Zbulohet vizita "sekrete" e Kumbaros
Trazhgim Sokolaj
Ish-agjenti i Shërbimit Sekret Ilir Kumbaro, i arratisur në vitin 1996 nga Tirana, ka zhvilluar një vizitë "sekrete" në Shqipëri në vitin 2000, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, si i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Hyrja dhe qëndrimi në Shqipëri i ish-agjentit ka qenë krejt e fshehtë, ndërsa i akuzuari për "rrëmbim personi" dhe "tortura" në rastin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, i ka shpëtuar arrestimit në rrethana misterioze. Shkaku i rikthimit në Ilir Kumbaros në Shqipëri, mësohet se ka qenë një fatkeqësi familjare, konkretisht vdekja e babait të tij. Vizita "sekrete" e ish-drejtorit të Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën, është zbuluar gjatë hetimeve të Prokurorisë mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës. Duke qenë se për disa kohë Kumbaro u hetua në mungesë, bazuar në të dhënat për arratisjen e tij Prokuroria verifikoi lëvizjet ndërkombëtare të kryera nga i dyshuari. Gjatë këtyre verifikimeve rezultoi se i shumëkërkuari Ilir Kumbaro, kishte qëndruar në Shqipëri në mënyrë të fshehtë në vitin 2000 kur ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij. Ish-zyrtari ka shpëtuar pa u zbuluar gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga Shqipëria, ndërsa dyshohet se ka përdorur identitet të rremë. Faktet rreth vizitës së Kumbaros në Tiranë, të zbuluara gjatë hetimeve të Prokurorisë, do të paraqiteshin dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në seancën e radhës për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Për këtë shkak, në cilësinë e dëshmitarit ishte thirrur dje në sallën e gjyqit edhe Ali Kumbaro, xhaxhai i ish-agjentit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro. Sipas akuzës, i pyetur si dëshmitar gjatë hetimeve paraprake, xhaxhai i të pandehurit ka pranuar vizitën "sekrete" të Ilir Kumbaros në Shqipëri në vitin 2000. "Ali Kumbaro ka qenë në dijeni të vizitës së Ilir Kumbaros, madje ka dhënë deklarime ne lidhje me këtë çështje", thanë burimet e Prokurorisë.
Misteri i dosjes "Kumbaro"
Tetë vjet pas zhdukjes misterioze të Remzi Hoxhës, në vitin 2003, Prokuroria shqiptare rihapi dosjen dhe arrestoi tre ish-agjentë të SHIK-ut të dyshuar për ndalimin e biznesmenit në vitin 1995. I vetmi që u shpëtoi prangave ishte Ilir Kumbaro. Të dhënat hetimore tregojnë se ai u arratis nga Shqipëria në vitin 1996 falë një skenari ende misterioz. Ish-agjenti i SHIK-ut u prezantua në Angli me emrin Shaqa Shatri duke pretenduar të ishte një shtetas kosovar. Vetëm një vit pas zhdukjes së Remzi Hoxhës, i cili u rrëmbye nga SHIK-u, Ilir Kumbaro njëri nga të akuzuarit si urdhërues të ngjarjes, i arratis nga Shqipëria. Ndjekja ndërkombëtare për kapjen e të arratisurit zgjati disa vite. Pak kohë më parë, Gjykatë e Ekstradimeve në Londër pranoi të transferojë në Tiranë Ilir Kumbaron, në mënyrë që ai të dalë para togave të zeza për akuzat e ngritura në mungesë ndaj tij. Ekstradimi i ish-zyrtarit të SHIK-ut në Shqipëri tashmë është çështje ditësh, ndërsa procesi për zhdukjen e Remzi Hoxhës po vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Zbulimi i Shaqa Shatrit të vërtetë tradhtoi Kumbaron
TIRANE - Agjentët e Interpolit ranë në gjurmët e Ilir Kumbaros në Angli në fund të shtatorit 2008. Ndjekja vazhdoi për mëse 20 ditë ndërsa në mesin e muajit tetor 2008, Ilir Kumbaro u ndalua nga "Scotland Yard". I dyshuari vazhdoi të këmbëngulte se nuk kishte asgjë të përbashkët me të kërkuarin Ilir Kumbaro, ndërsa në banesën e tij u gjetën dokumente të djalit të ish-agjentit dhe gruas së tij. Më vonë, disa muaj pasi Ilir Kumbaro ishte futur në paraburgim, rrjeti televiziv britanik BBC, transmetoi një intervistë me Shaqa Shatrin e vërtetë, një qytetar rreth 60 vjeç nga Kosova, të cilit ish-agjenti i SHIK-ut në Tiranë i kishte vjedhur identitetin për të kërkuar me këtë emër strehim politik në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo e fundit madje i kishte lidhur edhe një ndihmë sociale Ilir Kumbaros, ndërkohë që ai kërkohej nga zyrat e Interpolit në gjithë vendet anëtare.
