasagjeri 17-vjeçar ndodhet në gjendje kome. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e kalimtarit të aksidentuar nuk paraqet rrezik për jetën. Një tjetër aksident me motor ka ndodhur disa orë më vonë në lagjen "Ali Demi" të Tiranës, por që fatmirësisht nuk ka shënuar viktima. Engli Zhegu, 20 vjeç, duke drejtuar motorin me targë BT 01124, ka përplasur këmbësorin 70-vjeçar, Petrika Naço, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Në ngjarje është plagosur rëndë edhe vetë drejtuesi i motorit, Engli Zhegu.