E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo teatrit me metafora

Fatos Berisha është vetëm një nga ata dhjetëra regjisorë të rinj nga hapësirat shqiptare, që nuk besojnë më tek "ëndrrat për të bërë teatër të madh", por thjesht kanë gjetur një mundësi për të mbijetuar. Në Ballkan, teatri është i njëjtë. Janë shumë pak mundësi për të depërtuar në të dhe po të tilla janë mundësitë për të jetuar me këtë zanat. "Kushtet për të bërë teatër nuk janë të mira. Ndoshta kjo është arsyeja pse unë i jam larguar teatrit për të punuar në televizion", thotë ai. Berisha është diplomuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës në Artet Dramatike, dega regji në vitin 1997. Tre vjet më vonë ai do të kryejë studimet pasuniversitare për teatër në Londër. Lidhja e tij e parë me teatrin ka qenë dramaturgu çek, Vaclav Havel. Ndryshe nga ajo çfarë ndodh me vëniet e para në skenë ku regjisorët e rinj synojnë drejt autorëve bashkëkohor, Berisha zgjodhi Havel, i bindur se gjuha e tij, ishte gjuha që duhet t‘i fliste spektatorit kosovar të asaj periudhe. Për të Haveli nuk është një shkrimtar komunist dhe pse jetoi në një sistem të tillë. Kritika e tij e hapur ndaj qeverisë komuniste e bënte shumë të vështirë publikimin e veprave të tij në Çekosllovaki, ndërkohë që Haveli kaloi në total 5 vjet brenda dhe jashtë burgut për shkak të bindjeve të tij politike. Në vitin 1989, Havel u shfaq në skenën politike botërore si lideri i lëvizjes demokratike dhe pas rënies së komunizmit ai u bë President i Çekosllovakisë. "Havel është një shkrimtar disident që ka vuajtur nga komunizmi, pasi për një kohë të gjatë ka qenë i persekutuar. Ne e vumë shfaqjen "Audienca" në skenën e teatrit "Dodona" në Prishtinë në vitin 1997, kur Kosova ishte ende nën regjimin serb dhe shfaqja ishte aktuale në mesazhet që përcillte për atë çfarë ndodhte aty. Intelektuali në këtë vepër është vetë shkrimtari që vihet përballë sfidave të pafundme të persekucionit. Vetë birraria është metafora e një burgu dhe intelektuali është futur aty për të bërë një punë vullnetare, e cila është një lloj dënimi", shpjegon Berisha. "Audienca" tregoi komprometimin që figurave të njohura të shoqërisë i duhet të bëjnë për të mbijetuar. Spiunimet, sfidën e vazhdueshme të intelektualit për të bërë apo jo kompromis me sistemet. Prej 11 vitesh kjo shfaqje është ngjitur në skenë me pauza. Për Berishën, 80% e publikut që vjen për të parë shfaqjen është pothuajse i njëjtë. Ndoshta për faktin se rrëfimi i Havelit është një komedi e zezë, e cila dhe nëpërmjet humorit flet për një nga fenomenet tepër prezente në hapësirat shqiptare siç është korrupsioni. "Korrupsioni është një fenomen i njohur në Ballkan, në vendet postkomuniste, ndoshta kjo është arsyeja pse shfaqja ka pasur sukses jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni", thotë Berisha. Në fakt, kjo shfaqje është Haveli i parë në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh faktin se ky autor është shumë i njohur në teatro të ndryshme të Evropës.

Dje kjo vepër është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar, në kuadrin e bashkëpunimeve mes teatrove të Tiranës dhe Prishtinës.

Për Berishën, Haveli është koha e pasioneve të para për teatrin. Tashmë mënyra sesi ai e sheh teatrin ka ndryshuar. Nëse 11 vjet më parë besonte se gjëja e vetme që duhet të bënte ishte vetëm të vinte vepra në skenë, ajo çfarë ofron realiteti ku ai jeton tashmë e ka bërë të pranojë faktin se "teatri është thjesht një pasion dhe me të ende nuk mund të jetosh".

Prej 6 vitesh ai punon si regjisor televizioni i një prej serialeve televizive më të njohura në Kosovë "Familja moderne". Berisha thotë se ky serial ka shkuar në 200 duke thyer kështu rekordin e serialeve të tilla televizive në Ballkan. Thotë se tashmë ndihet mirë në televizion, por lidhjet me teatrin nuk kërkon t‘i humbë. Në shtator pret të ngjisë në skenën e Teatrit të Gjakovës veprën "Vdekja dhe vasha" një shfaqje tepër e luajtur në të dyja hapësirat shqiptare. Vepër që, sipas tij, korrespondon dhe më realitetin e paspavarësisë së Kosovës.

Berisha vijon të jetë një ndjekës i rregullt i asaj çfarë ndodh me teatrin jo vetëm në Prishtinë, por kudo në Evropë. Konstatimet e mediave se ka një largim gjithnjë e më shumë të publikut nga teatri dhe që ka një krizë të teatrit, ai i sheh si diçka normale që e ka shoqëruar teatrin në çdo kohë. "Unë mendoj se kjo krizë ka ekzistuar edhe më përpara. Secila gjeneratë ka problemin e njëjtë, jemi ne ata që mendojmë se më përpara ndoshta ka qenë më mirë. Po marr si shembull teatrin "Dodona". Para luftës, ky teatër ka pasur shumë publik. Kjo pasi ka qenë një kohë e tmerrshme ku njerëzit nuk kanë pasur ku të shkojnë dhe televizionet nuk kanë qenë në këtë nivel dhe teatri ishte i vetmi oaz ndryshe për ta. Tashmë ka një ofertë më të madhe për kulturën. Njerëzit dalin pak nga shtëpia, pasi në ekran mund t‘i kenë tashmë të gjitha", thotë Berisha.

Për të, ajo çfarë duhet të bëjë teatri shqiptar është të largohet nga monotonia, simbolika e stilit të vjetër patetik, gjë e cila e largon publikun. "Unë mendoj se problemi i teatrit është tek ajo çfarë ai ofron, te një tekst i kuptueshëm, një lojë natyraliste, gjë që e do dhe vetë publiku. Ky i fundit i ka çdo ditë filmat amerikanë në ekranin e shtëpisë dhe nuk do të shohë në teatër lojërat e vjetra të aktrimit, nuk e do më tekstin me metafora, por një tekst realist që e kupton, një tekst që e thotë troç atë çfarë kërkon të thuash", thotë ai. Berisha pranon se në emër të artit janë bërë gjëra të pakuptimta që fatkeqësisht e bëjnë publikun të largohet nga teatri.

Por a duhet të jetë teatri një medium që t‘i flasë politikës, shoqërisë civile, të ndikojë në lëvizjet e një shoqërie?

Vetë vepra që Berisha solli në skenën e Teatrit Kombëtar është një vepër e teatrit politik. Në vitet ‘70 kur Havel e shkroi, ajo pati një ndikim të madh në publik. "Sot, në shek XXI, mendoj se teatri e ka humbur atë goditjen që kishte në shoqëri, në politikë në jetën civile", thotë Berisha. Ai mendon se dalëngadalë janë dy rrugë nga ku do të orientohet teatri ynë.

O do të shkojë drejt një shuarje graduale, o do të bëjë atë çfarë teatri anglo-amerikan po bën prej vitesh, një teatër në funksion të zbavitjes së publikut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›