Jo të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë
lashtësi kur Roma filloi ta projektonte pushtetin e saj përtej territorit te vet, rruga e parë e madhe, jashtë gadishullit Apenin, ishte rruga Egnatia, e ndërtuar nga pro-konsulli romak, Gaius Egnatius, diku aty nga mesi i shek. II p.e.s. Në traditën më të mirë të rrugë-ndërtimit romak, ajo ishte vazhdim i via Appia-s (rruga mbretëreshë, siç e quanin romakët). E kishte fillimin në Durrës, hidhej mbi Shkumbinin, shkonte pranë liqenit të Ohrit, kapërcente malet e zonës në Maqedoni dhe përfundonte në Selanik. Historia përcjell se via Egnatia ishte ndërtuar mbi një rrugë më të vjetër, para-ekzistuese. Nga rrugët kanë ardhur begatia, pushtimi dhe shkatërrimi.
Sidoqoftë edhe po të ishte rruga e bardhë Egnatia ende funksionale për qëllime turistike, tregtare a patriotike, dikush një ditë të bukur vere do ta bllokonte. Shpjegohemi. Kohët e fundit në vend po ndodh një fenomen i paparë, bllokimi i rrugëve nuk po na vjen nga agjentët atmosferikë si shiu me breshër, bora e madhe apo shembja e masivit shkëmbor por, nga ata agjentë politikë ose/dhe individë të ndezur (edhe etnikisht) dhe të ndjekur nga turma të zemëruara.
Më tej dihet se bllokimi është një tendencë simbolike e kahershme për të sfiduar rrjedhën e gjërave. Bile është trari i doganës mendore që ndan Republikën e Ligjit dhe satrapinë e Maliqit. Me dashje apo pa dashje rastet e shpeshta të bllokimit të akseve kryesore anembanë vendit identifikojnë bllokadën e rrugës si një efekt i amplifikuar dëshirës për anarki politike dhe shoqërore. Në politikë ishte Partia Socialiste që zbatoi teknikën guerrile të bllokimit të rrugës, që sipas Ramës “janë mesazhe për qeverinë”, pra duhen dekodifikuar si një mjet për të përforcuar kërkesat e tyre joligjore. Më pas metastaza e bllokimit të rrugës u përhap jo më politikisht por individualisht. Rasti i vrasjes se një 17 vjeçari në Lezhë, nga ana e policisë pasi këta të fundit ishin qëlluar - ishte shkak i bllokimit të aksit të veriut. Po ashtu bllokimi i rrugës në Himarë për vrasjen e himarjotit Aristotel Guma u provokua nga qarqe destabilizuese. Bile aq destabilizuese ngjau në një bilardo të Tiranës, ku republikani i moshuar Godo tha se shteti kapitulloi në Himarë.
I njëjti fenomen shqetësues ndodhi në fshatin Sauk të Tiranës, ku deputeti socialist besnik i Ramës, Bare mblodhi militant për të bllokuar rrugën, shkak ishte prerja e ujit, edhe pse banorët militantë nuk kishin paguar asnjë faturë. Para tre ditësh vrasja e një të riu 28 vjeçar në Librazhd ishte pretekst nga ana e familjarëve për të bllokuar rrugë. Kur u pyet babai i viktimës së përse u bllokua rruga, ai tha se ishte që shteti ta dënonte sipas ligjit, duke nënvizuar mosbesimin për dënimin e biznesmenëve vrasës. Cili është mesazhi që i japin protestuesit e kësaj kategorie qytetarësh, duke zaptuar rrugën ku duhet të kalojnë pa pyetur as për ligj dhe as për respekt për ta?
Aq problematik u bë ky problem saqë para dy ditësh, Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha theksoi çuarjen përpara ligjit të atyre që abuzojnë me të drejtat e tyre të protestës. Dhe se s’do tolerohet asnjë frymëzues aktesh të bllokimit të rrugëve, qoftë ai pushtetar vendor apo njeri me imunitet politik. Bukur fort vendosmëria e autoriteteve shtetërorë për të çuar radikalwt dhe teknikat guerile përpara ligjit. Presim zbatueshmërinë e vendosmërisë.
Sidoqoftë, bllokimi i rrugëve në të vërtetë mbart në vetvete një simbolikë të fortë: mbylljen e rrugëve të dialogut dhe të komunikimi me njëri tjetrit, në një kohë që dialogu dhe komunikimi janë më se të domosdoshme në një shoqëri demokratike dhe liberale. Sidoqoftë, bllokimi i rrugëve vazhdon duke na treguar simbolikisht se rruga drejt Europës është ende larg. Sepse pa fije rrugëkalimi për qytetarët mes tyre, shihet si një shprehje simbolike e dramës që kemi njëzet vjet që e përjetojmë: ndeshjen, pa respekt për qytetarin dhe ligjin, të dy forcave që nuk njohin asnjë pushtet tjetër përveç të vetvetes.