E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bateritë e rrëna të Galerisë Kombëtare të Arteve



Fani ZGURO
Për fatin “melankolik” të artit shqiptar, Galeria Kombëtare e Arteve të Tiranës është i vetmi institucion jo vetëm shtetëror, por edhe dinjitoz, që prezanton rregullisht prej dekadash artin figurativ dhe të traditës dikur, dhe atë të ashtuquajturin në fillimin e viteve ‘90 “art bashkëkohor”. Fillimi i këtyre viteve solli padyshim një entusiazëm e dëshirë për të reaguar dhe aplikuar atë ç’ka për 40 vjet u ndrydh me mënyrën më artizane, primitive e ambulante që mund të projektonte njeriu. Por meqë edhe arti sikurse çdo aspekt tjetër shoqëror është drejtpërsëdrejti i lidhur me situatat historike e politike (ndonëse me shumë vonesë) në vitet ‘90 e më tej, në Tiranë, piktorë, skulptorë, artistë të rinj dhe studentë të Akademisë së Arteve reaguan nëpërmjet një arti, i cili mbi të gjitha, fliste për konceptin e lirisë, çlirimin e tabuve dhe gjithçka që nuk funksionoi me kohën e shkuar. Galeria Kombëtare e Arteve ishte pikërisht laboratori i këtij kërkimi dhe për më shumë se dhjetë vjet, në hapësirat e saj u realizuan konkurset ndërkombëtare të arteve pamore dhe fotografisë “Onufri” e “Marubi”, Bienalja e Tiranës, si dhe një sërë ekspozitash kolektive e personale, ku spikasin artistët ndërkombëtarë Phil Collins e Olafur Eliasson. Në këto edicione të gjithë jemi dëshmimtarë të prurjeve brilante si “Onufri” 1998, ku artistët pjesëmarrës ishin kolosë të padiskutueshëm të artit bashkohor. Andre Seranno, Pipilotti Rist, Vanessa Beecroft, Maurizio Cattelan etj, sollën para publikut shqiptar një vizion të ri për të kuptuar qëllimin e artit sot. Aktivitet e zhvilluara në këto vite janë padyshim ato që monitorojnë suksesin e Galerisë Kombëtare, energjinë më të bukur në vite dhe një shembull, i cili tashmë duket se ka humbur përfundimisht, duke i lënë vendin zbrazëtisë të hiçit. Por çfarë na ofron Galeria Kombëtare e Arteve sot? Për të kuptuar këtë mjafton t’i hedhim një sy programit të dy viteve të fundit të saj. Jo për mungesë të kujtesës, por në të nuk do të gjejmë asgjë me vlerë e dinjitoze. Gjithçka që ka ofruar ky institucion është material banal, madje, shija më e keqe që mund t’i jetë prezantuar deri më sot publikut shqiptar. Nëse të gjitha insitucionet analoge ndërkombëtare realizojnë përvit ekspozita personale e kolektive duke përfshirë artistë ndërkombëtarë e projekte ambicioze, në bashkëpunime të ngushta me njëra-tjetrën, GKA-ja nuk ofron asgjë të tillë. Gjithçka që kemi parë në këtë institucion janë ekspozitat ordinere e mjerane nga piktorë ambulantë me varka e histori të rrënuara rrefugjatësh të konvertuar nga puntorë ndërtimi, në realizues peisazhesh e ikonash qesharake. Kurrikulumi i GKA-së në periudhën e fundit është i frikshëm. Për më tepër, sot, që arti shqiptar është konfirmuar në arenën ndërkombëtare me artistë brilantë si Anri Sala, Adrian Paci, Sislej Xhafa, Alban Hajdinaj, etj. Këtu lind një tjetër pyetje: Pse nuk kemi parë asnjë ekspozitë të tyren në hapësirat e GKA-së? Shpesh, publiku shqiptar asiston në inagurime mediokre dhe asnjë prej këtyre emrave e artistëve të