“Jo të korruptuar në zgjedhje”
BLEDAR HOTI
Ish-presidenti Alfred Moisiu mbështet nismën “Për në Parlament të Pastër” dhe kërkon që personat e dyshuar për afera korruptive të mos kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Moisiu e mbajti këtë qëndrim gjatë bashkimit të OJQ-ve, të mbështetur nga ambasadat perëndimore në Tiranë për krijimin e koalicionit për një Parlament të pastër. “Projekti që sot ju prezantojmë ka të bëjë me një qëllim e një dëshirë të madhe, që zgjedhjet e qershorit 2009 të prodhojnë një parlament të çliruar nga ngarkesat korruptive dhe abuzive të viteve të tranzicionit. Nisma është një sinjal dhe një mesazh i rëndësishëm, një thirrje që i adresohet të gjithë politikanëve vendimmarrës dhe aktorëve politikë, që ata të mendohen mirë kur hartojnë listat e kandidatëve, të reflektojnë mbi integritetin moral dhe ligjor dhe që të mësojnë të aplikojnë standarde të denja për një vend anëtar i NATO e kandidat për në BE”, deklaroi Moisiu. Ai shtoi se fatkeqësisht në këto vite të tranzicionit shqiptar, Parlamenti ka qenë larg nivelit të kërkuar. “Ne duam ta ndryshojmë këtë trashëgimi të gabuar, ne duam një Parlament që ndryshon nga struktura militante e partive politike, një Parlament ku mandati nuk vidhet dhe nuk rrëmbehet me skema taktike, por fitohet me meritë dhe me votë të fshehtë”, tha më pas ish-presidenti. Ai theksoi se kanë rëndësi të veçantë cilësitë që kanë kandidatët për deputet. “Synimi ynë është që përpara se të shkohet në kutitë e votimit të mos gjendemi përpara faktit të kryer, por të ndihmojmë partitë dhe qytetarët për të krijuar, ndjekur, respektuar e testuar disa kritere morale mbi të cilat duhet të hartohen edhe listat e ardhshme të kandidatëve për deputetë. Ne apelojmë dhe do të tentojmë që kandidatët në të gjithë vendin dhe të të gjitha partive të jenë bartës së cilësive njerëzore, morale e profesionale”, tha më pas Moisiu. Ish-presidenti theksoi se për fat të keq procesi i 28 qershorit po pasohet nga tradita negative të së kaluarës, ku edhe këtë herë është në provë. Duke përmendur precedentin e hidhur të zgjedhjeve lokale të 2007, ku u shty data e zgjedhjeve, Moisiu si negociator i atëhershëm në cilësinë e kreut të shtetit, u bën thirrje partive politike të gjejnë gjuhën e konsensusit. “Nuk na lejohet që 28 qershori të jetë një shans i humbur”, tha Moisiu. Projekti parashikon që të verifikohen CV-të e kandidatëve se sa të pastër janë ato dhe të bëhen publike para 21 majit.