Qeveria heq certifikatat, do të njihen vetëm kartat
Adi Shkëmbi
Qeveria merr vendim për të detyruar institucionet publike dhe jo publike që të njohin kartat e reja, si mjet identifikimi për qytetarët. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, u miratua propozimi i Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili vendos edhe sanksione në rast se këto institucione nuk përmbushin detyrimet që rrjedhin nga ky vendim. Në këtë mënyrë, pas identifikimit të disa rasteve, kur në institucionet publike nuk njihej dokumenti i ri i qytetarëve, qeveria nxjerr aktin ligjor i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi
“Institucionet, publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do ta njohin si dokument identifikimi letërnjoftimin, sipas modelit të paraqitur në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në pikën 1 të këtij vendimi, në aneksin e të cilit është pikërisht modeli i kartës së identitetit, i cili do të jetë edhe një prej dy dokumenteve që do të përdoret në zgjedhjet e 28 qershorit. Në të njëjtën kohë është parashikuar që certifikata personale me fotografi të përdoret vetëm për shtetasit nën 16 vjeç, ndërkohë që mbi këtë moshë të gjithë qytetarët duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit. “Institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse”, thuhet më tej në vendim. Në këtë akt ligjor parashikohet edhe klauzola që nëse qytetarët nuk e kanë kartën e identitetit për arsye të justifikuara, ata mund të përdorin certifikatën personale me fotografi deri më 31 dhjetor të këtij viti dhe pas kësaj date duhet të pajisjen patjetër me këtë dokument për të kryer shërbimet e përcaktuara në ligj. Në vendimin e miratuar në mbledhjen e ditës së hënë, parashikohen edhe penalizimet për zyrtarët që nuk njohin kartën si dokument identifikimi. “Ndaj punonjësve të institucioneve, publike dhe jopublike, vendase, në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim, do të merren masa disiplinore fillimisht me gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës, në rast përsëritjeje gjobë në vlerën e një page dhe nëse ripërsëritet pezullim nga detyra”, thuhet në nenin 5 të vendimit. Në të njëjtën ditë u mor vendimi që të shtyhen me 15 ditë (nga 15 prilli bëhet 30 prill), afati brenda të cilit duhet të aplikojnë qytetarët pa pasaportë për të mos u penalizuar ndaj disa shërbimeve, si marrja e rrogave dhe pensioneve apo pajisja me pasaportë për jashtë shtetit. Gjithashtu qytetarët që kanë pasaportë nuk do të lejohen të aplikojnë për marrjen e kartës së identitetit deri më 1 korrik, duke u dhënë kështu përparësi personave që nuk kanë asnjë dokument për zgjedhjet e 28 qershorit.
Vendimi i Qeverisë per kartat
1. Institucionet, publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do ta njohin si dokument identifikimi letërnjoftimin, sipas modelit të paraqitur në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç.
3. Institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse.
4. Në rastet kur shtetasit nuk disponojnë letërnjoftim për arsye të justifikuara, lejohet përdorimi i certifikatës personale me fotografi, si dokument identifikimi, deri më 31 dhjetor 2009, në përputhje me dispozitat e parashikuara në aktet e tjera, ligjore dhe nënligjore.
5. Ndaj punonjësve të institucioneve, publike dhe jopublike, vendase, në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim, do të merren masa disiplinore fillimisht me gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës, në rast përsëritjeje gjobë në vlerën e një page dhe nëse ripërsëritet pezullim nga detyra.
6. Ngarkohen të gjitha institucionet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi për zbatimin e vendimit.