E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infarkt në ceremoni nënkryetarit të Këshillit



BURREL - Infarkti i merr jetën gjatë një ceremonie zyrtare nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Burrelit. Bajram Ballabani ndërroi jetë pasi papritur u ndie keq. Ngjarja ndodhi 2 orë pasi Ballabani kishte drejtuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ai u merrte pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Burrelit, në njërën nga sallat e Pallatit të Kulturës, ku u nderua me titullin qytetar nderi pas vdekjes Hafiz Stafasani, klerik. Sapo mbaroi fjalimin e tij, Ballabani është ulur në krah të autoriteteve vendore dhe familjarëve të Stafasanit, por pas pak minutash është ndjerë keq. Skënder Lleshi, kryetar i Bashkisë Burrel, me profesion mjek, i ka shkuar në ndihmë shumë shpejt Ballabanit dhe në kohë rekord është bërë transportimi i tij në spitalin e qytetit. Pak çaste pasi ka mbërritur në urgjencën e spitalit, 70-vjeçari ka ndërruar jetë. Mjekët thanë se Ballabani kishte pësuar atak kardiak dhe rikthimi në jetë ishte i pamundur. Bajram Ballabani kishte përfunduar shkollën e lartë për aktrim dhe më pas ishte specializuar në regjisurë. Ka vënë në skenën e Teatrit Burrel disa drama e komedi. Pas daljes në pension ngriti në Burrel Estradën e Fëmijëve. Prej disa vitesh ishte këshilltar i Bashkisë Burrel, ndërkohë mandatin e fundit ishte zgjedhur nënkryetar i këtij këshilli. Për merita në fushën e artit, Këshilli Bashkiak e shpalli atë muaj më parë "Qytetar Nderi" të Burrelit. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›