huaj “ndërkombëtarë” nuk shfaqet në programin e GKA-së. Ky fakt meriton dhe justifikon vetëm një emër. Injorancë! Totalitarizmi i saj është kaq universal sa, asaj mund t’i shtojmë vetëm neglizhencë, mungesë përgjegjësie e informacioni, paralizë totale të çdo iniciative, energji negative dhe çdo mizerabilitet të ngjashëm me këto. Të vjen turp të përmendësh sot emrin e këtij institucioni në sistemin dhe ambientet e huaja. Galeria Kombëtare është kthyer jo në një makth, por në një haur, burg lopësh, kolektiv të çarmatosur nga çdo pasion e vizion i drejtë për artin. Nëse marrin një shembull krahasues, vetëm disa muaj më parë asistova në realizimin e edicionit të fundit të konkursit “Onufri”, i kuruar nga Ervin Hatibi e Rubens Shima. Ajo ç’ka më skandalizoi nuk ishte thjesht një situatë e vetme, por gjithçka. Inciativa brilante dhe pasioni i dy kuratorëve nuk mjaftoi për realizimin e të vetmit aktivitet serioz gjatë gjithë 2007-s në GKA. Rregullisht, deri në orët e fundit para inagurimit të këtij konkursi, drejtoria e GKA-së e më konkretisht drejtori i saj, Genc Mulliqi, ka sabotuar me të gjitha format këtë iniciativë dhe vetëm këmbëngulja e zv.drejtorit Rubens Shima, arriti t’a shpëtojë edicionin. Fonde të bllokuara, pagesa të përgjysmuara, fletërrufe dhe idiotësira të tilla që të kujtojnë kohën e “xhaxhit”, ishin statusi i vërtetë i këtij “Onufri”. Puna e dy kuratorëve u minua me të gjitha format dhe ky është persekutimi më skizofren që një institucion shtetëror mund t’i shkaktojë vetvetes. Rasti i “Onufrit” nuk është i vetëm; Gafat trashanike të paimagjinueshme të drejtorit të GKA-së, Genc Mulliqi, janë tashmë një menu, të cilën nuk mund t’a hasësh në asnjë vend tjetër analog. Nëse i referohemi insitucioneve fqinje në rajon si “Platform Garanti” në Turqi, apo edhe “Exit” në Pejë, do të vërrejmë se organizatorët, me gjithë vështirësitë financiare ftojnë rregullisht në hapësirat e tyre artistët më brilantë të artit bashkhor. Asgjë e tillë nuk ndodh me institucionin shqiptar. Pse ky institucion, i vetmi i kësaj natyre që disponon kryeqyteti ka arritur fundin e çdo parimi intelektual e artistik? Përgjigja është e qartë dhe shumë e thjeshtë. Këtu individë të cilët nuk meritojnë as drejtimin e azilëve vihen në drejtimin e institucionit të artit, i cili edhe në kohët më të errëta të Byrosë nuk kishte arritur nivele kaq bazike. Atëherë ç’duhet bërë? Duhet të vazhdojmë me këto rritme të turpshme e katastrofike për kulturën dhe artin shqiptar, apo ka ardhur momenti që dinjiteti i tij të vihet në vend? Problemi këtu qëndron se të gjithë jemi mësuar me të keqen sistematike të individëve injorantë e problematikë, të cilët jo vetëm po e turpërojnë sistemin e artit, por po e vendosin atë në nivele të parekuperueshme. Galeria Kombëtare e Arteve nuk është pronë për t’u shitur mediokritetit, injorancës dhe errësirës totale, por një insititucion që duhet të prezantojë vlerat më të mira artistike që ky komb prej më shumë se 10-vjetësh po i prezanton kudo nëpër botë.

Shënim
Shkrimi i botuar në këtë faqe nuk përfaqëson politikën redaksionale të gazetës “Albania”

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›