E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socializmi në foto

Fotografi të vendeve të Ballkanit, të cilat kanë përjetuar diktatura të ndryshme komuniste janë paraqitur në ekspozitën personale të fotografit kosovar, me kombësi turke, Barish Karamuço, të mërkurën në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. "Pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), shtetet e Ballkanit këndonin parullën ‘Bashkësi dhe Korporatë‘, por që nuk mundën t‘i adaptoheshin botës, e cila në mënyrë të shpejtë po globalizohej. Në Jugosllavi, pas vdekjes se Titos, filloi

rrëzimi i qeverive, gjë që ka amplifikuar sjelljen e patriotëve në pushtet, duke shkaktuar kështu formimin e shteteve të reja

post-nacionaliste", thotë Karamuço. Sipas tij, qëllimi i kësaj

ekspozite është paraqitja me fotografi e këtyre vendeve,

duke u përpjekur që të tregojë gjurmët e këtij sistemi.

"Me fjalë të tjera, ideologjia e socializmit, që më herët ka qenë pjesë e jetëve tona dhe që dikur dukej ndryshe, sot është transformuar në diçka krejt tjetër. Posaçërisht në Kosovë ky proces po zhvillohet me shpejtësi. Pas operacionit të NATO-s në vitin 1999, këndvështrimi mental dhe intelektual i Kosovës plotësisht ka ndryshuar", thotë ai. Karamuço ka shtuar se në këtë projekt janë përfshirë edhe shtetet e ndryshme të Ballkanit, të cilët duhet të pranojnë historinë e tyre të re. Fotografitë në foto-ekspozitën e tij vijnë nga qytetet e Maqedonisë, pastaj Shqipërisë dhe Bullgarisë. "Kështu ne mund të paraqesim njerëzit e kulturave të ndryshme, por që kanë jetuar me ideologji të njëjtë, ku ideologjitë dhe dallimi i këtyre kulturave ka ndërruar me kohë, duke i krahasuar fotografitë e marra në qytete të ndryshme", shprehet Karamuço.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›