Rojat e Vainit:S`e kemi parë Remzi Hoxhën
TIRANE - Në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës futeshin vetëm punonjësit e këtij shërbimi. Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëshmuan tre prej policëve që kanë punuar roje në këtë bazë ku dyshohet se në 1995-ën janë torturuar Avdyl Loshaj, Ziso Kristopuli dhe shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha, i cili më pas është zhdukur. Mhill Pjetri, Llesh Coli dhe Tom Qushku treguan përpara togave të zeza, se funksioni i tyre në "vilat e SHIK-ut" në Vain ishte vetëm qëndrimi tek porta hyrëse, si edhe sigurimi i rrethimit të jashtëm të godinës. Dëshmitarët pohuan se administrimi i kësaj baze bëhej nga Qendra e shërbimit sekret në kryeqytet dhe jo nga Lezha. Sipas dëshmitarit Pjetri, ai nuk kishte absolutisht dijeni se çfarë ndodhte brenda godinave. Të tre dëshmitarët mohuan qëndrimin e personave për një kohë të gjatë në ambientet e bazës. "Aty vinin dhe iknin njerëz, thanë ata, por të gjithë qëndronin pak orë". Ata mohuan të njihnin Remzi Hoxhën, Avdyl Loshajn dhe Ziso Kristopulin. ar.ba
Sina: Pashë arratinë e Avdyl Loshajt
Roja i SHIK: Kumbaro më tha se do largohej
TIRANE - Një ndër personat e pakët që kishin dijeni mbi qëllimin e Ilir Kumbaros për t'u larguar nga Shqipëria, që në vitin 1996 dëshmoi dje në procesin gjyqësor në ngarkim të tre ish-sekretëve tek Krimet e Rënda. Hysen Sina, ish-polic objektesh në godinën e SHIK-ut në vitet 1995 rrëfeu para gjykatës dijeninë që kishte mbi ngjarjen që akuzohen katër ish-eprorët e tij Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi. Sipas Sinës, vendndodhjen aktuale të Kumbaros në Angli e kishte mësuar vetëm nëpërmjet medias. Ndërsa ai kujtoi se i pandehuri Kumbaro, ia kishte thënë njëherë këtë fakt 13 vjet më parë. "Mbaj mend që kam qenë i shtruar në spital me hernie diskale në vitin 1996. Sapo kishte fituar PD-ja mandatin e dytë. E kam takuar tek godina e spitalit nr.5, përballë godinës ku është SHIK-u sot. 'O Hysen, unë jam duke u larguar' më tha. Do të largohem jashtë shtetit. Më tha që 'unë e mbarova punën time. Të marr pensionin dhe të iki, kaq", tha dëshmitari Sina. Në dëshminë e tij Sina nuk kujtonte detaje rreth ngjarjes kur Avdyl Loshaj ishte hedhur nga kati i tretë i godinës atëhershme të SHIK. "Mbaj mend që ishte një person brun dhe se njërën faqe e kishte si të djegur", tha dëshmitari, duke mohuar në mënyrë absolute të dinte se prej kujt ishte marrë në pyetje Loshaj. Në lidhje me hedhjen e Loshajt kishte deklaruar në hetimet paraprake se: kush e solli atë kosovarin nuk e di; ai është mbajtur për disa ditë dhe me të është marrë Ilir Kumbaro që ishte tip shefi; edhe se ku është mbajtur, as këtë nuk e di. ar.ba