E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi/Një socialist në strofullin e Leprit

Kafsha e tretë shtëpiake më prezente në shtëpitë e socialistëve, sigurisht pas qenve bastardë dhe maceve tekanjoze, është lepuri. Ai është një gjitar i familjes së komunisto-morfëve dhe është i përhapur në dhjetëra raca të ndryshme, të seleksionuara nga neo-komunistët gjatë rrjedhës së 20 vjetëve. Leprat socialistë ndryshojnë njëri nga tjetri prej gjatësisë dhe gjerësisë obeze, ngjyrës së qimeve me brilantinë dhe formave të dhëmbëve të mbjella në Dubai.
Vazhdimisht vijon krijimi i racave socialiste të reja, por kryesisht këto ndodhin më përpara sesa karakteristikat e veçanta të tyre të regjistrohen në standarde të pranuara zyrtarisht nga Komiteti qendror i seleksionimit socialist në Politikën e Re. Lepurushi i shoqërisë së socialistit është në përgjithësi i dashur e shoqëror: megjithëse kjo nuk është e dallueshme nga protestat e urisë që mund të kërkojë një qen a një mace e importuar nga Italia, shumë lepuj kanë sjellje shumë të hapura dhe të gatshme të mirëpresin dashurinë që u ofrohet. Kur ata dallojnë nevojën për të ngrënë, nuk ndodh rastësisht që të afrohen tek këmbët e të zotit të tyre për të kërkuar leje ndërtimi dhe sheshe gjelbërimi, duke u ngritur në dy këmbët e përparme apo duke ngritur lart turirin e vogël. Edhe pse nganjëherë lepujt beratas marrin ndonjë shpullë.
Gjithsesi lepujt përgjithësisht janë paqësorë, përveç atyre lepujve gjenetikisht të modifikuar Ndryshe; kafshë perfekte për shoqërinë socialiste, nuk krijojnë shqetësime të veçanta, janë shumë të pastër dhe zakonisht jetojnë përballë Prokurorisë, pra në hapësira të përcaktuara nga ata vetë dhe nganjëherë të shënuara sipas mundësive të tyre.
Gjithashtu është për t’u përmendur se lepujt afaristë janë pak tekanjozë për sa u përket lejeve të ndërtimit dhe përshembull nëse ata do të gjendeshin midis një pallati tek Stacioni i Trenit apo tek një qytet privat me kulla 30 katëshe, përpara një tufe majdanozi dhe koperi nga nënëdajat e fshatit Pezë, do të zgjidhnin njëherë njërën e pastaj tjetrën, megjithëse të dyja janë të Dash-ura për të. Lepujt kanë një sjellje të veçantë kur për shembull kërkojnë të çlodhen; atyre u pëlqen të shtrihen, ose të marrin pozicionin e ‘topit’, domethënë duke përkulur nga brenda putrat e përparme dhe duke qëndruar në gjendje “gjysmë të shtrirë” sikur të ishin të ngrirë. Shumë rrallë lepujt krijojnë shqetësime, qoftë edhe për arsye të sjelljes së tyre, e kjo pikërisht për arsye të “paqetësisë” së prijësit socialist. Por dihet që lepuri është kafsha më e ndrojtur dhe faktikisht nëse ai nuk sigurohet se ndodhet në një ambient familjar e të mbrojtur, mund të frikësohet për zhurmën më të vogël mediatike, duke qëndruar gjithnjë i gatshëm për t’u arratisur, ndofta në Spanjë siç kanë bërë edhe me përpara gonxhet e prijësit socialist. Ai është i gatshëm të arratiset sepse është kafsha shtëpiake më e preferuar socialiste dhe pas qenit të klonuar dhe gores së importuar, mbetet më i braktisuri. Në shumë qoshe të bashkisë Tiranë, lepuri ka fituar tashmë statusin e tij të mikut të afeksionit dhe llogaritet që të jenë deri në një milionë dollarë.
Patriarku i socialistëve modernë mendon se është e rëndësishme që t’u garantojmë atyre një hapësirë të gjelbër të mjaftueshme për një pallat shumëkatësh ku ata të ndjehen në territorin e tyre, dhe është shumë e pakëshillueshme mbajtja e tyre në kafazë prej hekuri (lepuri mund të arrijë deri aty sa të zhvillojë sjellje agresive e të mbyllura). Këshillohet gjithashtu, sidomos në periudhat e ngrohta, lënia e tyre e lirë, ndoshta duke u ndjekur nga i zoti i Shtëpisë socialiste, në hapësira të blerta, relativisht të mëdha. Për mirëmbajtjen e kafazit prej hekuri mund të përdoren enët me të cilat u shërbejnë goreve. Sidoqoftë nëse do të vendosnit të mbani më shumë se një lepur socialist, bëni kujdes ndaj çiftëzimeve: nuk këshillohet mbajtja e dy meshkujve apo dy femrave, dhe nëse do të mbajmë një mashkull e një femër, do të duhet t’i sterilizojmë që të dy. Në këto raste kur njëri nga lepujt vjen më vonë se i pari, është e rëndësishme që ata të afrohen menjëherë. Dhe faktikisht “më i vjetri” që po ia vemë emrin Tan, mund të ketë të drejtën e tij “parësore” dhe i dyti me emrin fiktiv Koço, Fidel apo Sadri, paksa i çorientuar mund të marrë sjellje të dhunshme mbrojtëse në lidhje me tjetrin. Pas disa ditë përpjekjesh, lepurushët socialistë sigurisht që do ta gjejnë harmoninë midis tyre, pasi janë kafshë me natyrë të afrueshme, e veçanërisht midis racës e gjinisë së tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›